Listën e kishte pregaditë nji javë ma parë.
E kishte lanë mbi tavolinë anash edhe lapsin, helbete deri në momentin e fundit I bjen ndër mend që nuk janë në listë të shkrume çdo gja që kishte nevojë.
Dritaret dhe perdet I kishte la të enjten e kalume.
Ende i vinte era misk gjithë shtëpisë.
Aty këtu kishte mbet edhe ndonji gjeth i harrum dhe hidheshin në oborr si me inat që kishin mbet të vetmum.
Por ajo Ishte kujdes për çdo gja.
Edhe për oborr, edhe për shkallë, edhe për dritaret, dyert dhe pluhnin.
Kishte mbet veç edhe nji ditë dhe të gjithë kishin me u mbledh me festu natën e Vitit Ri.
I shoqi ishte kujdes për antenën dhe çdo natë kujdesej që çdo gja asht në rregull me programet shqiptare. Si ata të Kosovës, si ata të Shqipërisë.
– E ku ka kuptim Viti i ri pa ato programe i thonte i shoqi.
– Aman edhe ti, se na qite çirak, ia kthente e shoqja pak me ironi, pak me sy joshës.
E ku janë obligimet tjera, nji milion punë tjera?-
-E moj gru, çejreku I grave të botës nuk e kanë fatin tand. Në këtë shpi veç tamli shpenive mungon, e ti ankohesh.
Edhe pastrusja nuk të knaq kurrë me punën e saj, as edhe të hollat dhe as lirinë që ke….
Po nejse, unë nuk të ndrroj ty as me Elizabeth Taylor, as me Ingrid Bergman , Audrey Herbern e as me Catherine Deneuve. Veç ndoshta me Merelin Monroe, por edhe aty kisha mendu shumë…. shkelte synin I shoqi dhe dilte prej dere me shpejtësi vetime sepse e dinte përmendësh rrebeshin e papagallit që vijnë si fishek që vrasin turtujt dhe fëllanzat e shkreta.
Por ajo, at ditë nuk kishte kohë ma as për ankesa, as për kritika. Kishte ende edhe shumë obligime për nji perfekcion që deshironte.
Frizura, ngjyra flokëve, fustanin që e kishte çu me ngushtu ke rrobaqepsja, me ba pazarin, me nisë ambelsinat, sallatën ruse, me la fmitë mbas akshamit, me la mishin, me pregadite brumin e qofteve gati për nesër, me pshtjell sarma dhe japrak sepse disa i preferonin sarmat disa japrakun.
At natë kishte ra shumë vonë. Nuk ishte ndalë aspak, veç disa kafe që kishte pi, dhe I kishte lanë në gjysëm pa e përfundu asnji.
Disa kafshatë në kambë dhe veç ishte mbush tuj provu gjithë çka kishte pregaditë.
Sallata ruse ishte ba për marak, kurrë ma e mirë.
Torta, gurrabijat me pluhun sheqer, dhe disa amelcina tjera veç I kishte kry.
Brumin për kifle e kishte xan diku mas mesnate .
Bamjet, patlixhanat, japraku gati ishin kry.
I përvlonte shpina nga lodhja por e dinte që Ishte lodhje gëzimi.
I mbuloi të gjithë me batanije që veç tashma ishin në pikë të gjumit.
Ndali dritat, dhe hapi perdet me shiku nga dritarja.
Aty ketu ende kishte mbet ndonji dritë .
Fijet e borës kishin nisë me ra dhe ndriçonin si gur diamant deri sa përplaseshin mbi dritat e qytetit.
– Sa bukur ,mendoi, deri nesër zbardhet gjithë qyteti , rrugët, drunjte dhe çatitë që mbronin familjet e veta me at than’jen “ familje asht ajo çka mbyll çel’si.”
Edhe pse e lodhun deri në at pikë që gati nuk rrexohej, nuk donte me ra. Sikur, sikur e dinte që….
Floktë e borës e kishin derdh gjithë magjinë e vet mbi sytë e saj.
I përplaste kapaket, hapi dritaren dhe me dorë i kapte fjollat e bardha.
Rrugës kaloi Ricko, qeni qytetit dhe kërkonte nji strehim diku në haustor të banesave.
