Shpirti s’digjet n’mërzi

Shpirti s’digjet n’mërzi,
Zbutet,
Rritet e hapet
Da flutra i mbledh n’bark
Prej dhimbjeve si inxhi i rendit n’varg
N’aksham e n’sabah me dritë si nuri
I thotë vejdit insani ma i fortë se guri
E kur fare aj shpirt zbutet
Fillon e dashnohesh ma shumë n’jetën
E me vdek s’ngutet!
Se veç sabri e naltson insanin e shkretë
Ymydi asht e vetmja shtyllë me u m’shtet n’jetë
Kur menojmë që ka ma mirë kurrë t’knaqun s’jemi,
Par kur e dijmë që ka edhe shumë ma keq
Kibles e kryqit i kthehemi !
Pereni t’falem nerës për çdo gja
As pa sabër as pa ymyd kend s’la
Flutrat n’bark si gur elmaz i m’ledh
Me lot t’mshefuna që sa here i derdh.
Se as pa ymyd e as pa sabër nuk zbardh sabahi
Kusuret e jetës nuk janë pazare mezgjahi!

Shpirti s’digjet n’mërzi,
Veç t’ban ma njeri
Zbutet,
Rritet e hapet me fatin dhe hallet e jetës
E tanë i hedh mas krahut, tuj i besu veç kalemit e letrës.
Mik ma t’mirë s’ka!
Ditën kur kalemi harxhohet
Edhe lot që bijnë n’letër kanë me u tha!

Naltmadhni…kurrë pa ymyd e sabër mas m’len
Pa familje miq e nji filxhan kafe
pa da pika gzimi as lot me i hedh me kalem
As pa miken ma t’mirë letrën
Dashninë teme ma t’vjetrën!

Scroll to Top