Bajramin tjetër eja

 

Gru, m’a lexon nj’at letër prap,
Veç edhe njiherë

Pash nj’at Zot!
Po ja, pash sytë, he burri botës,
Ta lexoj veç mas e qaj me lot.
Si moj gru, ashtu m’thu
Katun’i shkretë
E ne vet kemi m’et
Ala rinija t’uj ik
E votrat t’uj u fik!
Ose ikin n’shehër
Ose në Perëndimin e egër
E ti, n’daç mos m’e e lexu
E lexoj unë vet!
I dashtun babë e nanë
Për mu mos u mërzit
Mirë tanë jemi, kasavet mos t’keni!
Me u lodhë sa dush lodhemi
Por m’a shumë pëmallohemi!
E a din kur mor babë zemra trazohet
Natën e Bajramit, malli peshë çohet!
Ah mor bir, mor bir
Me u kthy asht ma mirë
Sa t’jemi na gjallë
Mos t’vdesim me mall
Por për ne, Ju mos gaboni me u kthy
Jeta jonë gati u kry
Bani si t’a keni ju ma mirë
Të don baba shumë mor bir!
Kur t’më vish ke vorri nji ditë
Mos t’vij keq e mos u çudit
Se zemra s’asht e gurit
As prej pëlhurës flamurit,
Qe, edhe kjo e urumja po t’ban selam
M’a gzofsh mor bir t’madhnushmin Bajram!
Bajramin tjetër Aman mun’oju me ardhë
T’a puth baba synin edhe at’ ballin e bardhë!
Askush nuk t’shenohet si na dy
T’i puth baba të dy nj’ata sy!

Scroll to Top