Ojmat
Temisllyku , pastërtija ose paqllyku janë shumë mirë dhe asht gja e bukur, dhe e nevojshme por ajo duhet me i interesu veç pronarit dhe atyne që jetojnë në at shtepi, e kurrsesi musafirit, që vjen, pi nji kafe dhe shkon në shtëpi dhe në punë të vet.
Mirëpo, kjo çeshtje I takon shpesh herë edhe CIA , Udbës, MI5….
E këtë kush e ban ma mirë se gratë tona?
Kishte qenë njiherë nji gru shumë maraklije . Jo, jo, më falni, vesveselije.
Ama aq shumë që ia kishin pasë zili edhe gratë tjera që edhe ato vet kishin qenë maraklije por jo në at nivel sa ajo.
Atë kohë I kishin thanë vesveselije , maraklije kurse ditë sodit që çdo gjasë i napin diagnozë, kishte me qenë OCD Obsessive compulsive disorder.
Shpesh herë të shkretat tuj mendu që kur të vdesin do t’i mbarojnë përmendore për mundin që bajnë! Por ata nuk knaqeshin veç me pragun e vet. Ata gjithmonë ishin në nji konkurencë me të tjerat!
Kush asht ma e zonja, kush asht ma e shkathta, kush ka marifet ma shumë!
Ishte garë e vështirë dhe të shkretat ishin në gara të përjetshme! Nuk ishte e lehtë aspak. Me mbajtë pastërti por edhe evidencë . Me dhanë llogari dhe arsyetim por edhe me përcjellë çdo gja rreth vehtes me sy të mprehtë!
Nejse…..
E vizitojnë kojshit nikoqiren, kohë pa kohë, hejret në mjes, kohë mizdite, aksham, pa i lajmru, pa e dite!
Ama….. yok!
Asla !
Kurrë nuk kishin mujtë me e nxanë ngusht.
Edhe pse me f’mi, musafir, kallabllyk, ajo kishte ndej si ushtare e Mao Ce Tung !
Nji ditë, i vijnë disa gra dhe me vehte kishin marrë edhe punë dore.
Por kësaj herë as gjergjef, as lesh me thur xhemper,as pe me ngjyra!
Kishin marrë grep me pe të bardhë bilur.
Ashtu që edhe kohën që rrijnë me ba hajr, e jo me I shku koha badihava, sepse të shkretat gjithmonë janë ndi fajtore nëse nuk e kalojnë kohën tuj ba hajr,bile edhe kur bajnë llaf e muhabet e teraqillyk!
Dhe këtë herë kishin vendos me marr me vejdi me mbaru ojma !
Ojma- tentenet!
Ojmat janë vu në tryezë buke, në tryezë kafje, në kerr, në kauç, bile ata maraklijet edhe në WC .
Ojmat të ngrime në shtirk, ojmat të ngrime kaaçaa !
Por jo.
Atë ditë musafiret, mikeshat kishin rol tjetër.
Rolin e CIA!
Merr njana, e hedh lamshin e penit, kinse i shpëtoi ndër kauç.
Ngreh penin. Bardhë si bora!
Merr tash ajo tjetra që Ishte ul në kauçin tjetër, poashtu ” aksidentalisht “ e hedh lamshin e penit.
Prap i bardhë si bora !
E Zonja i vëren, por syni tak nuk i ban.
Bile ngreh krytin nalt edhe ma me mburrje!
Gratë kishin kry detyrën me sukses!
Mission accomplished!
Definitivisht kjo gru kalon provimin e vesveselijes!
E pastaj na thojmë nuk kanë ditë gratë perpara, kanë qenë pa shkollë!
Hej kuku, po kuj i kishte ra nder mend nji ide e tillë…përveç grave tona?
Ide bardh si bora, bilur !
E na tallemi me ato ide që kurrë në mend nuk na kishte shku!
Mu jo për Zotin….kurr!
Për mu mjafton veç nji kafe me dashni pa teklif! Kaq!
Vildana Dibra Zhubi
Ps. Në baza të verteta nga goja e nikoqires !