Jeta na hedh ku don vet

Gëzuar, me gjithë sfidat dhe bukurinë e jetës

Kam pasë ditë të bukura shumë në jetë. Kam pasë fat.
Por i kam pasë edhe ata ditë tjera .
Si çdo kush që i ka , sigurisht.

Sa herë që jam rrxu, kam ra mirë dhe jam rrxu fort bile. Jam vra, jam shëru !
Dhe çdo herë që jam vra, secila plagë e dytë , ka qenë ma e randë se e para, secili shërim i dytë , ka qenë ma i suksesshëm se i pari.
Dhe ashtu kam prit ditë, muaj dhe vite tjera.
Hecshin vet, pa i vërejtë!

Kam le në Gjerana, në bregun jeshil si fildish ma të bukur të Ulqinit, si fmi i tretë i prindve të mi ,dhe si vajzë e dytë e tyne.
Garant nuk janë gzu shumë.
Kurrë nuk më kanë thanë, par e di ,se ka qenë kohë e djelmve at vakt.
Nuk kam qenë hiç fmi i bukur. Sa herë ma kanë thanë tuj qesh dhe me gaz.

Jam rritë e jam ba gru ,kurrë pa me thanë prindët sa shumë më dojnë.
Nuk e di prej kah e kam ditë ,se sa shumë më dojnë.
Prej kshillave tyne, prej netve pa gjumë, prej lotëve sa herë më kanë percjell ke dera, prej kafshatês fundit që e kanë hjek prej goje kur e kanë ditë që e du diçka shumë.

Baba me ke thirë Bardhe .
Nana gjithmonë ka nisë bisedat me “t’pastë nana.”

Ditëlindjen kurrë nuk ma kanë festu , sepse at kohë nuk u festojshin, por kur e kam festu në at kohë me shoqni në Valdanas, m’ i kanë dhanë të hollat pa ma thanë nji fjalë të keqe, pa ma thanë mas se flasin halku.
Nuk e di ,par prindet e mi nuk e kanë perdor kurrë at fjalë “ halku.”
Sa fat kam pasë që ata nuk e kanë ditë at fjalë fare.
Prindërit e mi nuk e kanë njoftë at halkun kurrë.

E re kam shku në Sarajevë me studju.
Nuk ishte e lehtë ,në nji qytet të madh, pa njoftë askend ,unë vet me shoqen teme Suadën.
Kemi pasë banesën ma të bukur e ma të shtrejtë në Bjelave ,ke nji familje e ndershme muslimane ,që shumë na kanë dashtë ,si me qenë varzat e veta.

Shoqni gjetëm shumë ,sepse kurrë se kam pasë preblem me ra në shoqni të mirë, por edhe patem at fat.
Ishin shqiptar të gjithë, nga gjithë viset por ma së shumti nga Ulqini dhe Gjakova.

U martova e re 21 vjeçare.
Prap nuk ika larg gjakovarve, por ishin gjakovar të Sarajevës .

Çdo gja ndryshej.
Prej nji demelice që nuk kishte dite shumë për pastrim dhe obligime ,sepse si ma vogla gjithmonë i kam ik punve ,me ra me pritë e përcjell çdo ditë musafir dhe dashamir.
Familja burrit ishte familje e madhe ,por edhe shoqni kishim shumë.
Asgja nuk ishte e lehtë.
Stresi a jam tuj ditë me prit musafirin, stresi a di me qenë bashkshorte e mire, stresi a jam nanë e mirë.
Isha shumë e re ,me u perballu me shumë sfida.
Të vijshin musafirët ke dera ,e u duhshe me u gjet e me kriju të pamundurën .
Pa bukë rrallë kush dilte nga pragu i shpisë at vakt.
Kam dhanë maksimumin me prit çdo kush që ka hy ka dera jonë, me gjithë kivetin që kam pasë.
Ditë që nuk kishim musafir, që shumë rrallë ka ndodhë, kalojshim tuj pregaditë gjellna për friz, për me i pasë gati,kur të vijnë musafirët e radhës.
Ishte lodhje, shpesh herë të digjte kurrizi,por e kishte knaqsinë e vet.
Kohë me u mërzitë….. asnjiherë !

