E donte Prishtinën

Prishtinalitë , pa marrë parasyshë a lindin a jo në Prishtinë , më kujtojnë në amerikan.
Njihere nisin jetojnë aty, dhe ndihen prishtinali.
E njajta ndodhë me amerikan.
Vijnë nga gjithë bota dhe shëndrohen në amerikan.
Kjo nuk ndodhë aq shumë me imigrant në vendet tjera….

Nji lexim për ju Prishtinali që pashë në debat “ kush e ka çel kafiqin e parë në Prishtinë. Aq sa kam unë dijeni, ka qenë Kafiqi S i Samiut në verë 1978. Por arkivat duhet të ken detale të sakta.

Lexim të kandshëm

E donte shumë Prishtinën

Ne shumica e diasporës e kemi një ëndërr dhe dëshirë të mshehur që dhemb sa herë që e kujtojmë.
Është dëshirë e jona që një ditë të kthehemi atje. Të kthehemi aty ku jeni edhe ju.
Dem baba dem jemi edhe ne. Nuk kemi qenë gjithmonë diasporë e përbuzur. Aty kemi le .

Samiu ishte njeri që kishte shetritë shumë. Jetoi në qytete shumë më të bukura se sa vet Prishtina . Por përse e donte aq shumë at vend as vet se di. Gjithmonë kam menduar që Ulqini është ai që kurrë nuk del nga zemra edhe kur ikën dhe e len .Por të vuaj dikush për Prishtinën, nuk më hynte në kokën time asesi!
Ditën e shtatorit vitit 2007 kur onkologu në Chelsea Westminster Hospital ia dha diagnozën e dënimit me vdekje pa shërim dhe pa të drejtën e apelimit për edhe disa vite jete , ai e la amanetin e parë !

“Nuk ju baj hallall ,na tha ,nëse nuk më vorrosni atje. “

Në Prishtinën e rinisë ti pra !

E si mos t’plotsohet dëshira e fundit ?
Sa herë nuk e kuptoj, se ç’farë kishte ai aq dashuri për at qytet. Prej fëmirisë jetoi në Sarajevë në një qytet shumë më të bukur se sa Prishtina ku jetonin edhe shumë familje tjera gjakovare.E donin të gjithë at qytet . Por Samiu e donte Prishtinën e tijë .

Jetoi disa vite në Paris ku kreu studjimet ,film dhe montazhë në Akademinë e filmit françez . Kthehet dhe jeton në Prishtinë dhe një kohë punon në TV e Kosovës.

Viteve të fundit të 70-ave , në verë 1978 ,çel edhe kafiqin e parë Caffe S.

Maj vitin 1980 i vjen fundi beqarisë së ti dhe aty në Prishtinën që unë nuk e doja fare nisë edhe i gjithë rrugëtimi i jetës tonë !

Vitin 1985 kthehemi përsëri në Sarajevë tash edhe me Asdrenin djalin tonë të parë . Besarti lindi në Sarajevë vitin 1985 dhe jetojmë aty deri vitin 92.
Ikim nga Sarajeva në prill të vitit 92 ku nisëm një jetë tê refugjatit në Londër. Baba i Samiut shumë vite më parë ,sa herë i kishte thanë me hajgare “ e more bir ty as banka e Londrës nuk të mjafton!” Sikur ia kishte ndi zemra që një ditë djali vet rrugëtimin e fundit do ta ketë në Londër. Kjo n’tvërtetë ishte një hajgare nga baba i ti me kritikë për mos mjeshtrinë e kursimit ,sepse ai e kishte vesin më të keq .Kishte njê dashuri por të njejtën kohë edhe nuk ia duronte dora të hollat aspak.I ikshin nga dora .Kishte një alergji të pa parë ndaj tyre.Dhe sa herë që mërzitej ai thoshte, eh baba ma paska thirë Londrën shumë vite më parë .Ia paska ndi zemra!
Për një shpirt boem siç ishte Samiu, çdo rrjedhë e notave të Puccinit kishte marrë tempon tjetër.

Këto nuk ishin vite të lehta aspak.Se sa e vuante ai këtë jetë dëshmojnë lotët e tija që nuk kishte fuqi me e mshehë as njëherë. E për burrin nuk është e lehtë kur të tjerët ia shohin lotin.
E donte shumë Prishtinën. Kosovën.
Se ‘ç’farë kanë ato toka aq të parahatuara as vet se kuptoj ? Apo mua nuk më pëlqente fare dikush të vuaj për një qytet me baltë dhe pluhur ! Mendja ime ishte që çdo qytet që lind, që jeton apo që ik nga ai duhet të këtë detin !
Balta që të ngjitet për mas , vrazhdësija e gjuhës , pluhuri , llomi që bie papritmas prej ballkonit para këmbëve deri sa je duke hecur, era e vezëve të ziera që vie nga Obiliqi, trafiku i çrregulluar totalisht , pritjet dhe sharjet pa rend nëpër shalltera,shëndetsija e nivelit më të ulët , shkollat me gjitha mjerimet e veta e ku t’a di ma se kush vie në këtë rend të shëmtirave? Të gjithë këto ama të gjithë… nuk po ia teproj aspak. Bile një lum të ishte diku t’i fundoste këto mjerime! Ama hiç askund nuk shihet ai lum ! Nuk shihet edhe një lot të qajë sepse nuk të dëgjon kush !
Zani qyqes dhe i tallava është shumë ma i fortë.Lotet nuk ke ku i derdh!
E ku t’i derdhësh ato lot ?

