Jemi komb i përçam,
Si copat e bukës t’zezë të ndamë
Dromcat e botës tuj hangër
Nuse marrim nga vendlindja
Edhe për vajzën nga vendlindja dhandër!
Ashtu rritet dhe shtohet gyrbeti
Shpërndahet edhe ma shumë mileti
Me u kthy shumë pak kthehemi
Me mall plakemi
Me mall dehemi !
E ti kombi im po rritesh jashtë
Po zvoglon sofrën tande
Po le pragun e asaj nane,
Dyrtë e botës tuj çel
Pragun tand mos e mshel .
Se ti nuk e di ,ai vend sa asht i amël
Lundron n’bardhësi si tamël,
Asht i bardhë
Por kur nisë e plakesh
Priton me ardhë
E zemra ta lyp deri në frymën e fundit
At erën e tokës
At kryealanë t’katundit!
Ktu gjithë t’mirat me i pasë
Zemra nuk t’met pa t’plasë
Veç kur ndin shqip në tren
Ka t’sillesh çdo zonë e çdo vend .
A je shqiptare më veti njani
Po more djal i thashë ,jemi t’nji sahani
Po ku e dite ti që po më vet?
Dhe hyna në tren sa më dridhej zani!
E moj Zonjë ,ma ktheu me shpejtë
Paske harru në vesh ,ndegjuese me vu
Prandaj t’u ofrova veç me ndegju
At kangë që ti sa po e ndëgjon
Më ktheu n’Kosovë
Ku nana m’pushon !
Sa jam kthy ,nuk ka kohë shumë
Drynin ja kam vu derës ,atje n’katund!
E ku me u kthy ma moj Zonjë
Fmitë po na rriten
E ne plakemi
As atje ,as k’tu s’përshtatemi!
T’huj k’tu
E t’huj atje
Vendi jonë po na zvoglohet
Po t’hollohet tokë e dhe
E n’botë po rritemi me qindra e miliona
Tokat e huaja, na bahen tona!
E bafsh ditë t’mirë moj Zonjë
Çoja edhe pak zanin asaj muzikë
Se jam tuj u ngut
E jam tuj ik
Por bile ta ndegjoj se fort u permallova
Për varrin e nanës që s’ka shumë që u largova!
Ehhhhh e di, e di po…
Ani more bir punë të mbarë
At që nuk harrojmë ,asht kanga që kemi marrë!
N’Metro e n’Londër e ku të shkojmë
Bile këtë kangë le ta ndëgjojmë
Zemër e sy me lot m’i mbush
Por si ti e si unë ,ka sa të dush!
Nuk je i vetmi
Jemi me miliona
N’tokën e turkut deri në Arizona!
Po po ,
A m’bani veshi more ,a fole shqip
Këtë gjuhë t’kullume si voji n’qyp,
Kah t’sillesh ,krytin ka me e sjell dikush
Në tokë që rranjtë kemi nisë me i mbjellë,
Plot nuse e dhandur nanat tuj përcjell !
A je shqiptare?
Po po shqiptare jam!
Me mish e shpirt!
Nga je?
Jam nga Shqiptarija more bir!
E ti nga je?
Edhe unë nga atje vi !
Nga toka që lind për botën fëmi !
