Snickers

“Sa më shumë që njoh njerëzimin, aq më shumë i dua kafshët” tha Alex Munthe dhe të gjithë ata që u vërtetuan vet !

Gjithmonë i kam dasht kafshët. Kujtimi im i  dhimbshëm  si fëmi ka qenë kur u pre Kurbani.
Zakonisht prindërit e mi e blejshin disa javë para ditës Bajramit. Unë si e vogël , shumë i dojsha dhe jam kujdes për ta deri ditën e fundit.
Po aq shumë e dojsha at dash të shkretin , dhe ditës Bajramit nuk i gëzohesha fare. I vinte fundi zemrushit tim që blegeronte aq embël çdo mëngjez dhe na zgjonte nga gjumi. Sikur ia ndinte zemra, ditën e fundit nuk ndihej fare , strukej në qoshen e territ dhe e ndiente tehin e ftoftë të thikës që kasapi po kryente një detyrë nga Zoti!
Me ditë nuk e harrojsha, dhe me kujtohet që shumë Bajrame i kam prit me lot.
Fëmijët i gëzohen bajrameve. Unë veç ati Bajramit menjêherë mbas Ramazanit i gëzohesha. Ati tjetrit i tmerrohesha. Po as kam pas guxim me folë bile. Duhet të jetë ashtu edhe nuk ka tjeter.
Dhe vit mbas viti, Bajram mbas Bajrami , njëherë në vit më lëndohej zemra në heshtje për viktimën e pa fajshme.
Nê qytetin tim , kafshë në shtëpi shumë pak familje kanë mbajtë. Si e re më kujtohet kushëriri nanës Tofik Shurdha e ka pas një qen të bukur dhe të lezeçëm , më duket se emrin e ka pas Lira,(apo emrin mund të jem gabim). Maca ka pas nëpër oborre, dhe më kujtohet sa herë që fërgohej peshku mbushej oborri me to. Por në shtëpi kush nuk i ka shti. Kanë qenë musafirë të paftuar. Ish , çyp, ose mic atje , ishin të gjithë  ofendimet ndaj tyre .Ku flejshin gjatë dimrit, shumë pak kuj i interesonte.
Eh de ma,në një qytet që ke me folë për njerëz sa dush, ku ke kohë me u marrë me macat e qenjtë ? Ama edhe unë shumë ia teproj nganjëherë !
Dhe ashtu u edukova edhe unë. Me i dashtë kisha guxim se kush nuk mund t’ma ndalonte , ama t’i mbashë  shtëpi nuk ban hiç se hiç.
Djali i vogël Arti prej fëmijërisë i ka dasht shumë kafshët.
Në Sarajevë kemi pas bilbilin. Ma vonë peshqit.
Kur kemi ik prej luftës , peshqit i ka ushqy Xhina dhe gjithë luftën e kanë përjetu ato dy peshq.Menjiherë kishin pas vdek mbas luftës.

 

Më lutej djali im për një qen ta marrim kur erdhëm këtu në Londër. Zoti na ruajtë, me gjithë dashurinë që e kisha për kafshë, kurrë nuk ma mirrte mendja të sjell një qen në banesë.
E pamundur. Pikë.
Dhe një ditë shtatori bie zilja. Hyn Arti djali im ,me një musafir të vogël në shtëpizën e vet. U habita shumë, s’dua të rrej. Mbeta pak e shtangur. Por si e pashë një krijesë aq të bukur , të ëmbël , qesharake me sy të zez si rrushi, gjitha rregullat dolën nga dritarja.

