Refugjati


-Eja, eja bija ime. Vetëm edhe pak, vetëm edhe pak edhe….
-Edhe ku?
-Ku nanush, ku?

  • Qe qe vetëm edhe pak ! Mos u ndalë!
    Retë veç nisën me u duk mbi qiellin e vendit që as emrin nuk ia dijsha. Dielli ngadalë largohej dhe dikur u zhduk mbas një kodre që as nuk e njihja.
    Një herë nisën pikat por sa vinte ato pika shëndroheshin në shigjeta.
    Ishte rrafsh dhe nuk e di pse këmbët ngadalë po sharronin thellë. Ashtu më dukej. Arrita në një udhëkryq.
    Të nisem majtas?
    Jo jo ana e majtë sjellë fatkeqësi !
    Të nisem djathtas pra?
    Më dukej një rrugë e pafund.
    Kah të drejtohem?
    Të kthehem mbrapa ?
    Jo jo kurrsesi!
    Ku është ajo mbrapa?
    Vazhdova drejtë pa e ditur se ku.
    Hecni o këmbë hecni he mortaja ju raftë se sot nuk guxoni me u ndalë. Kam tri gojë me ushqy dhe një në gji!
    Për çudi këmbët u forcuan .
    Tashma një shi katil që po na përzente nga tokat “e se di kujt “se nuk e kisha idenë se ku jam, nisi me na shpallë luftë.
    Shiu uluronte dhe pa u ndalë e mbushte secilën gropë të rrugës.
    Tri varzat e mija të lagura deri në palcë dhe foshjën që e mbaja në dorë sikur ishin heshtur për gjithmonë.
    Për çudi edhe pse të untuar, të lodhur, të lagur deri në palcë, asnjë nuk qante.
    Për veç zemrës time askush nuk qante.
  • Eja , eja bija ime.
    Ishte vajza e madhe që ia mbante dorën dy motrave.
    Kolona nuk ishte aq e gjatë sa më dukej mua.
    Sa vinte e zvoglohej.
    Sikur shiu i kishte përmbytë në tokë të gjithë që po kërkonin shpëtim.
    Qielli na kishte shpallë luftë, shiu po na vriste, dhe dheu rrugës po sharronte.
    Por se di pse një dëshirë mbijetese më kishte kapluar shumë.
    Papritmas më lëshoi trupi. U rrëxova në tokën dhe baltën qull nga shiu.
    Vajza e madhe që tashma i kishte mbushur 12 vjeç lëshoi dorën e motrave dhe u ulë pranë meje.
  • U vrave nanushi im? Të ndihmoj?
  • Jo bija ime jo, e ku vrahet njeriu në baltë. Është shumë butë .
    Foshnja i çeli sytë por duartë e mija ishin ende të forta dhe nuk e lëshonin.
    Zot ma shpëto djalin. Zot ma shpëto djalin më përsëritej në kokë kjo lutje gjithë kohën.
    Por zemra më thoshte, Zot shpëto edhe voglushet e mija dhe të gjithë.
    U ngrita ngadalë dhe vazhduam rrugën.
    Për ku as vet se di por nuk ndaleshim.
    E pashë një shtëpi të vogël, edhe një tjetër, edhe një tjetër.
    Mu ndrit fytyra .
    U nisa në drejtim të shtëpisë të bardhë.
    Ishte e lyer me gëlqere. I kishte parmakët e drurit dhe përplaseshin nga era e fortë pa u ndalë.
    Përplaseshin mbi dritaret e xhamit . Disa degë ulliri binin mbi çatinë e shtëpisë .
    Ah thashë, paska ullinj ky vend.
    Qenka toka e Zotrave të lashtë sepse ulliri është dru i Perëndive. Nuk e di pse u gëzova aq shumë.
    Me ktheu kujtimin e ullirit në oborrin e madh që e kishim lanë pas. Më doli përpara shtëpija ime ngjyrë portokalli të çeltë e redhuar me qindra lule dhe drunj ulliri. Më erdh në vesh tingulli i pianos ditën e fundit kur vajza ime e madhe po ushtronte me babën e vet deri sa unë në kuzhine po pregaditsha drekën për ditëlindjen e sajë.
    Më qeshi fytyra. Shpëtuam.
    Trokita në derë.
    Nuk e çeli askush. Trokita përsëri, por kësaj herë shumë rëndë. E mora një gurë nga oborri I shtëpisë dhe trokita.
    Një burrë pak në moshë, e hapi derën dhe me një gjuhë që nuk e kuptova ma përplasi at derë para hundës.
    -Eja eja bija ime, provojmë shtëpinë tjetër.
    Këmbët e voglusheve të mija ngadalë po dorzoheshin. Nuk kishin ngrënë dy ditë.
    Por ende ecnin.
    Trokita derë më derë. Nuk e hapte askush.
    Shiu nisi me u ndalë.
    Vazhdova të trokas derë më derë.
    Derën e turkut, derën e grekut, derën e hungarezit dhe me radhë.
    Dera ime ishte shembur, kisha mbet pa derë.
    Të gjithë ma përplasën para hundës, deri sa një ditë një ushtar me doli përpara dhe më tha “stop, ndal!”
    Nuk u ndala. Nuk kisha ku të ndalem sepse edhe aty ku ndalesha më dëbuan!
  • Ik nga ke ardhë, më thonin të gjithë.
    Vazhdova me ec deri sa ndëgjova plumin që fishkëlloi mbi veshin tim dhe drejt në zemrën e voglushes time që shtërngonte dorën e dy motrave të veta hiç pa i lëshuar edhe kur ra pa shpirt dhe u rrëzua si një gjeth vjeshte.
    Tingujt e pianos nuk ndaleshin deri sa unë mallkova Islamin me burimet e pashteruna të naftës ,Papën dhe Vatikanin me tavanin të plaruar me arë , Rusinë Amerikën dhe gjithë minaret dhe kumonat me rend.
    Mallkova edhe vendin ku linda.
    Mallkova, mallkova, mallkova por askush nuk më ndëgjoi për veç një virusi që kishte vdekur para milion vitesh.
    Lotët nuk më dilnin dhe as kivet nuk kisha me kap bijën time që u rrëzua për tokë pa frymë , me një buzëqeshje në buzë sikur kërkonte falje për lindjen e sajë si një gojë tepër për ta ushqyer. Ajo buzëqeshje e e sajë më mbetet vulë e zjarrit mbi supet e mija që nuk pata kivet ta shpëtoj.
    Nuk ishte hidhëruar me mua që gjithë kohën lutesha “ Zot ma shpëto djalin.”
    E dinte e shkreta që të gjithë lutemi për djalin më shumë se për varzat .
    Ishte rritë para koha e shkreta ime dhe e kuptonte.
    Një ditë para se të jepte shpirt më pyeti:
    _ Nanush përse veç burrat luftojnë dhe nisin luftat?