Nuk ka qenë e lehtë ,me u pajtu dhe adaptu me diferencat që kemi pasë me burrin.
Jemi shamatu, me arsye, jemi shamatu kur nuk duhet pa pikë arsye.
Jemi pajtu sikur asgja nuk ka ndodhë.
Shoqni e re , njerz të ri gjithë jetën.
Kanë hy dhe kanë dalë ,si prej farravije.
Disa i kam dashtë shumë, disa ma pak.
Disa hiç, por me urrejtjë ose me ja dashtë dikujt t’keqen ,kurrë , mazalla!
Taman nisen fmitë me u rrite, rahatova çdo gja për qef në banesën tonë në Sarajevë, u desht me i lanë pa kohë mendimi me vendos.
Thjeshtë…. me marrë rrugën e me ik.
Prej nji mërgimi, në mërgim tjetër.
Por ky ishte vërtetë nji mërgim fare ndryshe.
I vrazhdë , i ashpër, i dhimshëm .

Erdha në qytet të ri pa dashtë, pa ditë gjuhë pa njoftë kend.
Rash në maje t’kres.
Taman si dikush me të hedh prej aeroplanit e bum e n’tepe t’kres.

Msova me pastru, msova me la enë , msova me rujtë fmitë e botës.
Msova si isht me ra prej kalit ,n’gamar.
Nuk ishte e lehtë ,por mesova.
Sa herë kam shku me i rujtë fmitë e familjeve ,më ka qa zemra aq shumë,që nuk jam me fmitë e mi.
Më ka qa zemra ,që nuk i kam rritë ashtu si kam dashtë vet, ashtu si kam andrru.
Pata sfida, smundje, mërzi.
Me vitin 1995 nëntor jam smu prej nji paralize faciale, dhe janar 1996 prap nji sulm tjetër me dhimbjet ma të tmerrshme që asht e mundur.
Në at smundje, e njofta burrin tim ma shumë se kurrë .
Ditë kalojshin me punë të ndryshme, kurse mramjet me miq dhe musafir.
Ishte e tmerrshme me nej vetëm në vend të huaj!
Ngushllimi ma i mirë Ishte me kalu mbramjen me miq e musafir.
Ishim familje e re, familje e madhe në Londër, të gjithë me nji hall.
Malli për vendlindjen.
Në vend të huaj, i huaji të bahet i vet .

Mramjet i kalojshim me at humorin e dhimshem , qesharak që përjetonim me punë të ndryshme, njerëz dhe adete të ndryshme.
Adaptimi ishte arma që na duhej të gjithëve.

Më vdiq burri në moshë ma të mirë ,në moshë kur ia msum njini tjetrit t’mirat e t’kqijat.
Kur na ndanin mërzitë, hallet, e mira, gzimi dhe sfidat.
Tashma për njini tjetrin nuk ishim veç burr e gru, por shok jete, nanë, babë, motër, vlla dhe çdo gja.

Aspak nuk ishte e lehtë.

E keni ndëgju at fjalën ?
U plakshi bashkë !
Ky është urimi i parë që na bjen në gojë kur urojmë një çift.
Ditën që vejmë kunorë është dita kur nisim betejat .
Dita kur betohemi në të mirë dhe në t’keqe.
Ditën kur bahemi prind mbaron “uni “ynë.
Jeta jonë nuk është ma e jona.
Jetojmë secilin çast për fëmijët tonë.
Kurse ata çifte që nuk kanë femi jetojnë për njeri tjetrin.

Ktu në Angli i thojnë “ the other half.”
Martesa ose kunorizimi të lidh me njeriun e jetës hap për hap ,dhe çdo përjetim asht rrugëtim I ndarë mes dy njerzve.

Një shkrimtare amerikane,mbasi i vdes burri e përshkruan at humbje si amputim i trupit.
A e dini kur dhemb zemra dhe don me qa një hall, që shoku jetës asht ai që e qanë at hall me ty.
Asht i vetmi që mund t’ja tregosh gjithë mërzitë.
Asht i vetmi që lufton të njëjtën betejë me ty, dhe I gezohet të njëjtës fitore. me ty.
Mund edhe me u fjalos, mund edhe të rëndon, din nervat me ti ngritë deri në kupën e qiellit, por kur dikush të rëndon ai bahet çadra yte dhe të mbron nga pikat e pyshtymës që të sterpikin të tjerët .
Nuk lejon kurrë me të ra asnji pikë nga askush !