Kjo qenie po lyp një kulm dhe nje cope bukë, mendova me vehten.E si të mos ia ofroj he ta merr dreqi. Më shikonte aq me ambëlsi dhe mallëngjim sikur më dukej që po më lutej .Aman he , ma jep një shansë se e sheh që jam krijesa më e mira e Perendisë. Se ç’ma hangri zemrën edhe sot e kësaj ditë nuk e kuptoj. Emrin ia lamë Snickers. Nuts but sweet.
Sillej ajo krijesë çdo ditë nëpër dhomë, e hante pak bukë dhe ofrohej me zorë afër meje. Afër Drenit afër Artit. Afër çdo musafiri që na vizitonte. I mblidhte çorapët e djelmve të mi tê gjuajtura çdo anë, dhe me mjeshtrinë më të përsosur i grimconte dhe i binte afër meje. Dita ditës kjo krijesë bëhej pjesë e shtëpisë tonë . Ai na donte ne edhe ma shumë, ai mundohej me shpirt të dominonte me dashurinë dhe ambëlsinë.
Pas nji Viti djali vogël udhëton, i madhi veçse gjindej ne Kosovë. Unë mbeta me Snickers, dhe ishte e para herë që e lash vetëm aq gjatë.Para se tê shkoj në punë ia hedha një biskotë të vetën që ai tepër e donte. Mbylla derën dhe dola me shpejtesi sepse ai po pregaditej te vie me mu. Mbas orarit të gjatë të punës u ktheva bile pak edhe e lodhur. Çela derën , dhe kush me priste ke dera ? Ishte Snickers. U gëzu pa masë. Nisi vrapimin Maraton nëpër banesë, bishti nuk i ndalej nga gëzimi dhe për një moment u zhduk. E kish msheh biskotën që ia gjujta para se dola, e murr me dhëmbet e veta dhe ma sjelli ke dera. U habita fare. Të njëjtën biskotë ma përpara e hante menjiherë. Kurse at ditë që mbet fare vetëm e kishte ruajt. Si ma japi ma morri dhe nisi t’a hajë.
Po ç’më thua o qen? A u mërzite që të lam vetëm, a u frigove që edhe unë të lashë apo ….. Ti po folë po njerëzit nuk t’kuptojnë. Dhe prej asaj ditë çdo natë ai e pêrsëriste të njajtin gjest. Ai e përsërit edhe sot dhe mua më hapet zemra. Aman sa qesharake dhe e bukur !
Leh pa u ndalë kur bie zilja, bishti majtas djathtas 100 herë në sekond, vrapimi Maraton dhe ma bjen biskotën e mban në gojë derisa  unë i hek këpucët. E merr me vehte ,pret derisa unë ulem dhe më kërcen në prehër. Më shikon me ata sytë e ti sikur më vet se si i kam hallet ? Nëse jam pak me e mërzitur ,edhe ai e lëshon një fshamë, dhe ma shtie gazin aq shumë që i harroj të gjitha, bile edhe lodhjen.
E çuditshme dhe e pa spjegushme është ajo afërsi e njeriut me kafshët. Si të duket qê ai t’i di gjitha hallet. I don njerëzit edhe kur e largojnë nga vehtja, mundohet me gjithë energjinë që ka t’i bind se ai veç është një krijesë më e sinqertë se njeriu dhe nuk kërkon shumë në kthim. Energji shumë e çuditshme. Sa herë e krahasoj me një foshnje, që i njeh prindërit e vet, i don , idhnohet , qanë , qesh por nuk din të folë.
Ashtu edhe Snickers. I tregon ndjenjat , bile edhe i dallohen ne fytyren e ti qesharake por nuk di me folë.
Leh i shkreti leh sa mundet po ne si krijesa superiore të Universit, nuk i kuptojmë.Ndoshta Zoti na sprovon?

Ama sa shumë  din të  lazdrohet. Është karakteristik me kokfortesinë e ti qesharake.Ushqimin,ushqimine e ka special.E pret dhe vetem i ka specialitetet e veta.Nëse nuk e ka në enën e vet ate çka i pelqen din të idhnohet dhe nuk hanë me orë  të tëra.Sillet ,i vie vërdallë ushqimit,nuk e han dhe ikën i hithëruar.Vie prap ,më shikon dhe me një fshame të thellë nga zemra phuuuuu ikën dhe bie randë në dysheme ose kërcen në sofën e preferuar.I mbulon sytë me dy duart e tia sikur të mshihet dhe veç shikon dhimshëm me ato syte e zezë si të ullirit.Ah që edhe ky i ka hallet e veta pra ,por  si t’a dijme ne ?
Sa mundemi me dashtë krijesat e tilla që nuk janë si ne?
Natyrën e tyre që edhe ata e kanë si njerëzit. Ka edhe asi të rrezikshëm. Si njeriu. Të han në besë. Por janë të rrallë.

