Ku t’shkosh merre gjuhën me vejdi
Një eufori e pa parë sivjet.
Festohet festa e kombit në gjithë trojet dhe në mbarë diasporën.
Një video që ma dërgoi miku im Masari,I cili kishte qëllu rastësisht mbramë në Sarajevë për këtë festë ku ishin të mbledhur gjithë shqiptarët e Sarajevës në Klubin shqiptar nuk më la të qetë . U preka pa masë .
Disa nga ata shqiptar, ku familjet e tyre lanë tokën e vet gati një qind vjet më përpara ende e flasin shqipen, ruajnë traditat dhe festojnë çdo vit festën e flamurit.
Nuk mund mos ta përmend edhe një detal deri sa unë me familjen jetonim në Sarajevë.
Ishin diku vitet 1985 kur në Kosovë çdo ditë ndodhte diçka e keqe dhe ngjarjet zhvilloheshin me shpejtësinê e trillerit. Ne shqiptarët mblidheshim , asnjë lajm nuk na ikte dhe shpesh mërziteshim deri në vaj . Deri sa në shtëpi e kishim një atmosferë, në rrugët e Sarajevës vlonte gëzimi dhe dëfrimet. Ishim ne të parët që na kishte kap ai rend deri sa të tjerët ishin në gjumë.
Unë nga mllefi dhe revolti, hapsha dritaret e banesês dhe me zërin deri në kup të qiellit, lëshojsha muzikë ku qaheshin hallet nga Shkurte Fejza, Shtëpija jonë gjendet në qendër, në rrugën kryesore Ferhadija që lidhet me Bashqarshinë dhe shpesh herë para se më trokisnin në derë , musafirët e mi nga rruga ndegjonin Shkurten , Parashqevinë dhe shumë tjera. Përplasej shpesh herë zeri i Shkurtes dhe Parashqevisë me at të Kemal Monteno, Dino Merilin Bijelo Dugme dhe Zdravko Çoliq që vinte nga kafenetë për ballë banesës tonë.
Sikur doja t’i paralajmroj të gjithë se ky fat i shqiptarit i pret edhe të tjerët. Sikur kisha dëshirë t’i tregoj të gjithëve se shqiptar të jesh në mes të Sarajevës nuk është turp por mburrje. Sikur…. se di as vet por sikur gjithë botës doja t’i tregoj sa padrejtësisht jemi të dënuar dhe të përbuzur si komb.
Nuk e kisha me shitë mend, jo asesi. E ndjejsha si një obligim të një nëne të re që kudo mund të jetosh por së pari fëmiut i mësohet gjuha e nanës, sepse at gjuhën e vendit ku jeton nuk ka çajre fëmiu pa e mësuar.
Drejtën t’ju tregoj ashtu ma donte zemra sepse jam rritë me një antenë të drejtuar në at anë dhe tjetrën kanal këtë anë pa antenë .
Është shumë e dhimbshme që vet erdhën në Sarajevë por nga fëmijët e vet ende presin që të martohen vetëm mes shqipëtarëve. Pra nuset i marrin nga Kosova ose viset tjera shqipëtare, varzat i martojnë në Kosovë ose Gostivar, Tetovë apo ndonjë vend tjetër për shqipetar. Pra gyrbeti vazhdon.
Vazhdon në gjithë anët. Në Amerikë fëmijët e lindur atje, ngrehin gjenerata të reja nga vendlindja sepse vet nuk kthehen por duan të martohen me shqipëtar.
Vazhdon ai që nuk ka bukë dhe del në kërkim të kafshatës gojës . Rrugë që nuk ndalet.
Vjen nusja për djalin nga Kosova në gyrbet, shkon nuse bija që u lind në Sarajevë në vendlindjen e gjyshit apo të babës dhe ajo tash është në gyrbet në vendin e vet.
Ashtu po ndodhë edhe me ne të gjithë në diasporën, në gjithë botën. Disa po martohen me të huaj por asimilimi i shqiptarit nuk po ndodhë. As në Amerikë , as në Australinë e largët as në Evropë dhe as në trojet e ish Jugosllavisë . Po mbesim ata të mjerë që me shpirt e me mish shpërndajmë patriotizëm . Me gjithë fuqinë që kemi mundohemi t’i mbajmë traditat, gjuhën, kombin. E përcjellim brez mbas brezi me mburrje. Është obligim I yni. Fëmijët tonë le të zgjedhin ku të dojnë me jetu, apo kend të dojnë për martesë por kurrë mos t’i harrojnë rrënjët e veta . Ata pastaj le të zgjedhin, ne nuk mund t’i ndalojmë .
Nuk është e drejta e jonë t’i dënojmë fëmijët tonë për lëvizjet tona qofshin ata nga vullneti apo halli jonë.
Po nuk ia tregojmë ne, ata shpejtë i harrojnë .
Pra ky është patriotizmi unë. Me gjithë ata ofendimet që na thoni “ lehtë e keni ju atje me u ba patriota “ ne ruajmë vlerat. Ruajmë kombin, gjuhën , flamurin.
Nuk është patriot vetëm ai që merr pushkën.
Patriot është edhe ai që vuan me shpirt por kurrë nuk pranon me e fshi nga gjaku përkatësinë e vet. E përcjell brez pas brezi. Kudo në botë, në Australi, në Kanadë në Amerikë .
Del shqipja mes New York, mes Londrës, në Turqi apo kudo dhe krenohet mbi qiellin që vajton për të gjithë lotët e derdhura të gjeneratave qindra vjeçare të shkapërdredhura në mëshirën e Zotit.
E ne, e ne presim me vite me shekuj shqiponjën tonë mbi qiellin e Tiranës, Çamërisë,Ulqinit, Gjakovës , Prizrenit Gostivarit, Preshevës dhe bijtë e bijat tona të të kthehen një ditë dhe trokasin në derën e shtëpijave të veta dhe në pragun e Skënderbeut .
Me patriotizmin tonë nuk shesim mend as derdhim kurum, por mbrohemi nga armiku më i madh i kombit ,që është asimilimi.
Dhe fatmirsisht po kemi ende sukses.
Si duket i vetmi fat që kemi pasë është shqiponja e bukur krenare që e kemi zgjedh si simbolin tonë. Është vula e gjakut tonë.Është aq e bukur sa që nuk mund të rezistojmë kurrë at bukuri.