Edhe një sindrom i Ballkanit


Ishte viti i parë mbas gati 7 viteve që shkuam nga Londra për në Sarajevë dhe Ulqin ,unë dhe djali im i vogël Besarti.
Plot emocione .
Takime, mallë, kujtime.
Një ditë dalim në një kafe afër fakultetit ekonomik në qendër të Sarajevës ku mblidhemi shumë veta.
Aty qelloi edhe djali tezes Shemo Hasanaga, që kishte ardhë nga Ulqini,disa ulqinak tjerë shoqnija ime .
U mbush tavolina plot.
Atmosfera në kulm .
Ku ka thashë ma bukur ?

Një ditë plot gaz një ditë e paharrushme.
Një ditë plot diell.
Vjen koha me pagu….
Nuk e keni idenë !
Obbbboobbbooo ….krisi lufta o miq krisi lufta !
Hallakam!
Ç’farë po ndodhë ore ç’farë po ndodhë?
Të gjithë ngritemi në kambë.
Jo unë, jo unë paguaj.
Nxirret kuletat.
Shtyhen brrylat!
Ngritet zani!
Jo valla unë!
Jo por unë edhe pikë !
E nuk ndalemi!
U ba lamshi pa fije.


Djali im Besarti, pak mbet i habitur dhe nuk dinte çka po ndodhë.

“Auuuuuu mam, ja imam sramota “ më tha me at gjuhën boshnjake që i kishte mbet në kujtesë .

Kaluan vite e vite.

Dite e bukur me diell.
Vendi im i preferuar është Chelsea Harbour.
Pak erë fryn me hapa të lehtë dhe e ndan tërë atë bukuri në të kaluarën time.Pamja e lumit Temzës është e papërshkrueshme.
Ky vend më kujton pak Ulqinin.
A me të vërtetë …. pak si nesër! Madje as afër, por megjithate vendi është plot sharm, gjerësi të madhe, lumi dhe qielli gjithmonë garojnë, se cili do të jetë më i shpejtë në ndryshimin e disponimit .
Londra është kjo!
Mos nxirr kurrë çadrën nga çanta!
Pavarësisht, unë jam e kënaqur , e dua dhe gjithmonë i përkulem këtij vendi.
Nejse.

Kafja përpara,një muhabet i bukur.
Snickers Zhubi, shoku im i vogël, si gjithmonë I lumtur, vazhdimisht vrapon si i çmendur dhe i përshëndet të gjithë nga tryeza në tryezë. Restoranti është miqësor ndaj qenve, kështu që askujt nuk i shkon mendja me u mërzitë për praninë e ti.
Askush nuk më shikon me sy të keq … deri sa ….

I vetmi vend ku ai mund të ecë lirshëm pa zinxhir .
Tund bishtin pandërprerë dhe me krenari.
Dëgjoj anglisht, persisht, spanjolisht, italisht … të gjithë të zhytur në historitë e tyre.
Edhe Snickers im me gjuhën e vet mundohet , askush nuk e kupton atë por të gjithë e adhurojnë .
Duket sikur ai po flet Esperanto!
Si dukete se mënyra më e mirë që njerëzit t’ju adhurojnë, është më mirë që ata të mos ju kuptojnë.
Ai leh pak, duke kërkuar çokollatat e tij, por gjithmonë në masa të arsyeshme.
Ai e di kur është mjaftë ,për ndryshim nga ne.
Super i lumtur ai ,dhe unë edhe më e lumtur.
Çdo gja në rregull, një ditë e bukur, dëgjoj atë histori të vërtetë.
Lotët rrjedhin ngadalë.
Lotët e historive të vërteta njerëzore.
Ajo vazhdon, unë hesht.
Mikja ime vazhdon me tregimin
E ndërpres pak, por në thelb nuk dua ta ndal këtë histori.
Asnjëherë!
Orët hecin, biseda, një ditë për marak .
Pak lot, pak gaz.
Erdh koha me shku në shtëpi , çohemi me ba pagesën .
Unë jam kokëfortë dhe ajo është edhe më shumë, jo unë paguaj, jo unë paguaj …
Unë rezistoj, ajo reziston.
Shtyhemi….
Askush deri tani nuk na kishte shikuar, askujt nuk i kishte lanë përshtypje gjuha e jonë, por një moment e verej që disa po i drejtojnë sytë nga na.

Po i trishton sindromi i Ballkanit!
Për ta nuk ishte e qartë se çfarë po ndodhte .Nga bisedat e bukura dhe plot lot, tani po ngremë zërin se kush do të paguajë!
Harruam që jemi në Angli ku çdo kush ngreh nga xhepi kuletën e vet.
Për 27 vjet nuk kemi mundur të shërojmë disa sindroma ballkanike.
Megjithëse kam dëgjuar që ky sindromë dalë ngadalë është kuruar në Ballkan.
Sidoqoftë …
Duket sikur kjo ishte dita ime.
Kafe dhe ushqim falas dhe një histori e bukur që më ushqeu për javë të tëra.
Çohemi me lot, kthimi i ndjenjave të bukura dhe kujtesës.
Snickers udhëheq i pari, e di rrugën për në shtëpinë e tij.
Ai shkon i lumtur me një ditë kaq të mrekullueshme.
Për historinë, nuk jam e sigurt se sa kuptonte qenushi im,por çdo lot tim e ndiqte me trishtim.
Unë e njoh mirë fytyrën e tij më të ëmbël!
Nuk dua që bisedat e bukura si kjo të ndalen!
Asnjëherë!
Sindromi ballkanik nuk na lëshon por dalë ngadalë vjen e zbutet….


Scroll to Top