Hamoj, Lamoj Trumuj


Respekt për çdo familje shqiptare

Prej familjes ma të varfër e deri ke ajo ma e pasur në botë, prej asaj në qytetin ma të madh e deri ke ajo në fshatin e mshehur ,secila familje e ka një libër të shkruar me historite e veta.
Disa i kanë kopertinat e buta disa të forta disa të ilustruara disa të vjetra dhe shkatrruara.
Por secila e ka një luftë në vehte.
Dhimbjen që e mban gjithë jetën!
Disa mbesin në raftet e pluhosura disa nën degë të ullirit disa zbehen nga rrezet e diellit , disa i shkund murrani dhe stuhia.

Hamuj, Lamuj Trumuj, isht aja fjala jonë ulqinake, që nuk ka ulqinak në moshë ,që nuk e ka ni këtë fjalë.

Çdo fis dhe çdo familje ,karakterizohet me vetit, traditat dhe tabjatet mbrenda strofullit të vet.
Çdo kush ka mbrenda sajë dikend që e ngritë at familjen dhe dikend që e ulë.
Stigmat nuk janë kurrë të mira .
Shpesh herë ata paragjykime kanë nda dy zemra që janë dashtë deri në vdekje ose e kanë çu femiun e vet drejtë në der të hellit!

Janë tregimet, janë ngjarjet, gzimet, tragjeditë që e lidhin historinë mbrenda familjeve.

Në Ulqin si dhe në çdo qytet të vogël, çdo kush e njeh çdo kend.
Dhe në fund të gjithë dalim në një lidhshmëri njini me tjetrin.

Më shkruan në Facebook nji mergimtar ulqinak, kur i lexej më thotë shkrimet tuja, më duket se tanë Ulqinin e kam gjini.
Të njajten ma ka shkru edhe nji lexus I Kosovës që thotë sa më duket që njoh shumë njerz në Ulqin nga shkrimet tua.
Fakti që lexojnë edhe brezi ri shkrimet e mija më vjen shumë mirë.
Nese nuk i ndëgjojnë, ose nuk i lexojnë,dikur edhe vdesin shumë mesele dhe ngjarje.
Kur kam qenë e re edhe mu fart nuk me janë duk interesant, par tesh kam shumë pendesë që nuk i kam shkru, sepse shumica edhe harrohen me kohë.

Për me vazhdu tregimet, at çka prindërit na tregojnë, duhet me i shënu.
E pa shkruara, e harruara!
Dhe është shumë gjyna mos me u përcjell gjeneratë mbas gjenerate.

Familja, Lamoja, Truma dhe Abazoviq, janë familje të vjetra ulqinake.
Me tradita, me humorin, baticat dhe zbaticat sikur çdo familje shqiptare e jona.

Zhurmaxhi, gurmana, mikpritsa deri në palcë, njerz t’shëretshëm me plot kuptimin e fjalës.
Ahengu dhe mikpritja i karakterizon të trija kta familje, prandaj ndoshta edhe aty ka rrjedhë kjo fjalë për kta tre fiset ulqinake
.
Kur të bani darsëm, mos leni pa e thirë në darsëm bile nji antar nga kjo familje.
Shyhretin e kanë në gjak.

Nelo Lamoja rahmet pastë , nji njeri i urtë dhe i dashtun për Ulqin ia ka tregu të birit sa e sa herë këtë bejte, që për fat të keq, është shumë e gjatë por gjysa u hup nga harresa sepse nuk është shënuar.

Shkojnë disa musafir në vizitë ke familja Lamoja. Rrijnë aq gjatë, deri vone sa e zonja shpisë nisë e merr gjumi.
E si i thohet musafirit hajtë tesh sa vaktin e keni….?
Del aja në dritare shiken, shiken dhe kthehet ka musafirët:
Uuuuu tanë moj loce kanë ra me fjet ,veç na qenkem çut!
Jam e sigurtë që të gjithë kanë qeshë .
Dhe unë po e përcjell në shënimet e mija ashtu si e pëcjell fëmiu Nelit.

Populli i ka thurë bejtet mramje tuj ndej, me llampa të grumbulluar në odat shqiptare .

Mbas ditës të vështirë, plot halle dhe mendime, janë mbledh rreth votrës , ose mangalles me prush dhe kanë thur tregime, mite, legjenda, mesele.
Gaz, muhabet, kshtenja Kraje të pjekuna , drunjtë tuj u djeg me kërcëllimat e shërbezuara në zjarrin e votrës, deri në netët e vona.
Të gjithë rreth minderit, ku zakonisht kryti shtëpisë ka majtë fjalimin kryesor.
Nji tregim qesharak me nji humor popullorçe i Nelit ,për Lajen ne nji gost :
kur ka shku Laja ,nuk i paska pëlqy meshlisi aspak , dhe si shenj mospëlqimi ka ba temena me dorë të majtë .

Hallat e Nelit e vërejnë me shumë vigjilencë mos knaqësinë e Lajes ,dhe aty për aty ia shkrepin bejtes :

“Hajde hajt Laja Hysës
temena me dorë të b…s !

Na thojmë “ me ta lanë yrzin n’dorë “, shkurt e shqip.

Nuk e di kroni Lajes a ka emnin e sajë, për këtë nuk kam dijeni, por edhe mund të jetë ?

Dhe ashtu aty për aty kanë lind bejtet njini nji varg tjetri nji varg, janë renditë si vargu kshtenjave bejtet në odat shqiptare .

As internet e as Facebook, par goja gojës janë përcjellë me gjenerata.

Bejtet vazhdojnë nga goja e Nelit që ia ka tregu fmive të vet sa e sa herë…
Kur vdes prindi, fëmijëve ju mbesin në kujtimet gjithë tregimet që I kanë ndigju prej tyne dhe shpesh i kujtojnë me aq mall par edhe me buzëqeshje deri sa mendojmë që edhe ata na shofin nga Parajsa tuj i kujtu e tuj i përmend.

Ne penxhere pi karajelit
Pa bertet Fahrija Nelit
Pa bertet pa ban shuplak
Hajt meshpejt mar Tahir-ag
Shpija Lajes à Zajes kapi flak….

Kapi flakë e pa qet tym
Hanko Laja si gjygym. 😊

Hanko Laje moj hanko La
T’meti mesa në Mera
Besa Zotit skam ç’mi ba
Agallar e Hanko aty i ka…

Je atje e s’kam çka t’baj
Kur t’vish ka tesh ta kallxaj
Ta pres gjuhen me gershanë

Kta janë disa vargje e kush i di le të vazhdojnë….

Mos ta harrojmë të kaluarën tonë, ja veç histori me çifteli par edhe me humor.
Aq shumë kemi nevojë, si kurrë ma parë!
Vazhdojmë…. ..

Scroll to Top