As falje nuk t’kërkova



Babat i dojnë varzat e veta shumë.

Baba im tregonte një tregim sa e sa herë dhe çdo herë që kujtoj babën tim më bie ndër mend edhe ai tregim.
-Kishte pasë qenë një baba dhe kishte pasë një vajzë.
I vie koha asaj të martohet por nuk i mbushej syri babës vet, dhe i dukej që askush nuk është i mirë sa duhet për bijen e vet.

Vendos një ditë ,e merr vajzën e vet , e shtjen në një thes dhe troket derë më derë gjithë qytetin , dhe aty ku është ma s’miri edhe do t’a la bijen time,mendoi ai.

Shetit gjithë qytetin por më kot. Secilës shtëpi ia gjinte nga një “behane”, nga një të metë.
Merr vajzën e vet përsêri në shtëpi ,sepse vajza e ti ishte aq e përsosur ,sa nuk gjeti asnjë vend të përshtatshëm pët te, mendoi i ati.

-Ishte marsi i fundit . Jo për mua.
Ishte Viti 88.

Sarajeva para luftës kishte sharmin e rrallë. Qytet ku çdo fe dhe çdo komb mund të ndihej si në shtëpi , por edhe ndihej sikur je në shumë qytete në të njajtën kohë . Gërshetim i shumë kulturave , religjioneve , qytetrimeve të ndryshme evropiane.
Më dukej që gjithë qyteti dhe gjithë bota ishin të mijat.
Ashtu më dukej sa herë që prindërit e mi më vizitonin. Mëngjezet ishin aq të bukura kur aroma e kafes më zgjonte nga gjumi .
Për Drenin dhe Artin të dy prindërit e mi ishin dhurata më e bukur kur ata na vizitonin.
Dy fytyra të dashura, të qeshura, të qeta që as mizën nuk e trazonin. Dy qenie që na ngrohnin zemrën.
Dy bumalla.
Si dielli që hyn me rrezet e veta, ashtu më dukej kur vinin nana dhe baba im në Sarajevë.
Dimrin e ftohtë të Sarajevës e shëndrronin në diell dhe rreze.
Më qeshte zemra, syri , shpirti.
Por dita dhe koha është shumë e poshtër dhe e pa mëshirë.
Ditët që prisja qê ata të vijnë nuk kalonin dot, por kur vinin…. eh sa shpejtë kalonin.
Nuk kishte dëshirë apo fuqi t’i ndalë.
Dhe ashtu e kalon jabanxhiu.
Gëzim i takimit, hidherim i ndarjes dhe përsëri shpresë që ditët kalojnë shpejtë deri në takimin tjetër.
Aroma kafes, akshyreve nanes, bureku dhe kiflet e mëngjezit gazi i ngrohtë i tyre , nazeve për nipat ,( çamarrokat e gjyshit i thoshte ai ),loja me letra në mbramje me ngapak hile anash dhe gjithë bukurija e jetës që të duket është vetëm e ytja.
Zani i Ezanit para dritareve nga xhamija karshi shtëpisë.
Trokitjet e musafirëve të dashur në derë që vinin të takoheshin.
Gjallerija e rrugës Vase Miskina, ( Ferhadija) kengët e Merita Halilit, Eli Farës dhe Parashqevi Simaku . Ushtonin këngët shqipe në mes të qytetit të Sarajevës.
Mburreshim me kombin dhe këngët tona !

-Por ah që janë ndarjet, ndarjet që të zgjojnë nga ato çaste magjike të jetës.
Marsi i fundit. Si çdo ndarje me lot malli, por me shpresë që shpejtë takohemi .Sa shumë i urrejë ato ndarje . Ikën të dy at ditë marsi .

Nuk e di pse kësaj here ishte baba ai që nuk u ndante dhe me aq mallë më përqafonte. Nganjëherë edhe më dukeshin të bukura lotët e mallit. Por jo atë ditë.Ikën dhe prap ishte baba që sillte kokën pas dhe nuk ndalej.

-Ishte muaj i prillit kur mora lajmin që baba gjindet në spital por nuk është gjendja e randë.
Mu mbushên sytë lot dhe nuk me zinte vendi edhe pse gjendjen reale e kishin msheh prej meje.Vendi nuk më zinte.

U ula poshtë në duganjë, dhe kur më pa Samiu aq të mërzitur, menjiherë tha
bani teshat gati dhe nisemi.
Më kujtohet edhe drekën e morra me vehte sa e kisha kry dhe nuk na pritej .

