Tiranë

Tiranë

Udhëtimi për Tiranë nisi ditën e puntorit me 1 Maj prej Heathrow ku në aeroplan ulun afër meje ishte nji djal Tirane i cili jeton në Londër . Nji djal tanë edukatë , respekt i cili me ndihmon me valixhe, thret taxi për Tiranë prej aeroporti. Përshëndetet, vazhdon rrugën e ti.

Hoteli Livia, në rrugën Qemal Stafa, më kujton në shtepijat e vjetra nga filmat shqiptar ku lulja e Hanëmelit dhe gjethet e hardhisë dominojshin gati në shumë oborre shqiptare.
Nji atmosferë e ngrohtë, pritje me respekt nga recepcionisti, dhe nji ndjenjë e imja plot kujtime nga ajo Tirana tjetër para dekadave kur së pari shkela vitin 1979.
Përzimje emocionesh, pak lodhje e pak uri.
Më merr gjumi.
Çohem e çlodhun fare dhe personi parë që më bjen në mend me iu lajmru ishte Zonja Rezarta Shurdha.
Pak me hezitim sepse kurrë nuk e kam taku ma parë , dhe dilemë që mos ta bezdis, por prap vendos t’i dërgoj nji porosi për takim me kafe.
Përgjigjet mbas 1 minute.
Jam ,më thotë larg nga ky vend,dhe po sa kam hy në shpi sepse isha jashtë për nji shetitje, por do t’i hypi taxit dhe takohemi para hotelit.
Dal në rrugën Qemal Stafa, sjell krytin majtas djathtas dhe Zonja Rezarta kishte mrrit.
Takim i parë me këtë Zonjë 24 karat.
Shkojmë për kafe.
Biseda nuk ndalet. O Zot mendoj, po mos kam taku këtë Zonjë dekada ma parë dhe kam harru?
Si asht e mundun e gjithë kjo bisedë me rrjedh pa u ndalë me njeri që jam taku virtualisht veç në Facebook?
Flet për jetën që kishte jetu me dekada me njeriun e zemrës dhe me respektin që gjithë jetën kishte pasë për shpinë e burrit, familjen Shurdha nga Ulqini dhe Shkodra.
Marrim në bisedë ne messenger edhe Zotnin Daut Shurdha dhe Zonjën Kate sepse ajo ishte shumë në kontakt me ta ,por unë nuk i kisha taku gati 40 vjet.Tash kujtimet më kthejnë në Prishtinë !
Nuk mé besohet. Vazhdon biseda me Zotni Ahmet Shurdha ,po ashtu në messenger dhe kjo Zonjë që vinte nga ezhgu i nji familje tironce nuk ndalet me adhurimin që kishte për familjen e burrit .
Më mahnit, e ndegjoj me adhurim.
Mramja ishte pak e freskët me dallim nga ajo temperatura ditës që më mori frymën nga i nxeti.
Dalim nga lokali ,dhe nisim shetitjen në këtë Tiranën që unë aspak, aspak ama bash aspak nuk e njoh.
Prap ,kthehem dekada mbas.
Kujtimet e vizitës time me grupin e studentëve nga Sarajeva.
Truni më shetrit me rrotullime drastike në minut.
Hecim, bisedojmë dhe diku ka ora 9:30 përshëndetemi dhe Zonja Rezarta mbasi më përcjell deri ke rruga Qemal Stafa aty ku me takoi,kthehet në shpinë e vet.
Unë vazhdoj. Edhe pse pak rruga terr ,kurreshtja mos diçka më kujtohet, më shtynë për në drejtimin e Pazarit të Ri që më sygjeroi mikja ime Linda.
O Zot…. ndegjoj nji violinë që kishte kaplu gjithë mbramjen dhe atmosfera sa ma shumë ofrohesha aq ma shumë me trazonte trunin.
Duartrokitjet, gjallnija, atmosfera në kulm nga restorani Nur.
Violinistja kishte çu në kambë të gjithë.Nji vajzë simpatike e gjalllë e lindun me knaq zemrat e çdo kalimtari të epokave ku përplasen kujtimet me harresat.
Kthehem por mbramja nuk mori fund. Truni i thonte zemrës ti kurrë nuk jeton me iluzione por zemra i thonte trunit se kujtimet e bukura na mbajnë gjallë!
Gjumi më zuni kur zbardhi dita.

Ditë e re ,mendova.
U ula ma ngranë mjesin jashtë në terasën plot jeshillyk.
Biseda ime me veten time tashma kishte marrë dhenë!
Histori shqiptare, kujtime nga programet që shikonim si fmi në RTSh me at dreq antene që u donte me ndrru çdo gjysë ore kur era ia drejtonte kahjen.
Edhe Zoti po luante me ne mendova ashtu si me antenë.

