Ishte fare e vogël. E brishtë e dashtun e bukur. Flokët e bardha bilur, sytë të bukura me nji kaltërsi të rrallë.
Havrën me qershija të kuqe dhe ngjyrat jeshil e verdhë zbukuronin edhe ma shumë ftyrën e saj.
Ishte ul ke pragu i derës.
– Po pse je ul aty moj, eja hyn mrenda! Asht ftoftë!
-Pres babën me ardhë prej pune. U vonu shumë sot!
– Jo moj tash vjen, eja, eja, hyn mrenda, ia ktheu e ama.
Ishte ul në skaj të dhomës. Ashtu fare fare e qetë. Të gjithë me zhurmën e vet mbulonin zanin e saj të butë që thonte: po pres nanën ,u vonu shumë sot.
Lagu havrën e saj të kaltërt me flutura blu, verdhë dhe boj bakam me disa pika lot që I rridhnin në heshtje.
M’susja e vërejti dhe ngadalë ia ledhatoi floktë.
-Tash vjen nana, mos u mërzit.Qe edhe disa minuta bjen zilja dhe sigurisht ajo veç të pret ke oborri shkollës.
Ishte ul ke dritarja. Herë shikonte orën e dorës dhe herë shikonte orën e murit.
-Nuk erdh ala, po unë veç e çova me ble pak bukë dhe tamël, dhe nuk e xente ven’i.
Kapi cepin e havrës që e kishte për marak por tashma ishte vjetru aq shumë dhe e vishte në shtepi. Dikur e kishte pasë havrën ma të bukur për gosta, mbledhje prindit, fejesa dhe kur dilte me derdh yrz.
Disa men’ime iu sollën në kry, veshi jaknën, papucat e vjetra dhe doli jashtë me prit ke dera.
-Ku me dit, kaq shumë u vonu? Fërkonte durtë tanë nervozë dhe doli në rrugë!
Ishte ul në miner. Mori disa albume të vjetra dhe nisi shfletoi nji nga nji.
Kishte m’et me të shoqin dhe deri sa ai e shikonte të shoqen me nji adhurim,ajo mori syzat, mërtheu pullën e havrës bojë kafe me disa lula të vogla bezh,dhe vazhdoi me shfletu rrugëtimet që hapeshin në albumet që kishte rendit mbi tavolinë.
– Qe kur kemi qenë në pushim të gjithë. Sa shumë kam prit me u rrit fmitë dhe me pa secilin në rrugën e fatit vet.
-Qe k’tu jemi me shoqninë tonë , vazhdon ajo m’as nji pauze të shkurtë,kur kemi shku për nji maj. Aman sa bukur kemi kalu. Të kujtohet kur ma pate ble at havrën e zhozhetit?
Sa bukur m’ka pas nej! Eh rinija…!
-Qe k’tu kur kemi qenë në darsëm ke kushrini jot. Aman nji darsëm e bukur që ka qenë, se harrej kurrë! E ti ke kcy aq shumë në at darsëm sa që nji javë të kanë pasë dhimtë kamtë. A t’kujtohet?
I shoqi kishte marrë gazetën, herë i kthente xhevap të shoqes, e herë vazhdonte me kafen që e pinte me naze dalë kadalë.
Cigaren nuk e kishte nez tesh sa orë që për çudi kishte nisë me iu neveritë.
Kanjiherë edhe ai e l’shonte nga nji “eeeehhhh”të thellë nga shpirti por sytë nuk i ndante nga e shoqa që tashma kishte dalë ke dera dhe ishte ul ke pragu.
– Eja moj se pa ftofesh. I ke hap albumat në tanë anët e tesh çka t’gjet.
– Kurgja, nuk m’gjet pa pres mas pa vjen denjini prej fmive se kohen e fundit ma kanë ba sa herë befasi. Veç kur m’kane dalë ke dera.
– Ec moj ma mrenda se pa m’smuhesh e çka baj unë zavalli pa ty. Ec se ata mirë janë tanë.
Hyni mbrenda, m’ylli derën me çel’s dhe vazhdoi me shfletu në çdo gjurmë që ishte vulos në fotografi.
Fshiu sytë sepse nuk shifte ma nga lotët.
Ishte struk ke dera. Havrën bojë hini me disa detale të zeza dhe pulla deri në bel, nuk e kishte hjek tesh sa ditë.
Ishte struk si nji trumcake.Po priste të bijën, të birin me nusen ose …. Dikush duhet të vjen!
Ra telefonata.
-Hallo, hallo ku je? A je nisë me ardhë? A janë edhe motra e vllau me ty. Po mesa a vjen edhe ajo me më pa? Unë nuk ngutem k’tu jam. Kam kohë me tepricë . Dikur nuk më ka dalë koha dhe më binte mall për pak kohë të lirë.
Kafen nuk e pi pa ju! Ju pres. Kam vesh havrën që ma keni ble ju në Dubrovnik. “
Fshiu lotet dhe u ul në karrikën që kishte për ball.
Kujdestarja e shtëpisë të pleqve, pa vetdijen ngrehu cepin e havres e rrotulloi disa herë në grusht, e ndrythi dhe kur e pa , shpërtheu në lot.
O Zot sa shumë pritje ke dera, ke dritarja, ke pragu derës, në oborr, në gjum në andërr.
O Zot sa pritjet? Sa dhimbjet e shpirtit për pritjet dhe nji ditë shkojmë ashtu si kemi ardhë.
Vetëm!
U përkul para plakës me havër bojë hini me lule të zeza dhe pulla deri në bel.
Ia ledhatoi faqet, i teri lotët e veta dhe të plakës dhe nisi ngadalë me k’nu.
-Ma k’na at kangën “Po të pres akoma e dashtun po të pres akoma “ e luti plaka!
-Jo jo ia ktheu kujdestarja!
Hajde k’nojmë bashkë at kangën “ kush ma i pari bani djalo bir gyrbetin?”
Dhe të dyjat ia nisën me avaz deri sa të gjithë të tjerët nisën si në kor me kangën “ si vjen devri vjen zamani .”
Dolen në oborr me rrobat kush bojë kafe e kush bojë kaltërt në pritje për nji ledhatim në floktë e thinjuna dhe faqet me lot!
At natë nuk i zuni gjumi!
Kishin prit ke dera.
Dikush vjen…..sigurisht dikush vjen. Në qiellin e lashtë fluturimet kurrë nuk ndalen !
Pritjet janë të bukura deri sa ka kush me na prit dhe kush me na ardhë.
Edhe kur shpojnë zemrën, pritjet janë të bukura!
Ama ndamjet ….ndamjet janë aq vetjake aq të randa aq të pa kuptushme.
At ditë që ndahesh të duket që hiç nuk je taku me të dashtunit. Të merr malli momentin që nuk e sjell ma krytin sepse tashma hapat me nxan aeroplanin shpejtohen!
Janë katile pa pikë merhameti…. ndamjet që vijnë aq shpejtë edhe pse presim ke dera gjithë jetën.
Dikush vjen…. Gjithmonë dikush vjen!
Fluturimet nuk n’alen deri sa dikush pret ke dera!
Dhe ja….Jeta asht veç pritje dhe asgja tjetër. Pritje për ata që ngrohin zemrën! Çdo pasuni tjetër asht iluzion i kohës që e humbim fare kot!