E dashur planet, e dashtun toka ime.
Edhe pse sistemi qiellor ka edhe tjera planeta ti për mua je unike je e vetme.
Je e shenjtë.
Unë nuk mund të jetoj askund tjetër për veç këtu në strofullën tënde.
Po të shkruaj disa fjalë sepse sot të gjithë po shohim sa fajtor jemi.
Ashtu bile po mendoj unë.
Sot të gjithë nga frika po të drejtohemi ty dhe Zotit.
Lutjet i ndëgjohen edhe mëkatarit….ndoshta edhe kur jemi vonë sepse të gjithë gabojmë .
Kam shpresa që edhe tash i ndëgjon sepse e gjithë bota sot është gjënjzuar para mëkateve të veta pa dallim feje, race, ngjyre dhe pasurije.
Nuk e di a kanë Zot edhe planetat tjera, por unë I besoj veç Zotit që mbron planetën time.
Shpesh herë ia kam zanë shkenctarëve për t’madhe që kërkojnë jetë në planetat tjera dhe gjithë ato harxhime kanë mujtë me t’i kushtu ty.
Nuk e kam kuptu kurrë pse? Pse nuk i derdhin gjithë ato miliona për ty por shkojnë e lypin vend diku tjetër .
E ç’farë më lypset mua një botë tjetër kur kjo është më e bukura.
Apo shkenctarët janë një hap para të gjithëve dhe po kërkojnë një shpëtim në një planet tjetër sepse e dijnë se ku po e dërgojmë këtë planet në dreq të mallkuar.
Unë kalova tërmetin e vitit 1969 dhe si fëmi u lëndova sepse atëherë edhe Ishte koha kur dolëm prej shtëpisë tonë të vjetër nga Gjeranat aty ku I kam kujtimet më të bukura të jetës.
Kalova tërmetin e Vitit 1978 dhe si e re u lëndova përsëri për gjithë damet që ia shkaktove Ulqinit.
Kalova nëpër shqetsimet e demonstratave 1981 ku edhe aty Ishte fillimi i gjithë shqetsimeve.
Viti 1992 dhe përsëri lashë shtëpinë në Sarajevë dhe me gjithë familjen nisëm një rrugëtim të vështirë.
Kam ndëgjuar për luftrat në botë, për kolerat, për tcunamit, vërshimet, për aktet teroriste, për shumë tërmete dhe tërbime , shkatrrime të frikshme në botë.
Kam ndëgjuar për popullin Hebrew të perndjekur nga shtëpitë e veta në kampet e ferrit.
Kam ndëgjuar shumë për tmerret e burgjeve shqipëtare të Xhaxhit, për kasapin e Balkanit Millosheviqin,për Sirinë, për Irakun, për Palestinën.
Për Afrikën me tmerret e varfërisë kur bota kurrë nuk ka qenë më e pasur se sot, ndëgjova edhe për ata të mjer.
Kam ndëgjuar për refugjatin që kërkon strehim dhe e pret plumi në ballë.
Ama kurrë nuk kam ndëgjuar që e gjithë bota të jet e përfshirë në një frikë kaq të madhe.
Për çudi unë nuk po frikohem.
Ose nuk kuptoj asgjë nga mjeksija dhe medicina, ose po ia bej vejdit rrafsh fare.
Në syrin tim po shoh një hakmarrje nga vet sistemi yt imun që po i lufton të gjitha dhimbjet dhe padrejtësitë që po t’i bëjmë ty o planeti ynë.
Aq shumë të kemi lodhë, aq shumë të kemi mërzitë dhe lënduar sa që kjo është e vetmja armë që duhesh të luftosh.
Kërkonim maskat dhe dorzat. Ishim të gjithë njerëz me maska para se na i çove maskat e vërteta.
Na i çove!
Kërkonim izolim nga njëri tjetri. Vrapo mbas të hollave dhe harruam njëri tjetrin.
Na e çove edhe izolimin.
U larguam nga njëri tjetri nga vrapimet pa kokë.
Harruam pleqt dhe të moshuarit.
Qe ,po i merr në vetmi të shkretët dhe me një frikë po ndahen nga kjo botë sepse edhe ata janë fajtor për çdo gjë që lejuan.
Më ka marrë malli moj tokë kur me një çaj, disa gurabija, disa palagaça me lugën cingërr cingërr na zente mesnata. Era gështenjave të pjekura mbi furrën me dru, oh sa më ka marrë malli.
