Nata e parë e iftarit

 

Kastanile e shkrume për Ramazan
Zoti ju baftë t’mira

Era shërbet e era lezet , e era mir’si në qoshet e oxhakut t’shehrit e t’katundit. T’kishte lezet me jetu e t’kishte kan’e me le aty, hiç pa u pejnu!

U përplas’shin kokrrat e tespiqve nji ka nji.
Rroza gjerdanash lloj lloj në durtë e rruthuna e t’lodhuna nga jeta.
Era bamjeve, japrakut, qofteve, peshkut e t’mirat e Zotit shtriheshin tanë naze mbi sofrat tona si nuset e reja me taka kur ecin gurve kalldramit me tanë salltanet.
Voji tanë kimet e kokrrat e ullinit si ena ma e parë ishin nishan n’sofrat tona. Aty k’tu edhe hurmat me gotat e ujit për secilin rob t’shpisë .
Sahanat me bylmet e gjellna,të dukeshin si vallzim i valltareve të zanave t’malit .
Dritat prej kodrës t’Gjeranave dukeshin si yjet.
Net e dimnit kishte yje ma shumë për tokë , net e verës ma shumë n’qiell .
Xixillonjat e natës tak tuk në mes territ që dominonte .
Nuk kishte aq shumë drita at vakt.
Nji anë shifej qyteti, anën tjetër deti fare terr që at vakt ishte i lanun si e ka falë Zoti.
Netëve të dimnit të tmerronte ai terr si vel i zi nate!

Ishin drita llampe e ma vonë elektrike.
Penxheret e odës t’madhe mbi at kodër , me nji dru ullini t’vjeter para penxheres,numrojshin dritat e llampës sh’pi për sh’pi në qytetin tim të vogël.
Si gjynah i vogël i lanun mbas dore, mbështillte në bohçen e vet gjithë dhimbjet e banorve t’vet!
Ramazani vinte si nji bahçallyk I pshtjellun me shpresa dhe e shunte frikën e qytetit!
Vinte si nji dhandër me grabitë nusen e vet , e me e mbush me stolisje florini!
Eleganca dhe sharmi qytetit triumfonte në netët e bekume.
Kishte ma shumë drita e ma pak gjynahe!
Syfyri me erën e valës me samuna,arizit me kas, tepricat e natës kalume, sytë përgjum.

Sahiti ,plaku sh’pisë , axha nanës time,që kishte humb pamjen e syve tashma për shumë vite dritën e synit që e qante sa herë që tregonte historitë e fërtonave dhe anijeve,në asnji moment nuk kishte humb tahminin e përplasjes tespiqve.
Me lutjet e tija,me durim dhe sharmin e plakut Shams of Tabriz, na tregonte në at syfyr hejret kujtimet e tija nga Afrika dhe Azija me anijet e tyne, vllaznive dhe axhallarve të familjes Shurdha.
Kërsitshin lugtë e sahanat dhe dalë ngadalë dritat e llampave shuheshin.
Qyteti binte në gjum prap ,para se zbardhte drita. Binte në gjum të thellë dhe si duket ende flen me at gjum si dikur para shumë dekadash.

-Paskën kry syfyrin dhe paskën ra në gjum t’Beqirit e t’Rexhepit, ndëgjohej zani babës, nanës , Sefos apo Sijes.
Nji sy gjum e grabitshin gratë ,e prep me nisë ditën me çka ka falë Zoti, e zakonisht për Ramazan bereqeti vinte ka dera ka penxherja,e tanë qoshet e sh’pisë gufonin me madhni!
Nana ma qepte ditën me gjylpanën e saj magjike.
Ç’farë imagjinatë e nanave tona !
Paramendoni!
Me qep gjysën e ditës sotme me at të djeshme për evladin që nuk ninon se asht i vogël.
Dita e qepun ta mbushte shpirtin fort me mburrje.
Ia nisë me syfyrin e parë.
Iftari!
Topi!
Zoti ta baftë kabull, ndëgjohej ajo fjalë gjithë kohën!

Ezani që pëmallonte edhe tokën edhe qiellin.Kali në ahër l’shonte pikat e lotit sepse besonte i madhnumuni se edhe AI asht Pejgamer i bekum me bukurinë që ka!

Lutjet baheshin për familjen, farefis e kajshitë, për at që luftonte me jetë, për fukaranë, për vendet ku kishte luftë. Luteshin për rahati, bereqet e për shnet!

Shprishni!
Fjalë që sot e k’saj ditë nuk ia gjej kuptimin por dihej që koha erdh me shti nji ulli në gojë ose me lagë gojën me uj.
E kam perzi këtë fjalë gjithmonë me at me shprish lesh.

Lutjet rreth sofrës, pritja minutave që dukej si shekull, me nisë me përplas lugë në sahanat që të g’zojnë çdo qoshe t’barkut!
Vllau nji natë me padurim, nisi me hangër disa minuta para se ra topi.
Të gjithë i drejtuan sytë nga ai ,mbasi kishte prit gjithë ditën e lume.
-Eiiiiii, diku në shtetet Arabe ka ra topi, na e ktheu shkurt të gjithëve, dhe vazhdoj me shiju bereqetin e sofrës.
Kishte pasë të drejtë!
Diku topi kishte ra.
Bota at kohë sillej rreth besimit e jo rreth internetit. Kemi pasë ma pak informata dhe ma pak çdo gja por dashnija mes njerzve, afërsija, njerzillyku Ishte me shumicë!

Si ma e vogla, çdo gja më ngacmonte trunin!
Çka janë shtetet arabe , pse bërtet hoxha, pse me nej untë, pse pleqtë me lujtë me tespiq, a thu se janë fmi që lujne me rroza ?
Bukuri e atyne 30 ditë, për mu nuk ishte religjion.
Kurrë s’ka qenë e kurrë s’ka me qenë.
Asht nostalgji.
Asht mirnjohje për bukën!
Asht bashkim familje.
Asht zgjim i atyne që nuk janë ma me ne, por në net e bekume na vijnë grumbull ,lot e syve që derdhen si kokrra inxhi !
Asht pastrim i shpirtit e i gjuhës!
Asht ajo ndjenja ,që duhet me ia ditë ati që nuk ka.
Asht lutje për paqë, mirësi, merhamet, edukim,ushtrim i trupit, mos gjykim.
Asht lexim dhe përkushtim për librat e shenjta që na kshillojnë .
Asht filozofi n’vejdi!
Asht ibrik me uj t’kullum që janë lot e dyrnjallykut!

Asht çdo kujtim i imi për ata Gjerana që gjithë andrrat e mija sillen , kthehen, rrotullohen aty.

Mjer ai që nuk mundohet me kuptu gjithë at magji e gjithë at mistikë .

Zot sa më ka marrë malli për at f’mini!
Jeshillyk i xhenetit n’këtë botë ishte ai vend.
Sa t’bukura ishin ata 30 ditë të vitit me akshamet dhe sabahet ,iftaret e syfyret që mblidhshin antartë e familjes në çelsin e ngrohtësisë me dritën e llampës .
Sa t’madhnushme n’at qytet t’vogël .
Foleja ime e voktë ….Ulqini im!

Scroll to Top