Nga memoaret e përkthimeve

Nga memoaret

Emrin e ti e kisha të shënuar në fletoren time me gjithë orarin dhe adresën.

-Mirë dita, e thira me emrin e ti !
Unë jam Vildana, jam nga Ulqini.

-Mirë dita, u përgjegj shkurt, fare pa me shikuar në sy!

– Nga të kemi?

– Nga Gjakova, u përgjegj shumë shpejt dhe pak si me inat!

-Nga, Gjakova…..?
Oooooo edhe unë e kam bashkshortin nga Gjakova, sigurisht ke ndi për familjen Zhubi?
– Jo, nuk kam ndëgj- uar, sikur desht me nderpre at fundin -uar- !

Nuk vazhdova më. Kuptova që ishte në vuajtjet dhe me sekretet e veta.
Nejse.
Një heshtje pak e gjatë, dhe mezi pritsha me na thirë mbrenda .

Ishim ulur në karrikat para dhomës, dhe herë pas here ndërprehej qetsija që më mbyti, me pyetjet e mija pa asnjë randësi, vetëm me thy heshtjen që bajagi ishte e ftohtë dhe e randë.
Isha mësuar, me biseda fare ndryshe, dhe shumë të ngrohta, bile edhe në takimin e parë.

Nuk u desht shumë ,dhe e kuptova që nuk ishte nga Gjakova.
Nuk Ishte ky fare problemi im, por si t’ja spjegoja, në mes asaj ftohtësi dhe heshtje.
Poashtu kuptova,që çdo pyetje e ime e bezdiste, dhe thjeshtë donte qetsi!

Nga dhoma doli counselor ( keshilltar apo psikolog) dhe na ftoi mbrenda me një kërkimfalje të sinqertë për vonesë!
Prezentohet ai me një kujdes të veçantë dhe menjiherë ia nisi me pyetje .

Këtu në Angli,edhe ke mjeku, edhe ke advokati, edhe çdo kund, janë pyetje dhe përgjigje të shkurta.
Por…. Kjo nuk vlente fare për ne nga Ballkani.
Përgjigjet sillen e pshtillen, fillojnë diku nga kohë e gurit,mesjeta e vazhdojnë e vazhdojne deri në ndërprerje nga bashkbiseduesi!

Pra, counselor nisi me pyetjet e veta.

Përgjigje e parë…. dhe nisa me u djersitë .
Në një moment, mendova që pran meje Ishte Ismail Kadare.
A asht e mundur ,mendova.
Jo, jo, ky nuk është Ismail Kadare.

Përgjigje e ti nuk kishte të bente fare me pyetjen. Ishte një filozofi e tërë, ishte Maksim Gorki in action, ishte Pushkini , Ismail Kadare, Pasternak,Karl Marks,Kundera…..
Dikur counselor e ndërpreu dhe priste tash nga unë përkthimin.
Isha trullos fare.
Isha djersitur, isha skuqur.
Thjeshtë ,rash në siklet, dhe nuk dijsha ku me ia nisë.
Nga njëqind përqind arrita të përkthej njëzet përqindshin.
Vazhdoi pyetje e dytë, e tret….
Sikleti im rritej, dyshimi counselor në mu që nuk po përkthej romanin shtohej, kurse nervoza e ti sa vinte e pëlciste .
Vazhdon pyetja e pestë…. dhe o Zoti im!

Nuk kisha ma shpëtim.
Perdja ra!
Teatrit I erdhi fundi.
Sikur shuplakë mbi fytyrën time, dhe habija tashma nuk kishte kufi.
Morra me çel gojën, me vazhdu me përkthimin gjysmak që nuk kishte rob nane që mund të arrij me përkthy gjithë at filozofi….kur papritmas ndëgjohej një gjuhë anglisht perfekt por me at -L- të butë që dihej që ky bilbil tashma ishte nga Shqiperija, që e fliste anglishten më bukur e më mirë se unë dhe nga zemra e plaste që nuk po e përkthej të gjithë, i plasi durimi dhe nisi me folë vet.
Në fakt ai nuk i përgjigjej asnjë pyetje…
Counselor u shtang, u habit, ra në heshtje, rrotulloi sytë disa herë në drejtimin tim,por nuk e pyeti- po pse ore mik ti me këtë anglishten perfekt, çe deshe përkthyesen ?

Ora mbaroi, dhe u përshëndeta me të dy, ashtu si e lypte puna.

Kurrë nuk kam pasë më shumë siklet si at ditë gjatë ditëve që kam punuar si interpreter edhe për shqipëtar edhe për të tjerët nga viset e ish Jugosllavise!
Ishte herë e parë dhe e fundit që më dhanë detyrë me përkthy për një ciceron, një filozof të përkryer me fazat e Utopia, kapitalizmit, borgjezisë , komunizmit dhe ku ta di unë se ku hynte dhe ku dilte.

Ishte mjerim dhe dhimbje kur nuk kishin besim në mu, dhe nuk tregonin që ishin nga ajo Shqipëri që unë aq shumë e kam dashtë.
Më vinte me bertit
-fol ore mik t’vertetën, se edhe kosovarët dikur mbas luftës dytë botrore, për me marrë vendim në Amerikë, lajmroheshin si të Shqipërisë, sepse veç ashtu kishin të drejtë me marrë lejeqëndrimin !

Fol ore mik se nuk e kam ndërmend me tregu që nuk je nga Kosova. E di që ke vuajtjet, e di që ke familjen, e di që prej qefit kush çohet e vjen shërbetor në vend ku dielli del në aksham !
Fol ore mik se ti si ta çel gojën e di nga vjen sepse andërr e kam pasë at gjuhë bilbili.
Të kuptoj fare mirë, po ti pse nuk me beson?
Më trego ore mik nga je, sepse spijunat e vegjël nuk kanë vlerë në këtë shtet!

Ishte parulla- gjindu si të mundesh, për egzistencë, për familjen, për një shpëtim dhe jetë kinse më të mirë diku në shtigjet e botës!

Sa herë kam ardhë prej punës dhe jam ul me vaj kam qa fatin tonë!
Fatin e kombit më të vjetër në botë.

Pse, pse, pse…. ky fat?
Deri kur kemi me ik dhe me lujtë lojën kuk’si, eja më gjej nëse mundesh!
Deri kur kemi me dhanë arsyetime botës për faktin që marrim frymë, për faktin që jemi një dhe mund të kalojmë kufijtë edhe si shqipetar edhe si kosovar për një leje qëndrim që po na ç’rrënjos nga vendi ynë !

Ku qëndron mallkimi në antikën dhe vjetërsinë e ndryshkur që të gjithë mundohen me na rrejtë që po dojnë me pastru at ndryshk kinse po na nderojnë !
A jemi në riparim të përhershëm nga ndryshku me na dalë shkëlqimi jonë ?

E na friksohemi nga hija vetvehtes në vend të huaj por deri sa jemi në vend tonë edhe rrezeve të diellit I shpallim luftë!

 

Scroll to Top