Ora 3:40 dal nga hoteli Livia dhe nisem në hotelin Interkontinental .
Recepcionisti nji djal shumë i sjellshëm më thotë, “Zonjë nuk keni leverdi me marr taxi.”
Kthehu djathtas, prap djathtas dhe sheh 12. katshen apo ashtu i thonin.
Si dal nga dera hotelit,takoj 3 Zonja nga Kosova dhe menjiherë e njoh ( jo personalisht) Zonjën Flora Brovina . I përshëndes.
Ishim nisë në drejtim të njajtë.
Nga nji kaos I qyteteve tona që vinim nga drejtimet e ndryshme në nji drejtim për nji shpresë .
Nji iluzion, andërr, dëshirë ose quani si ta doni…. por të gjithë e kemi andërr që kurrë nuk asht realizu !
Pse ….?
Nuk e di, ju tregoj nji ditë para se të vdes.
Salla hotelit ishte mbush.
Unë nuk ndalesha me kërku me sy shoqen, bashkvendasen mjeken gjinekologe sokoleshën e Ulqinit Zonjën Zylfije Gjoni Duraku.
Dëshprohem.
Sepse ishte ajo që më kishte ftu në këtë mbledhje që po priste këtë moment historik e që historia do na e tregon.

Mendohem…. te rri apo jo? Pa te nuk më rrihet.
Hyj në sallë dhe gjej nji vend me u ul.
Sytë nuk më ndalen.
Nuk njoh askend.
Shoh fytura nga Tv por personalisht nuk njihja kend.
Dhe…. Në kry të sallës shoh Ate. I baj me dorë, ngritem, prap me dorë.
Ajo shikon gjithë drejtimet.
La çantën time në karrikë dhe vendosi të heci mes delegatëve të sallës deri ke bashkvendasja ime.
Për me rujtë vendin, I them djalit të Madhit Adem Demaqit, Shqiptar Demaqit, po e la këtë çantë këtu veç sa të shkoj me u përshëndet me shoqen time Zylfije Gjoni.
Jo Zonjë , çanta nuk i lehet askuj amanet, por vene diçka aty në karrikë.
Kishte plotësisht të drejtë, dhe ashtu veprova.
Po mirë moj Zonjë vazhdon ai ,ne po kërkojmë personin e njajtë. Kam sjell disa libra për te.

Unë vej në karrikë nji “ diçka” dhe nisem me taku shoqen time që ishte në kry të sallës.
Ishte jo e lodhun. E raskapitun. Nji prishje e kerrit të bashkudhetares saj Zonjës Hoti që i kishte shkaktu shqetsim dhe stres.
Përshendetem dhe për mosshqetsim të saj kthehem në karrikën time.
Do të takoheshim mbas mbledhjes.

Për me vërtetu që rasti asht mbret i botës, kur vi ke karrika ime, shoh nji fytyrë të bukur që e njoh nga Facebook pikërisht nga postimet në Gegnishte që nji kohë isha shumë aktive.
Pa hiç hezitim ,e thëras me emën: Denata !
Ajo me shikon me habi por prap buzeqesh ambël.
I tregoj emnin. Më përqafon, e përqafoj.
Më duket se kam ndej me te. Më duket që e njoh këtë shkodrane që jeton në Tiranë.
Prap dyshoj në trunin tim !
Zot…. si asht e mundun. Në këtë sallë që gati janë 400 vet unë ulem pran nji vajze aq elegante që nuk e njof por më duket që e njof shumë gjatë.
Bisedojmë , ambël gjithë dashni. Ndajmë mendimet për kombin.
Dyshimet, zhgënjimet por edhe shpresat. Njoftoj edhe shoqen e saj Brunën.
Më thotë, mos hezito të më drejtohesh për çdo gja që ke nevojë në lidhje me botim të ri në Shkodër ose promovim libri!
Mbramja vazhdon me njohje të reja, përshendetje. Zgjaten durtë gjithë kohēn.
Takoj nji tjetër zemër shqiptare , artisten nga Plava Zonjën Kaltrina Hoti.
Çdo gja mbaron me lutje, shpresa ndoshta realizime ndoshta iluzione?
Ndoshta…?
Unë të shtunden ,vetëm ,po heci rrugës Tiranës në drejtim të historisë tonë .
Gati mesnatë.
Mes shymtirave, kaosit dhe bukurive të Tiranës që asgja nuk ishte në harmoni zemra ime I thoshte trunit ,sonte ti moj ulqinake takove Shkodrën,Shkupin, Çamërinë Prishtinën,Preshevën,Prizrenin,Plavën,Tiranën, dhe çdo cep të tokave copë copë të ndame deri ke ajo diaspora që nuk ka cep që nuk ka biles nji shqiptar në botë !
Bashkim Kombëtar?
Ndoshta fëmijët e mi.

Unë jam e lumtun me këtë ngrohtësi që më mbushi zemrën dhe përjetova në Tiranën plot kaos, dis-harmoni ,zhgënjim, shpresë, lutje dhe çdo gja që edhe mallkon edhe bekon kombin tim.
Tiranë ,kam me ardhë përsëri sepse neve na pëlqen kaosi!
Të du , të du të du sepse je andrra ime!
Ti je zemreku sahatit, pa ty nuk lëvrit asnji kohë historike.

Scroll to Top