Iftari nata e dytë

A ju pat lezet iftari?

Iftari ulqinak

Sonte Iftari ju baftë mirë,
Afër detit ku ka ma mirë,
N’konak ulqinak topi kërset ,
Në Ulqinin tim që e kam si mbret!

Hajde byjrym mirë se vini
N’sofër t’Zotit n’sofër Ulqini
Kabull Zoti na e baftë,
E për t’mira gjithmonë na raftë !

Prej sallatës deri n’hashaf ,
Pak peshk Ulqini e pak pilaf ,
Qoftet kapamah e ullinj të zi,
Pite me kumuj për mrekulli !

Patlixhana me kas e speca t’kuqe
I lumtë dora njasaj nuse,
Pite me erza e peta me gjel,
I Zoti shtëpisë përpara na del !

Bamje t’mira me vaj ullinit
I vjen era të gjithë Ulqinit,
Tavë Elbasan me mish t’viçit,
Pak yndyra i del mbi içit!

Petlla me kas e çorbë arizit
Nuk I gjin as n’treg t’Parizit ,
Japrak jeshil si bahçe xhenetit
Për begeni i qitet mbretit !

Filxhanbyrek që shkrihet n’gojë,
Qoftet me kas mas tyne shkojnë,
Edhe pak pelte ku me marrë
Asudet e nanave amelcine e rrallë!

Pak përpeq me vo katundit
Me u ul I pari me u çu I fundit ,
Pak djathë t’bardhë sallatë jeshile
Ku ka ma shijshëm allahile?

Kërtolla t’pjekuna e da t’fërgume,
Me mish qinjit që sa e prume,
Prej mezgjahit sa ka mrri,
Pak në furrë e pak n’kusi .

Kimë me vo e pak bishtajë të verdha
Pa thotë Agej m’prit se erdha,
Hankja bezhbezin sa pa ven
Nuk vanohet qe pa vjen!

Pak gjela detit e pak peshk të mirë ,
Da njala Ulqinit i kam gjet ma lirë ,
Mish kapama me gjethe larit,
T’freskta t’mira prej pazarit!

Pak grun I zimun I shtypun mirë
I qitet krypa dhe bajagi yndyre
Nuk asht i randë ,i mirë për Ramazan
Ka shumë merita ,lum kush e han.

Simita furre e patlixhana kokërr
Mblidhen vlla e mblidhen motër,
Kërset topi fillen iftari,
Kush merr hurmen kush ujin i pari!

Sarajlija madhe petë me arra,
Ty moj nuse të priftë e mara,
Lule shegë e haxhimakule ,
Ah moj nuse nji herë su ule!

Da akshyre me fiq të thatë,
I kam rujtë nji kohë të gjatë,
Kadaif sa dush me shërbet.
Me hangër mirë ,isht ball lezet !

Hashaf me kumlla e tespixhe
Hajde byjrëm hanko Hatixhe,
Sitiprinxh e pak pemë ne fund
Janë ba bashkë shehër e katund.

Zerde gjyshet na kanë ba,
Kanë qenë me namë kanë qenë me za,
Mas teravisë edhe nji kafe
Deri syfyr muhabet e llafe!

Me qenë zog kisha fluturu
Ata gjella me I kërku ,
Janë të mira ma t’mirat n’botë
Prej Amerike deri n’Evropë !

Durtë e arta nanave tona ,
Janë puntore janë madona,
I bajnë gjellnat me marak,
Majnë familjen e majnë kanak !

Ju baftë mirë sa lezet me ju pa,
Deri në Londër e ndij at za,
Gjithmonë me t’mira ju shkoftë moti
Ju pastë Ulqini ju rujtë Zoti!

Feleminerës Zotit për tanë kta t’mira
Ka shumë njerz me kushte t’vështira
I qanë zemra për nji kafshatë
Bjen në gjumë me bark të thatë .

Aty jemi n’ndaçi me ditë
Ja me trup par me shpirt
Pa neve Ulqini nuk ka lezet
Na kërken çdo ditë pa u nda na thret.

Sonte nji kangë për ne e këndoni
Jemi larg mos na harroni
Jabanxhitë e shkretë ,ju mbajnë gjallë,
Jo me pare ,por me mallë!


Nata e dytë , ju baftë Zoti kabull.

E shkrume për at natë kur isht hangër iftari para detit

Scroll to Top