E vogla ime shkoi para syve të mi pa e qitë nanushi vet edhe një pikë lot.
Nuk më kishte mbet kivet.As edhe për një pikë lot nuk kisha kivet.
Vazhdova të trokas derë më derë. Tashma vajza e dytë shtërngonte dorën e motrës deri sa unë me foshnjën time trokasim për pak lëmoshë .Jo strehim, asesi sepse të gjithë na thojnë shkoni nga keni ardhë.
Por veç pak bukë.

Unë isha një virus i vdekur. Para qindra viteve kisha ra në harresë . Unë dhe shumë viruse tjera, kishim renê në harresë .
Një ditë më erdh në hundë një erë e keqe. I vinte botës era “qenef.”
Kur pashë që bota e shëndrruar në “qenef” po lufton për letra qenefi, e luta Zotin për pak ymër. Të ngjallem thashë edhe një herë.

Më vrau në zemër aq shumë voglushja që ra para nanës vet pa u derdh edhe një pikë loti , nga nanushi vet ,nga bota. Vdiq pa emër, pa statistika pa vend pushimi në Parajsën.
Vdiq pa e pa kush , pa u lodhë kush, pa e shpallë kush si gjendje pandemike rrugëtimin për një copë bukë dhe një streh mbi kokë.
Sa për çudi .

Ika në kërkim mos po shoh një lot. Por jo.
Mos po shoh lule mbi varrin e voglushes.
Jo jo sepse nuk i dihej varri.
Sepse jetojmë në botë me standarde të dyfishta.

Bukur thashë.
Sot ballkonet italiane po solidarizohen dhe e gjithë bota po mahnitet nga ky spirit, nga kjo rezistencë 6 ditore me shtëpi plot ujë, rrymë, ushqim dhe internet.
Po ia qajnë hallin vehtes.
Edhe unë si virus u fascinova nga I gjithë ky spirit, kjo rezistencë , kjo atmosferë.
Bile edhe lot më shkuan.
Sa shumë bashkohen njerëzit në fatkeqësi globale.
Nuk durova. Luta Zotin veç për pak ymër.
Bile thashë për disa muaj ta zgjoj botën sepse era keqe nuk më lente të pushoj as i vdekur.
Bota harron shpejtë, por ne si virus që nuk na sheh me sy fare e kemi për detyrë të përkujtojmë herë pas here.
Lusim Zotin për ymrin e shkurtë, sepse ne nuk duam të jetojmë shumë por ai lartë vendos se deri kur na duron.
Ne vijmë si një zile, këmban, si Ezan si një përkujtim që përkujtojmë botën sa herë që harron dashurinë.
Mua virusin e vogël që as syri nuk e kap edhe botën që po i vjen era.
Por njerzimi harron shumë shpejtë.
Veç ai që digjet vet nuk harron.
Të gjithë tjerët harrojmë.


Scroll to Top