Edhe një kaçamak apo bukë pogaçe ose kallamboqe ah sa na vinte ambël në ata çaste të vona.
Më ka marrë malli kur gëzoheshim për një fustan të ri, për një lojë fëmiu për një bashkim me familje dhe miq.
Më ka marrë malli me u mahnit për një lule, për një dru, për një zog, për një peshk më shumë se sa për një shtëpi shumkatëshe, një limuzinë apo një jahtë të fituar me haram.
I doli lezeti të gjithave.
Më ka marrë malli kur çonim kokën dhe shikonim një aeroplan që po kalon mbi qiellin e kaltërt por edhe kur kalonte nuk shëndrrohej në grey sepse atëherë nuk abuzoheshin udhëtimet dhe qielli.
Ishin të rralla të bukura dhe takimet plot mallë.
Më ka marrë malli për me na marrë malli.
Vrcccc e vrcccc fluturumet që veç shkatrruan qiellin tokën ajrin dhe ajrin por edhe shkatrruam edhe at mallin e vërtetë.
Si zhdryp aeroplani , le koferat, përshëndetesh me të gjithë dhe hopa i hyp Facebook-UT dhe Tweeter-it.
Më ka marrë malli me marrë frymë sepse nga ajri i ndotur edhe po vdesim.
Më ka marrë malli me ngrënë gjella të nxehta përvlim sepse nga halli me I qitë në Facebook, kush di me ia ndi lezetin.
Më ka marrë malli me jetu veç për vehte e jo për botën.
Më ka marrë malli kur dikush na dhuronte një laps apo një fletore.
E cila dhuratë na gëzon ,na fascinon ma ?
Sa letra gjuhen, digjen, shkyhen.
E gjithë letra përdoret veç për një germë dhe gjuhet.
Gjuhen fletoret hiç pa u përdorë.
Sa druri prehet.
Sa amballazha , kesa najloni po i përbijnë peshqit,lumenjtë dhe oqeanet tona .
Sa peshkun po e ngulfasin.
Sa milion pika uji derdhim pa nevojë aq lot kemi me derdh me të kthy ty në një gjendje normale moj tokë.
Sa rrymë kemi harxhuar sa dritat e ndezura pa pikë nevoje ,aq rreze dritë kemi me pasë me ta kthy ndriçimin natyral që e meriton.
Sa salltanetin e pa nevojë aq vuajtjet kanë me u nevojitë që të gëzohemi dhe të jemi mirënjohës ndaj secilës vlerë.
Oh sa më ka marrë malli për vlerat moj tokë.
Për një sinqeritet dhe fjalë të bukur edhe kur jemi në kulm të mirave e jo kur kemi frikë.
Dikur kemi vrapuar më pak por kemi ndërtuar me shumë.
Kemi ndërtuar ura, lidhje, miqësi
Sot të gjithë vrapojmë dhe veç shkatrrojmë.
Urat po i rrëzojnë një nga një
Nuk ka vend që nuk e kemi abuzuar.
Qiellin, tokën, detin dhe gjithë ujrat.
Nuk ka të mirë që nuk e kemi shkatrruar.
Nuk ka kafshë që nuk e kemi lënduar.
E sot më ka marrë malli me pi një kafe në Ulqin në Sarajevë në Chelsea Harbour me Fetin, Venerën,Shkendijen, Mikin ,Jehonen, Norën Teutën ,Iliren,Valen ,Azeminën ,Lulen ,Ferihan , Zhakin, Meritën…..me të gjithë.
Të hollat i kam për një kafe, kafene Londra sa të duash por ku ta marrim at kohë që nuk mendonim aspak që ti ma ngjet mua e unë ta ngjes ty këtë dreq virusi.
Sepse faji gjithmonë mbetet kopil!
Të lutem na e kthe at kohë sa më parë !
Të lutem në emër të rinisë sepse ata nuk kanë faj.
Ne të moshuarit jemi ata që lejuam të veprojmë si një kompjuter pa ndjenja dhe pa sens. Na pëlqeu komoditeti dhe vazhduam me ignoru çdo të keqe.
Të lutem na i kthe vlerat e na largo këtë dreqin e vogël që as me sy nuk po e shoh
Ia dalim se bashku ti planeta ime edhe ne.
E kemi merituar një pickim në vesh por të lutem dua të dalë me pi një kafe….sepse më ka marrë malli për një ditë me vlera pa stres pa lajme dhe media trishtuese.
Më ka marrë malli për pranverë.
Zot na fal edhe shumë pranvera .