Sa herë që më merr malli për fiq më kujtohet Axha Agim Zhubi por edhe fiqtë që m’i sillte ,motra,tezja ime Hibi dhe tezet tjera sa herë që kam shku në Ulqin.
Fiqtë që i kputshin prej dege, baba, vllau, nipat ….
Çini me fiq të freskët, si nji diell që ndritë dyrnjanë .
Derisa lufta po merrte shpirtin e ti ,dhe ishte në kulminacionin e pikllimit, Axha Agim Zhubi ,m’ thret nji ditë ,mbasi ishin leshu lidhjet telefonike me rajonet tjera të ish Jugosllavisë dhe m’thotë:
-E moj Vili, me ditë ti sa mirë keni ba që keni dalë prej lufte ,e lumja ti , e lumja.
Derisa na po shkëmbejmë nji domatje për nji qep apo nji cigare për nji vo, ti tash je tuj hangër” fiqa” e tuj u rrezit . Më ka pasë there si në zemër kjo fjalë e tija e njeriut që shumë e kam dashtë dhe e kam pasë si shok e jo si kunat dhe gjithmonë e kujtoj me plot mallë.
Ishte njeriu ma origjinal që kam pasë rast me taku gjatë gjithë jetës time .Të gjithë mund të kemi nji hipokrici, por Axha Agim kurrsesi .
Ishte shqiptar me zemër.
Muhabetet e tija ishin shumë të bukura.
I plaste zemra për nji Shqipni
Kur ka vizitu Shqipninë për herë t’parë , me javë e me muaj na ka folë për at vend .
Me kujtohet që e ka pas sjell nji bukë me vejdi, jo për ofendim, por për keqardhje se ku e kanë sjell komunistat at vend t’bekuar.
Ka qenë adhurues i flaktë i filmit.
Nuk kishte film që nuk e diskutonim bashkë me ditë dhe javë mbasi e shikonim . Filmin Colour Purple e diskutonte me lot në sy.Edhe Samiu e donte shumë dhe net e vona me tym duhani me biseda që kurrë nuk kishin nji fund, i kujtoj sa herë me mall.
Edhe pse e kam urrejtë me shpirt at dreq cigare që kurrë nuk e kam dashtë dhe sytë m’i pervlonte, nuk m’shkonte mendja me i lanë me ik pa ofru prap at kafen e dyte që në Bosne me humor I thojshin “sikteruša.”
Viti nuk më kujtohet tamam , por ishte koha kur të gjithë ishim të pasur në shpirt dhe neve jabanxhive na sillnin fiq dhe disa kokrra japrak kur vinim në Ulqin.
Hejret më doli gjumi at ditë vere, shumë hejret. Nga gëzimi sigurisht. Çdo ndjenjë ishte gjallëru.Shkëlqente dyrnjaja me nji bukuri të veçantë .Hapa dritaren dhe hyni menjëherë nji fresk i natjes .
Thash me vehte ah moj mrekulli !
Nji degë fiku hyni mbrenda me shpejtësi
nga penxherja e hapun dhe sikur shtyhej me mu , sikur donte me m’thanë diçka .
E kuptova.
Eja,eja tha më këput sepse jam fruti që Zoti më ka jeretis për freskinë e gojës në mëngjezin e hershëm dhe jam shoqëruesi ma u bukur i kafes . Dola ngadalë përjashta në maje të gishtave sepse të gjithë ishin ende në gjumë. Kishte pak vesë që ende dielli mëngjezit nuk kishte arrite me e ter. Shkëlqente secili gjeth dhe ngjyra jeshile shëndrrohej në nji ngjyrë ari .Kaltërsija e qiellit nuk krahasohej as me vet Perenditë e universit .
E ngreha ngadalë degën dhe këputa nji fik të zi . Më dridhej dora ngapak sikur fëmiu që i gëzohet karameleve . Më ra nga dora fiku I parë . E morra dhe e vuna në pijatë . Jo jo, thashë nuk la nji të shkon dam . Ani fiku .
