Jetime jemi mike, ti edhe unë

-Më kujtohet shumë mirë ajo kohë.Ishte koha e dreqit.Jetonim në tempullin e shpirtrave të vdekur. Nuk ishte as dimër as verë.Nuk ishte as ftohtë as nxehtë. Nuk e di as vet se çka ishte por ishte koha e dreqit të mallkuar. Shpirti nuk duronte më dhe shqirrej në kupën e qiellit.Si fantazmat zvarriteshim mbi murin e ndertuar nga vet dreqi. Kapeshim çdo ditë dhe rrezoheshim nga ai murë dhe prej një thellësie binim në tjetrën.Thellë e më thellë. Jetonim në trekëndëshin e Bermudave. Mes telave të burgut frigës dhe detit.

Nuk isha Muslimane . As katolike nuk isha. Nuk kisha kohë me falë namazin. As kumonave të kishës t’i bie nuk kisha kohë. Më mbyste mërzia nga koha e tepruar. Nuk më jetohej por as nuk më vdisej .Thjeshtë fare, një komb i tërë kishte rënë në një agoni të thellë .Të lumtur ishin veç të çmendurit. Ata nuk pritshin asgjë nga askush. Lumturinë e krijonin vet. I gëzoheshin faktit të çmendurisë pasi rrugëdalje tjetër nuk kishin pasë.E vetmja mynyrë e lumturisë pra në ato kohra ishte çmendurija!

E ju,e ju i kishit të gjitha ! Kishit lirinë e lëvizjes,kishit luksin,udhëtonit ku ju donte zemra. Ndëgjonit muzikën botrore derisa ne burgoseshim kur merrnin vesht që ndëgjojmë muzikë nga vendet tjera. Ishte e ndaluar secila muzikë e huaj sepse ….nuk e di as vet pse ! Ju pra i kishit të gjitha që ne veç në ëndërr mund ti kishim.

-Po mirë moj mikja ime e ke ditur ti ku ndodhej Kosova, ku ndodhej Shkupi, Ulqini, Presheva ?- Nuk u durova pa e pyetur .

-Jo-mu pergjegj.

-Po a ta merr mendja që ne e dijshim secilin qytet tuajin,Vlorën,Shkodrën,Sarandën, Beratin , Korçën Gjirokastrën…

-A ta merr mendja që përveç vuajtjeve tona ne qanim hallet e juaja ? Ta merr mendja që vitin 79 kurr morra lejen ta vizitoj Shqiperinë ishte momenti më i gëzuar i jetës time edhe pse kisha mundesinë të vizitoja gjithë botën?
Ishte vizita më e bukur në jetën time që kam pasë ndonjë herë.
Plot emocione. Dhe kur u ktheva të gjitha librat që m’i dhuruan familja nanës time, mi ndaluan doganierët. Jo ata malazez, por shqiptar.
Ta merr mendja që gjitha antenat ishin të kthyera nga ju? Ta merr mendja që një herë bile edhe një shuplakë të lezeçme e pata hangër nga baba im i cili ishte duke ndëgjuar Bik Ndojen dhe Shyqyri Alushin derisa unë ende e re, pata guximin ta ndrroja kanalin se doja me shiku James Dean “rebelin pa arsye “.Dhe sa herë që e kujtoj atë shuplakë ende qeshi sepse ishte e vetmja dhe më dukej sa e pabesueshme aq edhe shumë qesharake. Ende më vjen me qeshë nga ajo shuplakë sa herë e kujtoj. E din moj mike sa burgun e kanë ngrënë profesorat e mi të nderuar për librat që na i nxenin kishe si literaturë e ndaluar.E di moj ti sa lot janë derdhë në kufirin Hani Hotit , Qafën e Thanës dhe kufijte perreth trojeve tjera. Ju e braktiset vehten,nga regjimi tiran,nga vetvehtja por ty a të shkon ndër mend ndonjë herë që neve ishim të braktisur nga ju dhe ju as nuk e dinit bile se ku jemi. Ju lakmonit orat Darwill,kopertinat dopio ,Albano,Romina Power ,Lepa Brenen,Zdravko Coliqin apo Goran Bregoviq dhe hiç gjë tjetër nuk dinit për ne.

-Aaaa, po njimend ,nga ajo nostalgji e juaja ,sot Goran Bregović-in e keni qytetarin e nderit të Tiranës.
A po po edhe unë shumë e kam dashtë Goranin, Zdravko Čoliqin, e të tjerët por ata nuk na donin sepse na ishim qytetarë të dorës dytë .

-Të ra ndonjë herë të ndigjosh për ne, se sa shumë ju deshtëm . Dhe e gjitha çka ndëgjova nga shumë njerëz që takova këtu në Londër ishte-ç’farë lypshit ju,të gjitha i kishit ? Vertet i thashë gjitha i kishim por përse sot ti dhe unë jemi refugjate nuk e di ? Ju vuajtët nga heshtja, ne heshtëm se vuajshim. Dhe si foli si heshti shqiparit i dilte keq. I dilte njësoj. Sindrom i gjithë Ballkanit !

Dhe ti ma hedhë në fytyrë që ne i kishim të gjitha !

E sa për masakrat e Tivarit as po të pyes mikja ime sepse deri vonë edhe unë nuk i kam ditë!

E di moj mike që ne kemi më shumë Vlora, Valbona, Saranda, Butrint… për metër katror se sa ju që keni vet?

Me perqafoi dhe iku.Kurrë se pashë ma prej asaj dite që përktheva për te. Ishte shumë e mirë dhe e kandshme. Pata fatin ato vite kur kam punu në Harrow Road, ku çdo ditë isha në mesin e shqiptarëve dhe pata rastin t‘i takoj nga gjitha trojet e shpendit dhe peshkut.Disa nga ata kurrë më nuk i takova.

Ku i dihet , një ditë mund ta takojë miken në tokën e të dyjave,në tokën e sajë dhe timen ! Dhe pyetja e parë për te do të ishte-po ju gjitha i keni tani,e pse e gjithe kjo paknaqësi ? Pse po ikni ?

Po sigurisht e di se edhe ajo do t’më përgjigjet. Ishte koha e dreqit mike! Dhe ende sot është kohë e dreqit! As jemi Musliman as Katolik ! As nuk falemi as nuk kryqohemi ! Jetojmë mes frigës, burgut dhe detit! Një komb i tërë mikja ime ka ra në gjumë të thellë, një komb i tërë…. Ndërsa ti dhe unë po valavitemi si dy jetime shtigjeve të huaja! Ti me nostalgjinë e Jugosllavisë dhe zemrën ia fale Shqipërisë,ndërsa unë me nostalgjinë e askujtë!

Si shqiponja jonë edhe ne do të jemi në kërkim të maleve , fushave dhe lumenjve.Sepse tokat tona na i lakmojnë të gjithë! Janë shumë të bukura!

Zoti na i fali të gjitha ama veç një mallkim na e dha. Lakminë e fotelës !

Jetime jemi mike ,jetime, ti edhe unë !Lindem ne tokat e pa rahatuara . po qe jane aq te bukura qe kurre nuk dalin nga zemra .
Dielli nuk lind në Perendim . Lind aty ku na lindën styrgjyshat tonë!

Kalofshi nji ditë të bukur të gjithë 🌻🌞🌻

Scroll to Top