Mendja i iku larg ,larg në çdo cep të qyeteve që kishte familjen, miqtë dhe dashamir.
E kishte marrë aq shumë malli.
Dikur e lodhun ra në dhomën e ditës,dhe e zuni nji gjum i randë.
Por për çudi, nuk fjeti shumë.
Kishte ra me kasavet.
Mishi duhej pjek, kërtollat, perimet, dekorimet, dhe njiqind punë tjera.
Fëmijët kishin dalë me të atin me shiju borën e parë!
Çdo gja shkonte bukur, çdo gja në rregull.
Mbulesa Ishte fare e re, me disa dekorime të llojllojshme , ngjyra jeshile, të kuqe dhe të verdha.
E kishte ble veç për këtë natë.
E kishte hekuros për marak….
Vuni servisin e Italisë , gotat dhe bokallin e kristalit, salvetat…..dhe nuk kishte lanë asgja pa e mendu me shkathtësinë e nji gruje meraklije që ishte.
Shkëlqente çdo gja.
Dritat ishin flakosur në çdo cep të qytetit e deri në dhomë, koridor e kuzhinë .
Çdo gja Ishte përsos me marifet, deri sa…..
Ra zilja. Ra përsëri. Nuk donte ta ndegjonte.
Shtërngonte sytë aq fort, aq me inat, aq me dhimbje.
Iu mbushën sytë lot.
Nuk ndalej. Loti nuk priste lotin.
Kujdestarja shtëpisë pleqve, hapi perdet.
– Zgjohuni, thiri me za të naltë .
Zgjohuni, sonte kemi festën e fundvitit!
Ajo mbuloi krytin me batanije, e mbytun lot, dhe përshpëriti ndgadalë !
– Pse, pse ma prishe andrrën time. Ishte andrra ime ma e bukur që kam andrru deri tash në jetë.
Nuk me le të knaqem bile në andërr me fëmijët e mi që m’i hangrën rrugët e botës.
I sheh gjithë keto Zonja këtu .
Shiko duart e tyne. Gatimet, qendisitë , marifetin…të gjithë të qendisuna mbi rrudhat e tyne. Të qendisuna si në kambrik me thinjat e fildishit që nuk janë ndalë gjithë jetën me rritë dhe me mbajtë familjen.
Sonte, sonte festojnë disa fjalë në telefon me bij e bijat e veta, me nipa e mbesa dhe festa jonë mbaron si ulet ndëgjusja telefonit!
Më len , të lutem më len të vazhdoj andrrën time.
Mos më zgjo.
Bora, nuk ndalej…. Fjollat përplaseshin mbi thinjat e shtëpisë të pleqeve diku në fund të qytetit.
As bora as lotët nuk ndaleshin.
Nanat që linden femijet për dyrtë e botës, mblidhnin fjollat e borës në kavanoz , të përziera me lotët e mallit.
Prisnin kush e hap derën dhe secila priste se sot ajo mund të ket fatin për nji befasi.
Bora binte…..kavanosi mbushej lot dhe fjolla bore!
Qyteti vizllonte me drita të rrejshme plot mashtrim.
Bardhësinë e borës e shkelnin disa qenj rruge.
As Ricko nuk ishte ma . Kishin mbet disa qenj tjer.
Endacak tashma ishin të gjithë. Lypnin nji strehim si Ricko!
Telat e telefonit tashma I kishte mbulu bora , dhe ishin ngarku me thirjet e festes që të gjithë përmallohen për ata që nuk i kan pran.
Zemrat çohen peshë, dhe sikur lypin ata që nuk janë ma!
Qytetin dhe katundet I kishte ngarku malli festës.
Cingërr…… alo alo, a je ti zemra e nanës?
Borë ,borë shumë e madhe po bjen. Unë mirë jam, qe sa dola me mbledh disa flokë bore….edhe disa gjethe të vetmume që po përplasen me inat mbi shtyllat e qytetit! Asht e keqe vetmija moj bi ! Pleqnija aspak gja e mirë por…Mire mirë jam. Nuk levizi dot nga ky vend ju pres aty ku me keni lanë. Ju pret nana….dhe zani u përmbyt n’lot dhe heshtje!
-Alo, alo…. nanë,nuk po ndihesh ? A je aty…?Alo….!