E këputa edhe nji, edhe nji tjetër dhe e mbusha çininë .
Nji micë e oborrit më sillej vërdallë. Më duket që Ishte pak si e untë.
E dan nji fik moj, he merre edhe ti se paska edhe për ty . Po deshte edhe pak tamël, ta sjell ?
Vazhdoi me at miauuuuu miauuuuu dhe dikur u mësheh në hijen e nji karrike sepse at ditë zor që mund të gjeje nji hije dikund.
Pastrova fytyrën dhe vuna kafen. Nuk më pritej. Sa mirë thashë të gjithë në gjumë Do të ngihem për lezet.
Dita sa vinte dhe ngjallej . Hapeshin dritaret nji mbas nji dhe dëgjoheshin të gjithë gjelat nga larg .
Kukurikkkuuuu ktu e kukuriukuuuuu atje.
-Aty këtu ndonjë kërngallë apo insekt i kopshtit.
-Si ke nijef moj Vildana, u ndegjua zani i parë kajshisë që ishte çu hejret. Freskonte lulet at mëngjez dhe zani ujit shushurishte deri në kopshtin tonë.
-Mirë pa ti si ke nijef?
-Kur ke ardhë moj?
-Dje kam ardhë.
-Sa da me nej?
-Se di taman par rri sigurisht deri sa të piqet fiku gallamat , qesha unë ngadalë.
-Mirë paske ba moj !Pa ti ball Filen që e paske shenu .Pa nuk ke qenë tesh sa kohe. .Hajtë ma ven kafen se erdha.
-Mirë se vjen ,qe se pa e vej edhe nji xhezve.
-Uuuuu pa kur paske ardhë moj Vildanë? Nga ana tjetër u ndëgju zani kajshisë tjetër? Shtirej sikur nuk e kishte ndegjuar bisedën time pak ma parë me kojshinë tjetër .
Pa sa mirë paske ba moj, na ka marrë malli. A da me nej denji ditë, kur kthehesh ?
-Aaaa ,pa qe moj, erdha pak. Rri moj,rri disa ditë, ti a je mirë?
-Mirë jemi edhe na ehamdurilah, e bereqavers prej Zotit .Hajtë ma ven kafen se erdha .
Mirë se vjen moj qe e vuna, si e pi, të mesme a ….?
-Artahe ma, njashtu si din ti.
Mirë , mirë menova, par ku e maj mend si I pin ti….. nejse de!
E morra fikun e dytë, e qërova dhe kllup në gojë . Kafja nisi me vlu.
-Shiko moj shiko kush na paska ardhë!
U ndegju nji za tjetër. Pa ti ardhshë e bardhë moj. Sa da me nej? Kur kthehesh ?
Haj medet menova, pa pse ala pa u pershendet kta vesin kur kthehesh . A thu na jabanxhitë ju nxajmë rrugën a po prej dëshirës që na vijmë ,ose veç si shprehi ?
-Pa mirë se ju gjeta moj . Kam me nej da ditë.
Hajde a pa vjen me pi kafe, se i kam vu. Ç’fare e pi ?
-Qe erdha sa ta vlej tamlin. Du me xan pak kas ma vonë. Kam punë sa dush, ma vonë kam me dalë , par qe, qe erdha.
-Mirë mas u vana pra ! Se i kam kput edhe da fiq të freskta!
Kllup ,edhe nji fik unë në gojë . Secili shijen ma të mirë se tjetri . Thu se tanë shqisat gëzoheshin nga shija e fikut. Nji nga nji të gjithë u çun prej gjumit. Unë at çini me fiq sikur e mshefa demek.
Pa si ke nijef moj Vildan ? U nigju zani amël i nanës teme?
A pushove prej rrugës?
Pa moj pa, hajt se kam vu kafen e pa vijnë kajshitë . Kam kput edhe da fiq, kishin nisë mu pjek.
Ty t’lumshin ata durë , u ndigju prap zani Files teme.
Nji ka nji nihej zani antarve tjerë të familjes me nji “ si ke nijef, a ke pushu moj ?”