He dreqi ta merr, bile një lum ta kishte!
Ama….. ncuuuk! Prishtinës ia kanë shterr të gjithë lumenjtë dhe për mua është qytet i lumenjve të shterrun.

Por një forcë e pa spjeguar të kaplon në mesin e gjithë kytyre pluhura që çohen mbi malet e nemura.
Një dëshirë që pikërisht dëshiron të jetosh aty.
Në mesin e asaj tollovi . Në mesin e një harmonije të shpupurisur , të pa rregulltë, sa e sa herë të shëmtuar ku çdo gjë të pengon për veç asaj ku ndëgjon gjuhën e nanës kudo!

Merr erë aromën e bukës nga furrat e qytetit një anë, anën tjetër aroma dhe tymi kafes mbi tryezat e renditura dhe të mbushura plot. Përzihet çaji në disa tryeza tjera me gazin e fytyrave të lodhura që presin kamarierin t’ia sjell edhe një çaj tjetër.
Përzihen zëret e djaloshit të vogël që shet cigare në mes të sheshit Nënë Terezë , me zërin e plakut që vie afër me lutjen që t’ia blesh një kavanoz mjaltë që ti vet friksohesh për kvalitetin e pa verifikuar. Por prap se prap e blenë.
Fytyra e lodhur e plakut flet shumë.
Një grua sillet me beben në gji dhe shtrinë dorën për lëmoshë dhe nuk ndahet prej një tryeze në tjetrën.
Mes atyne të mjerë , që nuk ka se si mos të kujton Viktor Hugo me veprën
“Les Misérables “, janë edhe shumë qenj endacak ,që lypin pak mëshirën tonë.
Por kur i sheh të gjithë ata që lypin mëshirë, dhe sjell kokën dhe sheh gjithë at salltanet, për një çast habitesh.
Dhe dita i përngjan ditës aq shumë në qytetin e bjeshkëve të nemura por kurrë nuk ndalon gjallërinë . Dëshira për ta dashtë këtë qytet kurrë nuk pushon.
Verës i vie shpirti, mbushet me bijtë dhe bijat që presin me muaj ta ledhatojnë këtë tokë ku qyqja këndon më përmallshëm se në vet botën e qyqeve.
Fëmijët e diasporës i japin shpirtin këti qyteti. Mbushet përplot me gjallërinë e muzikës , ritmeve të ndryshme prej rok,jazz, tallava ,me çifteli e deri ke këngët e vjetra qytetare që rënqethet edhe vet kupa e qiellit.
E gjithë kjo diasporë vjen nga qytetet më të bukura por kur vijnë në Prishtinë dhe gjitha trojet shqiptare zemra iu bëhet mal !
Harrojnë se prap duhen të kthehen dhe për një kohë i fshihet fare nga truri ai qyteti tjetër ku prap duhen të kthehen.
Rrugëve tak tuk shihen edhe disa fytyra të lodhura por rinija aq shumë bie në sy sa që shpejtë harrohen ato të mjerë pleq dhe të duket që pleqërija në këtë qytet mbetet mshehur anash duke u lutur Zotit që të gjithë diaspora të mbetet aty e mos të kthehet kurrë , kurrë ma në vendet e huaja.
E gjithë kjo ngrohtësi, dashuri dhe mallë mbulon të shëmtuarat, pluhurin, erën e vezëve të ziera, tallavat që ta shurdhojnë krytin, kesat e llomit që hidhen prej ballkonit dhe bam të dalin para këmbëve, besa edhe kryti laknës nëse je i pa fat,trafiku më tytyty dhe sharjet e shëmtuara ….por që janë shqip.
Dhe të kujtohet ajo kënga , kënga e poçarit që i thotë ” më shaj , më shaj shqip, t’i mbushë sytë me lot dhe të shtjen me mendu , përse ai e deshti Prishtinën aq shumë.
Përse ne e duam të gjithë?
Përse vendin e fundit ai e zgjodhi të pushonte në Prishtinë ,ku kurrë s’pat rahati ky qytet ?
Po ne,përse e dojmë as vet se di ? !
A mbetet ky qytet arka e kujtimeve të pa shpalosura e musafirit që vie në shtëpinë e vet dhe nuk dëshiron të kthehet në tokën e huaj,por nuk ka çajre, kujtimi dashurisë së parë ….apo Prishtina e ka magjinë e vet të mshehur thellë në shpirtin e atyre që kurrë nuk e ç’rrënjosin nga zemra këtë qytet me baltë dhe erë të vezëve të ziera që të shpon hundën ?

Se ku qëndron ajo dashuri për këtë qytet as vet se kuptoj …! Apo e dijnë vet ata që e lanë amanetin e fundit !

Scroll to Top