N’jetën time kurr nuk jam ba gati më shpejtë.
U nisëm. Çdo herë këndoja rrugës për Ulqin, por jo edhe atë ditë prilli.
Mbrritëm në Tivar natën vonë.
E luta Samiun , veç të ndalemi t’a shoh babën në spital dhe vazhdojmë për Ulqin .
Jo ,më tha ,se nuk na lejojnë masi që është shumë vonë.
Me zemër komplet të thyer ,vazhduam për Ulqin .Si të kaloj dhe mos t’i flasë babës në spital.
Nejse , vazhduam rrugën.
Ishte Ramazan . Kur u ofruam xhamisë Bregut gratë me bezhbezë po shkonin të gjitha në një drejtim .Jo në xhami. Diku tjetër.Mu ngri trupi.
Drejtoheshin në oborrin e shtëpisë tonë.
A është e mundur , psherëtiva rëndë , që më paska vdek baba ?”
-Jo jo ma ktheu Samiu, Ramazan dhe gratë kthehen shpijave të veta.
Pesë minutat deri në oborrin e shtëpisë ishin shëndrruar në shekull .
Ishte kohë e mirë . Oborri ishte mbushur përplot.
Një rrugë Sarajevë -Ulqin ,i kishte kryer të gjitha thyerjet e asaj që nuk m’i deshti zemra .
Ndarjen nga jeta, ardhja kufomës dhe gjithë oborri i mbushur përplot me familje dhe dashamirë.
Dhe veç unë nuk mrrita,veç t’a shoh edhe një herë .Nuk mrrita t’i kërkoj falje babës tim që e lëndova shumë që shkova jabanxhi. Nuk priti ta pyes kush e hedh drandofilen sonte mbi tamabil kur arrita në Ulqin
Sa herë që më përcillte e kishte zakon e hidhte një lule mbi tamabil kur u ndajshim.Ishte mynyra më burrërore e tija,t’i mshifte lotët e ndarjes.
Nuk mrrita t’a pyes asgjë. Isha ngri komplet , e pa fjalë as lotët nuk dilnin.
Si të hyja në dhomë që nuk më hynte në kokë që mund t’a shihja ndryshe. Më shponin dhimbjet shumë thellë. Fytyrat e zbehta më pritnin në pragun e derês, por nuk më shkonin këmbët tutje. Të tradhëtojnë gjymtyrët atëherë kur edhe zemra.
Isha mësuar me pa fytyrën e bukur të ti të qeshur çdo herë por edhe pak të jetimit. Ishte rritë jetim dhe në varfëri .
Sa herê qê na tregonte më dukej që mbulonte një dhimbje .
Ia fali kohës kaluar të gjitha ai.
Nuk i harronte ditêt e fëmijërisë, por buzëqeshja ti kurrë nuk i mungonte. Zemërgjërë, fisnik, i dashur për familjen dhe shoqërinë ,por ma i dashur për mua. Ishte mjeshtër me msheh dhimbjen dhe lotët baba im. Jetimit dhe të varfërit i qajnë sytë, nuk ka nevojë të derdh lotin. Thojmë ne ulqinakët ” i qanë jetimllyku në sy .”
Më la pa lot, at natë prilli. Ishin mbledh lotët aq fort në zemër që mendoja se do pëlcas.
Lotët ishin tharë
Nuk kishin forcë me dalë!
Por jo,zemra nuk pëlcet. I lëshon lotët kur s’duhet. Më dalin lot kur shikoj film të dhimshëm, kur shoh vuajtje nepër botë ose edhe një këngë të bukur.
Por natën e 18 prillit 88 ishin bërë gurë.
Ishte Marsi i fundit që pashë fytyrën e ti me lot. Nuk donte me u nda. Kthente krytin vazhdimisht deri sa nana jo at ditë. Ajo hyni në tamabil me shpejtësi sikur i mshifte lotët e sajë.
Dhe sot kur më kujtohet tregimi i ti përshpërisë ngadalë.
Më falë babë që nuk të gjeta gjallë, se ky qe çmimi i gyrbetit që as ti as nana nuk e donit kurrë.Nuk kishit faj,por fatit nuk i ka ik askush që t’i ikja unë.

Sa here qê shkruaj për nanën më duket që baba më shikon dhe më thotë
– Po unë jam ai babë që e mban thesin me bijat e veta…unë jam ai baba që asnjë vend nuk I dukej I mirë për bijat e veta,dhe ka dëshirë që gjithë jetën t’i mbaj afër, kurse ti , ti ike dhe as gjallë nuk mrrine t’më gjesh”

Përse kurrë nuk i thashë, babë edhe ty të dua shumë si nanën ,ndoshta
pak ma ….por jo as falje nuk mrrina t’i kërkoj !
As lamtumirën e fundit !

Dhe pastaj më thojnë , lehtë e ke ti që shkruan , ç’fren mallin!

….. po po lehtë , lehtë e kam sepse buzëqeshja është mjeshtër i përsosur i gjurmave të zemrës.Buzeqeshja është gdhendesi më i mirë i gjurmeve që mbesin në zemër,skulptor i gjurmeve të vrazhda.
Ishte Ramazan para sa viteve
Dhe sot është ditë e parë e Ramazanit




Scroll to Top