E shohë çdo natë një lypsar i pa shtêpi rrugës kur kthehem nga puna. E mban një qenë pranë. Kushdo i ofrohet ati lypsarit qeni e mbron. E shikoj me çudi . I mjeri qen, në rrugë dhe ku me ditë sa i untuar është, e mbron të zotin e vet me aq besnikëri. Të habit fare ajo besnikëri e këti qeni që jeton në rrugë më të zotin e vet.
Dhe sa e sa tregime tjera  janë në botë për qenin besnik.
E kemi pa besnikërinë e Hachiko nga një ngjarje e vërtetë.Jam e bindur qe shumica e dijnë at ngjarje të një qeni që e priste të zotin e vet me vite në stacionin e trenit. Vazhdoi ta priste me vite edhe  pas vdekës së  pronarit .
Një  tregim tjeter i vërtetë për   skye Terrier , Greyfriars Bobby,statu në Edinburgh të Scotlandës nga shekulli 19, i cili 14 vite me radhë ka ruajtur varrin e të zotit deri sa vet vdiq me Vitin 1872.
Plot tregime që t’ë habisin me intelegjencën dhe besnikërinë e tyre.
As njëri nuk shkruan më bukur dhe më bindshëm për kafshët se sa Alex Munthe (1857-1949).Doktor Suedez, veterinar, shkrimtar, psiholog, arqitekt nê veprën e ti fenomenale ” the story of San Michele .Të gjithë dashamirët e shtazve ju lutem lexoni librin .Do t’ju kujtohem çdo herê si mua që më kujtohet personi (Dita D ) që ma dha librin.
Në vilën e ti në Ishullin Capri të Italisë gjindet një paragraf.
“Të jeshë Doktor i mirë është e nevojshme me dasht qenin,por është edhe e nevojshme t’i kuptosh.Njësoj si me njeriun, por shumë më lehtë kupton qenin.Kurr mos harroni se mentaliteti i një qeni është komplet i ndryshëm prej një tjetri.
Thotë që ka edhe qenj budallë por shumë rrallë. Qeni nuk gënjen , vazhdon Munthe në veprën e vet,sepse nuk di të flasë, nuk trathëton. Është i sinqertë dhe i drejtëpërdrejtë nga natyra .Është i shenjtë.
Qeni me knaqësi pranon superioritetin e të Zotit dhe urdhërat e tija por nuk e konsideron vehten si rob ( skllav ).
Vullnetarisht i bënë sjelljet e veta por edhe dëshiron disa të drejta të vogla t’ia respektojmë.
Ai e shikon të Zotin e vet si mbret, gati si Zotin. Pret nga i Zoti të jetë i ashpër nëse duhet , por edhe i drejtë……. Dhe vazhdon por në fund thotë:
Bisha e egër dhe e pamëshirë nuk gjindet në kafaz apo mbas telave .Gjindet karshi jush “!!

Dhe tregimi për Snickers dhe mijra qenj vazhdon të jetë i lezeçëm.
Por janë edhe ato tregimet e dhimbshme për qenjt endacak të rrugës dhe pa strehë.
Ku zgjidhja e vetme është plumbi ose gjylpera , ajo që ishte dashtë t’i ipet dikuj që vërtet e meriton.

Lere ,lere se Snickers po flenë dhe shumë mirë që kupton por nuk din të lexoj . Ndoshta i mungon nana , baba , vllau dhe motra. Ndoshta i mungon vendlindja Tibeti sepse nga atje ai vie, por kurrë nuk na mërzit me hallet e veta.Edhe kur zemra i fshanë rëndë ose qanë në gjumë, ai kurrë nuk na mërzitë me hallet e tia.Snickers na don pa mase,pa kufi. Përkundrazi mundohet me shpirt t’na shtie gazin !Dhe e bene pa pritese çdo moment ,çdo ditë !

Pa kusht, pa interes , pa egoizëm ,pa paragjykim !

 

Scroll to Top