Të mbetesh e vejë është të luftosh betejën vet !
Betejë e dyfishtë !

Të mbetesh e vejë ,është të jesh tema e atyre që të shikojnë a je vesh zi apo e ke hjek të zezat.
Të numrohen muajt se kur ke nisë me vesh diçka me ngjyrë.
Kur ke nisë me ly sytë apo buzet.
Kur ke vu maskaren e pare.
Kur ke nisë me dalë e kur ke nisë me shku në darsma.
Të jesh e vejë ngjyra çorapeve vërehet në ty sepse duhet me qenë fut zi
dhe çdo ngjyrë ma e butë ia vran synin të tjerve.
Të jesh e vejë, ta peshojnë gazin, qeshjen me decimila se po e teprove shpejtë e paske harru burrin.
Të jesh e vejë asht të ulesh vet , me ia mërthy vajit ,dhe me folë me filxhanin e kafes ,që çdo mjes nuk e pi ma me burrin ,deri sa ke diçka me i tregu ,që të lëndon aq shumë zemren ,sepse askuj tjetër nuk mundesh me i tregu.

Me qesh s’ban hiç, mundesisht mendjen duhet me e mbajtë në çdo gjest që peshohet nga të tjerët.

Por në këtë fatkeqësi e pata nji fat.
Prindet e mi me msun që fjala “halku “nuk egziston.
Nji guxim e kam pasë në jetë, kurrë mas mu lodhë çka thojnë tjerët,por gjithmonë kam respektu njeriun dhe ndjenjat e tija.
Me le në ata toka të mallkuara me pasë guxim të tillë isht marifet, e unë e kam pasë dhuratë prej prindve të mi.
Kanë qenë të sigurtë në edukatën që ma kanë dhanë.

E kush ma bante gajlen ?
E qaj ,a kam , a nuk kam , a jam e mërzitun diku në nji vend të huaj ?
Si i kam hallet ?
Kush më ka vet ?

Qëllova në nji qytet ku askush nuk sjell krytin ,po dole edhe me paxhama në rrugë .

Në vend të huj me dy djelmt që ende ishin të ri.
Vazhdova me beteja.
Jo si hero ,se nuk jam hero i askujt.
Luftova për vehte dhe familjen time . Nuk luftova për askend tjetër.
Herë rashë fort ,e herë u rrëxova keq e herë nuk kisha as dëshirë me u çu ma.

Kam shkru tanë kohën. Me ka duru shumë letra dhe lapsi.
Kanë pasë shumë durim edhe letra edhe lapsi .
Por se di se kah më vinte nji forcë gjithmonë.
M’besoni jam rrxu sa herë dhe prap jam çu.
Jo si hero, por si njeri që vazhdon jetën për hir të vetvehtes dhe atyne që i du shumë.
Edhe pse kurrë nuk i kam thanë “ju du pa kufi.”
Nuk ka kush m’nalon me jetu për ju.
për veç Perendisë.

E besa edhe nana jeme thonte:
Ju pastë nana mas u dorzoni sepse “ mas t’marrtë ana, se nuk ka çka të ban as nana!”
Pra nëse dorzohesh ,i merzitesh botës ,dhe vehtes.
Jam rrxu jam rrxu sa herë…. por jam çu e jam majtë për drunin e shpresës.
Asht druni ma i qëndrrushëm prej të gjithëve, sepse po të morri ana ,nuk ka çka të ban as nana.
E besa në festa , ata që nuk janë ma me
ne,na mungojnë shumë ma shumë se kurrë!
Janë ata që ma së pari na thojnë të lumshin durtë dhe çojnë gotat lart me urimin e nji viti tjetër që vjen !

“Dëgjo: kjo botë është sfera e të çmendurit,
Mos bini gjithmonë dakord se është e vërtetë,
Edhe me këmbët e mia mbi të dhe postieri duke e ditur derën time , adresa ime është diku tjetër.”

“Listen; this world is the lunatic’s sphere, Don’t always agree it’s real, even with my feet upon it and the postman knowing my door my address is somewhere else

Hafez, poet Persian

















Scroll to Top