Ëndërr të shoh,duart t’i ledhatoj

Deri vonë nuk ia dita emrin.

Nanë !
Nanë jam untë!

Nanë më vjen gjumi ! Nanë më dhemb koka ! Nanë më rreh zemra ! Nanë kam frikë!
E si t’ja di fëmiu vogël emrin nanës vet ! Të tjerët e thrasin me emër por jo fëmiu që mendon se nana është Zoti, e plotfuqishmja e tij dhe askujt tjetër !
Nanë, më dëgjon ? Je vetëm e imja, të tjerët le të thrasin si të duan! Të dua për vehten nanë !Ti je Zoti në tokë , që e lut çdo ditë Zotin në qiell për fëmiun tëndë !

File Shurdha Dibra, e lindur me 1923,një ndër varzat e para shqiptare në Mal të Zi që jep mësim dhe lexim shumë grave Ulqinake .Mësohej nëpër shtëpi atëherë ,sepse ende nuk lejohej që varzat të shkollohen.Shkollë shqipe as nuk kishte fare bile. Qirilicën e kishte në shkollë,por Filja,nana jeme e mëson me shumë vullnet shkrimin dhe leximin në gjuhë shqipe gjithashtu.I ruaj letrat e saja në shaminë dhe arkën e kujtimeve!
Sa herë tregonte që i kishte ardhë shumë  vështirë dhe nuk ndjehej mirë si vajza e vetme në mesin e malazezeve,por gjyshi im tepër kishte pas dëshirë që vajza e ti ma e vogla të shkollohet,dhe nana ime merr çertifikatën për 8 vite të kryera me 1935..Nuk ish lehtë fare atë kohë  për një shqiptare. Ishte guxim dhe vullnet shumë i madh.
E hek edhe ferexhen , është inicijatore që edhe shumë shqiptare tjera ngjyrën e zezë e zavendësojnë me ngjyra shumë ma të çelta dhe ma të bukura.Ishte aktiviste në kryesinë e frontit antifashist të grave. Dekorohet me  medalen e syrmit nga Presidenti ish Jugosllavisë Josip Broz Tito .
Ishte bija e Ibrahim Shurdhës dhe ishin 4 motra dhe tri varza të axhave ,Mejremja(Resulbegu),Sofije (Hasanaga)Fahrije (Milla), File (Dibra),Nurije (Milla),Fatime (Resulbegu)Vehibe (Murati).
Kapetanet e familjes Shurdha , bijat e Gjeranave. E kishin axhën Sahitin që unë e kujtoj më shumë si gjyshin tonë! Ishte i verbër i shkreti Sahit , dhe ishte krijesa më e mirë që kam dashtë në fëmirinë time.Binim në gjumë çdo natë me tregimet e tija mbi detarinë , anijet dhe udhëtimet e tija mbi detin e huaj në tokat e huaja. Tregimet mbi udhëtimet e saja në Shkodër në vizitë të axhës Ismail Shurdha ishin tregimet më fascinante në kujtimet e mija. Ishin ngjarje, ishin gëzim, ishin dashuri dhe sa herë kam ndjenjën që edhe unë isha rritë në  ata gurë të kalldërmës shkodrane dhe çdo anë me aromë trandofili.

Familja Shurdha i kishin anijet e veta dhe anija e kapetanit Selim Shurdha Gloria hynë në historinë e detarisë ulqinake ku fiton vendin e parë në garat mes shumë anijeve europiane. Kishin kushëririn Teufik Shurdha që e dinin si vëllaun e tyre.Tregimet e tija interesante shpresoj ti ket shkruar ai vet diku sepse vërtet ishin një thesar.
Sa me mall i kujtoj bisedat e tyne , at zotnillyk të rrallë që e kishin. Pa sa t’mira ishin .Secila dallohej me karakterin e vet por të përbashkët e kishin fisnikrinë .

Festa e 7 dhe 8 Marsit,m’i kujton lulet që kurrë nuk kam harru t’i sjell për nanën time. Ah gëzimi sajë , sa mirë i vinte.
Si çdo nanë edhe ajo na këshillonte gjithê kohën.E atëherë sa m’u dukshin të kota këshillat.Sa herë ia kam kërsit shuplakë ballit! Ajo fliste unë sytë kah qielli.

“M’shika në sy moj kur të flasë me ty ” më thoshte ,dhe sa herë m’kujtohet qeshi me vehten time.

