Diasporë

Diasporë

Diasporë

E pse po pret vizat aq shumë ore i gjorë ?
Me bajtë plaçkat edhe ti me u ba diasporë?

E pse pra e përqeshë more mik diasporën ti ?
Mua që linda para teje aty,
Që shkela gurë e tokë,
Që rrugicat i lava me lot,
Që kurrë nuk i trathëtoj
Që asnjëherë nuk i harroj ?!

E ku e merr ti at të drejtë?
Të flasësh për ne,
Që kthehemi si gurë e dhe,
Ti ,ti
E ngrit at gisht dhe më fajson
Që asgja mirë atje nuk shkon
Më shanë që vi atje
A thua se probleme tjera nuk ke,
Baltë mbi ne ti gjuan,
Mendon që trojet e mija ty më shumë të çmuan ?
Mendje të madhe nuk shesim kur vijmë,
Por lirinë e shpirtit veç aty e ndijmë !

Jo ore i nderuar,
Ule at gisht e mos pyshtyjë përpjetë,
Ne jemi vendas që udhëtojmë për jetë,
Kur t’na do qefi,vijmë e shkojmë,
Të dehur nuk jemi por gotat i çojmë,
Mallkojmë fatin por tokën tonë kurrë,
Gjithmonë me te kemi me u mburrë ,
Më shumë se ti që aty jeton
Ule at gisht se shumë më rëndon !
Jam para teje o kokë shqiptarit,
I kam varrezet e styrgjyshave dhe të parit !

Nëse mendon që je më i mirë se unë
Gabon gjithë ditën, gabon shumë,
As ti nuk më ke faj që unë jam këtu
Por as unë ty që nuk mundesh me udhëtu !

Asnjë të keqe nuk ju sjellim
Për veç dashuri që thellë aty mbjellim,
Mos na shikoni me sy të tjerë
Jemi aty me zemër për herë!

Ne nuk jemi lule e shkretirës
Nuk jemi shkaktar të errësirës
Të huaj nuk jemi hiç ma shumë se ju
Gishtin ule dhe mos ma drejto mu!

Nuk jam i huaj jam sikur ti ,
Kur t’më don qefi shkoj e vi !
Njësoj si e ytja është edhe toka ime,
Më kot e ke që i bën ato dallime !
Të drejtën ku e merr që na dallon,
Është tokë e ytja por edhe tokë e jonë!

Një hall e kemi unë edhe ti ,
Unë dua të kthehem në timen shtëpi,
Kurse ti me ik mezi pret
Diku në fund të botës me ik dhe me tret !

Por fajet nuk ti ka ore mik diaspora ,
Por vota yte që votove ata horra !

Mos çfre mllef e vner mbi mërgimtarin ,
Por nisja pastro prej t’fundit deri t’parin !
Leri sharjet leri ofendimet ,
Pastroje llomin nisja ndryshimet!

E di o mik që edhe ti je diasporë?
Nuk t’vet kush gja, nuk ke gja në dorë!
I huaj je në vend të vetin,
I ke mbyllë sytë ta kanë shtru gazepin!
Po luajnë me ty tash njëzet vjet,
Po lozin po tallen me ty si dojnë vet!
Dhe nëse mendon që në at vend ke të drejtë më shumë se unë,
Ta dish o mik që je thellë në gjumë!

E sheh pra o I nderuar ç’farë dallim unë e ti kemi?
Ti je aty më i huaj se unë
Ta marrin votën për një punë
Gja nuk të vesin e gja nuk din
Njësoj si mua që jetoj në perendim !

Jo mos u mashtro ore i gjorë,
Sepse jo vetëm mua por …..
Edhe ty të shëndrruan në diasporë !

Diasporë je edhe ti aty që jeton ,
I yti po të vjedh i yti po të mashtron !
Vendin tënd po ta bënë të huaj,
Aq sa ti edhe unë për at vend vuaj !

Jo jo ore mik , ule gishtin mos e drejto në perendim
Dhe mos e lejo fajtorin të mbetet jetim!

Kokë shqiptari, mos u merr me diasporën
Merru me ata që bukën ta morrën!
Mos u merr me ata që dorën ta kanë zgjatë,
Merru me ata që fëmiun ta lanë barkthatë !
Nisja merru me vepra tjera
Që kanë rëndësi dhe më shumë vlera !
Hec, hec o mik e hiqu keti masllahati
Mërgimtari nuk të ka faj i ngrati !
Kafshatën e bukës ka nda
Kur ti nuk kishe asgja!

E di ti sa kemi derdh lot për ju?
Jo jo, sigurisht që ke harru !

Zgjohu zgjohu nga gjumi se kemi një hall,
Unë të kthehem në tokën time, e ti mos lejo nga aty kurrë me dalë!

Vildana Dibra Zhubi

Scroll to Top