-Pa vijnë pa vijnë!
- Hajde hajde ardhshin t’bardhë !
- A jemi gati me tana?
-A I keni rreshtu stolicat e tavalinat si duhet? - Vajza a isht smirit pak ?
- Çka me ba pra ,e rrita prej ditës që m’ka le për këtë ditë me dalë prej k’ti kanak!
-Kat s’kanë thanë, darka huj isht vajza. - Nejse nejse hajt tesh rreshtonuni me prit miqt!
-Ata adetet e grave tesh ju i dini,mas na koritni ,juve ju kam lanë! - At duvak e shkopin a i keni ba gati?
- Krushkat mas m’i leni me prit, qitni ata limunata,kafe e ata amëlcina menjiherë.
- A pa nini, mas u zgërthitni aty n’kuhinjë si e keni adet.
-Sofra a isht e shtrume?
Shtroni ata tavalina ashtu si na ka hije se Agallar tanë jemi për vejdi,e asnji sh’pi s’da mu koritë. Ashtu si na ka hije t’i presim.
E ata n’qofshin Begler ,punë e madhe fart,le të kallxohen me vajzën tonë! Le ta dijnë mirë se vajzë e f’mi për s’tepërmi s’ka kush! Ishalla e dijnë at gja, par edhe vajza jonë ishalla nuk na korit!
Zoti mas e baftë se s’ka kuj i gjet me na marrë ftyrën. - A jeni gati, mas u habitni se hallall nuk ju baj. E kam këtë vajzë dëshirit , e ka baba edhe pse i kam edhe dy tjera. Kja isht si bumallë. Ma hakitat s’ban ma nana.
Kam shyqyr Zotit edhe djelmt ,ali boga mi ,kja disesi nryshe prej tanve.
-Mas na koritni , a morët vesht,e mas bani masllahat kote tesh ju gratë si e keni adet!
Muzika u nigju prej fun’it rrugës.
Dajret me harmonikë të percjellun e çun në kam’ë mahallën.
Tupani ,lodra…shkyhet prej dhimbjes të zemrës prindve.
Dikush në penxhere, dikush mas pantarje e shumica në rrugë.
Dikush thotë nusja si pllum e dikush sa e udobtë .
Dikush mas e paftë syni keq e dikush hajt se mirë ball shyqyr që i doli fati se…..
Dikush thotë zavallja aja ku pa shken e dikush, ka pasë nefak besa paska qenë e lemun natën e Kadrit.
Aty për aty ta caktojnë fatin e gjithë jetës dhe t’ shkrujnë referencat edhe CV tande dhe familjes burrit tand.
Kanga sa vjen e afrohej.
Krushkat të veshuna me takym e hillallyk si fluturat e bahçes.
secila ma mirë se shoqja.
Sa bukur na ka dalë nusja ,
marshalla, marshalla,
E bukur për bukuri marshalla marshalla
E ka shtatin o si selvi
- Erdhën, erdhën nuk n’aleshin f’mitë me f’tyra të gzume ,par edhe se të habitun se mos po gabojnë diçka,tuj dhanë haberin!
- Hajde o kryshq he mire se keni ardhë.
-Uluni uluni, gratë le të vazhdojnë në odë ke nusja!
Urdhnoni urdhnoni, musafir e ardhshit me kam hajrit. Ju ardhshit bardhë e pastë kush na vjen!
Peja ,peja ti ulu njaty në kry të tavalinës. Ti ulu njaty, ti afër mikut e ti njaty, mirë je ,mirë je ulë . - A jeni lodhë se kja tramalinë rrugës tonë bajagi e zorshme m’u njit teneltë !
Herë lun hankja me sy e shkel synin nuses shpisë, herë halla e herë tezja.
Shkelet syni çdo minut.Si žmigavca tamabili!
Ia nisin pershperitjet që zorë se kush i ndin si duhet ,nga zhurma që askush askuj nuk ia leshon rendin.
Kangtë ulqinake për nusen ,nisin nji mas nji dhe janë ata kangë që nuk i n’in askund në trojet tona për veç në Ulqin dhe në Shkodër.
Aty k’tu n’dihet krismat e revoles që të trishtojnë në mes ati mallëngjim. A thu se dojnë me friksu vajzën para vaktit, apo dojnë me derdh trimni në darsma?Kurrë nuk e kam kuptu pse me gjujtë pushkë në darsëm.
Vaji I nanës kur del vajza i prek të gjithë ,ama kur shifet i ati tuj fshi lotin aty nuk ka zemër që nuk pëlset.
Nusja si kakonë,
M’ka shku menja me u feju,
Si dukat i ballit je,
Mori lulja blinit, varzat e Ulqinit
Shegë e amël moj,
Kush ma i pari bani, more bir gyrbetin
O ti breg deto uj i njelmtë…. e deri sa hyn nusja në sh’pi, ku i lyhen gishtat me mjaltë e i shkelet kam’a .
O po vjen Sija moj Lale prej Ulqinit…
Ahengu vazhdon deri në oret e vona deri në nji dërmim total.
Pak qesharake, pak ironike , shumë e sikletshme për nusen,por adetet ulqinake që nuk zbehen kurrë ,janë ma karakteristike që kam pa në jetën time.
Janë histori , janë traditë, janë art, janë vuajtje dhe gezim.
Janë gjueti e peshkatarit, pritje e detarit që nuk ka qenë me vite, janë malli jabanxhiut,janë drandafile që çelin plot erë , janë marak i çunit për gocën , janë flamur I humjeve dhe fitoreve janë treg i Harapit të pazarit të Kalasë me gusharavelin,e deri ka kanga e Rexhës dhe Tahirit, kangë plot tragjedi që unë kurrë nuk e kam kuptu pse këndohet në at ditë gëzimi.
Ta çojnë zemrën peshë edhe e gurit me qenë.
Momentin kur del nusja prej shpisë t’babës nuk len zog në degë pa e vajtu at hapin e parë kur del prej pragut ku ka le.
Të përqethet trupi nga dënesa e vajzës.
Shoqrohet gjithmonë me at diellin e fundit majit,t’gushtit ose shtatorit sepse nusja zakonisht në Ulqin merret para ose mas strancave, sezonës .
Herë qanë fatin që ka me shku në shpi ku nuk ka pasë dëshirë, herë qanë fatin që e di çka e pret e herë qanë fatin që prej at ditë ku ka le e ku u rritë në at shpi ka me u kthy musafir ose e mirëseardhun ose jo nga nji bi tjetër që hynë në at kanak që ajo ka dalë .
Me temena del prej shpisë babës dhe me temena hyn në shpi të burrit.
Nuk jam e sigurtë për faktin e dashnisë të Servantes ndaj Selvetes por nuk më çudit aspak sikur veprat e tija ma të bukura të jen inspirim në Kalanë ma të bukur në botë.
Pa dyshim!
Sot plot 41 vit ma parë që i kam thanë lamtumirë pragut ulqinak dhe kam shkel në pragun gjakovar me vaj në buzë të babës dhe nanës.
Ishalla m’a kanë ba hallall se tash jam tuj e kuptu se fëmijët kurrë nuk rriten dhe na kurrë nuk jemi të gatshëm për asnji largim të tyne , qoftë edhe në t’njajtin qytet .
Adetet janë të bukura ,por veç kur mbahen si tradita e kurrsesi si gjykime.
Vendi, fshati, qyteti pa tradita nuk ka lezet.