Po një ditë tjetër, ah sa më vjen me qeshë nga ai kujtim .Kishim musafir për drekë atë ditë. Pasi shkuan musafirt dhe ishte bajagi lamsh prej enëve na thotë nana mua dhe motrës” hajde tash, çohuni merrni punët ku janë, e ku s’janê!” Unë si ma e vogla që gjithmonë i ikin punëve, pa një pa dy ia kthej : “ nanë Sija le ti merr punët aty  ku janë,unë i marrë aty ku s’janë!”
Ende më kujtohen ato lot gazi të bukura në sytë e nanushkës time!
Por dy këshilla që çdo herë më kanë përcjellë gjithë jetën ishin,e para ” mos pyetni pse-hin e askujt, ka shumë herë që arsyea nuk mund të tregohet ! Kurrë mos pyetni “pse “ nëse bashkfolësi nuk ta tregon arsyen !
Dhe e dyta thoshte:
“Zemrën nuk mund ta kontrolloni çdo herë, shpesh ju bie rasti mos t’ju pëlqej dikush apo diçka, por gojën mund t’a kontrolloni çdo herë, ne jemi i zoti fjalës që e qesim nga goja. Mos me randu me fjalë askend.

Nanë , mësuese, gru, motër , shoqe…
Mburrem me ty File Shurdha Dibra . Të kujtojmë me plot mall ty dhe tezet e mija që i kam dasht shumë.

Por jo veç ty nanush. Sot i kujtoj gjyshet, hallat, tezet, motrat, bijat, nuset, hankot,shoqet….të gjitha bujaret tona me zemër të gjanë si deti. I kujtoj me respektin dhe dashurinë. I kujtoj me dinjitetin , me mburrjen. I kujtoj për duartë e arta, për netët pa gjumë, për frigën nga burri, për barkun e untë që hjek kafshatën e gojës për fëmiun, për duartë akull me nxjerr ujin nga bunari, për dhimbjet e zemrës që nuk ia tregonte askujtë. Për shuplakën e pa merituar, për rrudhat para kohe,për vendin në fund të dhomës, për tepricat e ngrëna, për jetën e harruar për së gjalli! Për përgëdheljet mbi ballin të nxehtë përvlim dhe veshin e skuqur nga dhimbja .Për mullirin e kafes natën vonë që nuk i ndalej dora duke bluar kafen për muasifirët, për aromën e bukës dhe japrakut. Për lotin e heshtur që e thante murrani erës deri sa priste ke pragu i derës me u mbledhë të gjithë dhe me çelsin në dorë i çonte duartë lartë dhe i lutej Zotit çdo natë që lindi krijesat më të bukura në botë! Urime Filipi jem, sepse ashtu e thirsha sa herë që dojsha me i ba naze.Dhe jo veç nana ime, të gjitha nanat për fëmiun e vet janë ylli udhëtar  që ndriçon rrugën e fëmiut vet edhe kur në gjithsi shuhen gjithë yjet! Janë dorë e përvluar që duron çdo gacë për fëmiun e vet. Durojnë dhimbjet që as një shkencë dhe as mjeksija nuk i shëron!Për shumë, shumë të panumruara dhe gjitha këto merita , dashuri dhe sakrifica mendojmë që t’i shpërblejmë vetëm me një tubë lule dhe vetëm një ditë në vit! E duron ti edhe këtë padrejtësi e duron ,se emrin e ke  nanë , e ke më të bukurin emër !
Ishe mësusja ime e parë për mua dhe shumë gra ulqinake që sot asnjina nuk është më gjallë.

Mësuesin e tjetër e pata Muhamet Zejnelaga që e kujtoj me respektin më të madhe dhe dashuri  . Ishte njeri fisnik, Nobel ashtu e kujtoj unë.

E ju  fisniket që kishin lind veç si hije e kohës pa i pa rrezet e diellit kurrë në një qytet ku diell ka 300 ditë në vit ju kujtoj me mallë .

Ta kam borxh secilën shkronj që e qes në letër. Ta kam borxh t’i tregoj gjeneratave më të reja që ti ke qenë shqiptarja e parë që në shumë shtëpi ulqinake ke ndez pishtarin e diturisë.Vijnë të tjerat mbas që japin mësim edhe në shkollën e parë të Ulqinit. Ishe lulja e parë që çeli në borë me plot turp sepse ishte  kohë kur varzat ishin veç rob i shtëpisë. Sa herë më ke tregu që të vinte shumë marre me shku në shkollë të Tivarit ku ti ishe e vetmja shqiptare në mesin e shiqeve tua malazeze , por të vinte keq me ia prish dëshirën babës tënd. Si një luleborë që qet kokën mes dimrit së pari me vështërsi, por pastaj jep shkëlqim edhe vet borës ashtu edhe ti ishe Lulëborja ime e Gjeranave. Pusho e qetë nën qiellin e kaltërt ulqinak.

Scroll to Top