Kllup prap edhe nji fik, edhe nji, edhe nji. Dora nuk nalej për kundër që e dijsha që nuk ka mjaftë për të gjithë! Gati i erdh fundi.
Punë e madhe, mendova . Kta I kanë ktu gjithë sezonën .
Me mulu marren e fiqve, qita pak terenhallvë që e kisha sjellë prej Sarajeve .
U mbush oborri, era kafes ndihej deri larg.
Fiq nuk kishin mbet ma. Ama asnjë kokërr .
Deri sa qeshnim llafe muhabet , çohet njina e me vet :
-Pa mirë moj a tha që ke kput edhe da fiq a mu duk mu ?
Ja krisëm gazit të gjitha .
-Ja moj, I thashë se juve ju kane terenhallvën , ç’pa ju duhen fiqtë ?!
Qeshte I gjithë oborri at sabah .
Nuk kaloi shumë dhe ja erdhi tezja . Mbasi u përqafum, qe tha t’i pruna da fiq .
I ha tesh natje se e di që ti kane!
Gazit ia krisëm prap masi të gjithë e morrën vesht se veç e kisha fshi nji çini me fiq.
Nuk kaloi shumë dhe ja erdh edhe motra ime.
Qe ,më tha kishin dalë hejret sat në mezgjah da prej Kodrave me shit fiq, e thashë t’i blej da për natje se t’i kane.
U vun fiqt në tavolinë dhe muhabeti nuk nalej . Herë gaz e herë hallet, njina qit, tjetra prit. Fiq, taranhallvë , kafe…. muhabet.
U feju ky, e u martu aja, kja e mirë e kja artahe, dhe biseda s’nalej.
Micat silleshin herë vinte njina herë tjetra .Herë I xente gjumi ,e herë me miauuun e tyne tregonin që edhe ata at ditë ndihen të lumtuna .
-Mic moj atje, ik theje qafën, ndegjohej zani ndonjenës që i përzente të shkretat mica që veç ishin thellu në muhabetin tonë.
Miauuuuu miauuuuu vazhdonin avazin e tyre dhe lypshin pak hije që zorë kishte mbet dikund .
Ishte kohë e bukur at vakt , vakte të sinqerta, të kanshme.
Mbushej Ulqini me jabanxhitë . I kthehej shpirti Ulqinit .
Fiqt u hangrën, kafja u pi dhe lezeti asaj ditë sot edhe ksaj ditë më mbeti në kujtim.
Ashtu e kemi pasë dikur.
Bijshim nji çini fiq apo nji çini jeprak se ja kane jabanxhijeve !
E bijshin me zemër!
Pra mos u ofendoni kur ju vesin “ kur ke me ardhë e kur ke me shku ?”
Sigurisht që në nënvetëdijen e tyne ata nuk dëshirojnë që na të kthehemi ma në mërgim .
I shprazen zemrat edhe atyne kur ndahen nga ne.
Nuk asht lehtë të përshendetesh me dashamiret e zemrës.
Lamtumirat gjithmonë i kam urrejtë . Ende i urrej .Sigurisht edhe ata që na vesin “ kur ke ardhë e kur keni me u kthy “ i urrejnë lamtumirat . Fatkeqësisht gati secila shtëpi sot, dikend të dashtun përcjell me një lamtumirë që i plas zemra.
Se na ,jemi ata që ia kthejmë shpirtin vendlindjeve tona !
Jemi rreze dielli për nanën e babën kur na shofin ke dera . Jemi ringjallje për vendlindjen .
Medet që nuk i kemi ma ….
Medet që nuk qillojmë gjithmonë kur piqen fiqtë ,sidamas ata fiqtë gallamat !
Medet për vendlindjet tona sa të bukura i kemi, e medet që çdo gja dalëngadalë ka ndryshu.
Vizitat po rallohen, dashnija po merr forma tjera.
E na, e na tuj u plakë e tuj pasë nostalgjinë edhe ma të madhe për at kohë.
