Pashkët

Urime festën e Pashkëve!

E shoqja e Nrekës me t’shoqen e Mehës ishin gati nji shekull bashkë.
Ashtu thojshin njina tjetrës kur takoheshin:
“Njifemi prej bir vakt!”

Nji katund fare afër Ulqinit kishin le dhe n’t’njajtin katund ishin martu.
Njina kishte le n’vakt qershijave, pak para luftës, e tjetra n’vakt fiqve gallamat, diku n’fillim t’luftës.
N’vakt bombardimeve ishin mshef n’nji katund tjetër afër Shkodrës dhe prap ishin kthy.
Nafaka, shpijat nuk ia kishin rrëxu, as nuk ia kishin djeg.
Jeta kishte vazhdu dhe, kadal-kadal, gjanat zun vend.

Ishin fare t’vogla; lujshin bashkë. Ma vonë, kur u rritën, nisën me i ngarku me punë fushe, punë dore e, besa, edhe me gatu.
Dy shpi shkojshin, ja si me qenë kajshi, par si nji shpi.
Fmitë e dy palve ishin fmi terbjetçëm, t’nigjushëm e tanë dashni.
Fmitë duheshin mes vedi dhe kurrë nji fjalë s’e kishin pas.

Besa, gati harrova: djali madh i Metit, nji ditë, t’i kishte hy kopshtit e katecit t’pulave dhe t’i kish thy votë, nji ka nji.
Kur e kishte pa i biri Gjonit, t’ju kish l’shu e kap për fyt djalin aq shumë, sa që baba i vet, që e kishte pa, ishte trem aq shumë dhe, n’vend se me i bërtit djalit t’Gjonit, t’ia fut nji shuplakë djalit vet. I shkreti, n’hall t’vet, nisi e ia kris vajit.

Kur e merr vesh baba i Gjonit, vjen ke kojshija, kërset n’derë dhe, ala pa i thanë kush “bujrum, hajde mirë se vjen”, hap derën, hjek kpucat dhe niset drejt oxhakut, ke mineri ku ishte ul i zoti shpisë.

— Oooo, hajde mirë se erdhe, kojshi! — ia pret i zoti shpisë.
Zgjasin dorën njani tjetrit, ulen dhe nisin muhabetin.

— Shiko, o Shaq, unë erdha me t’than se sa keq m’vjen dje çka nodhi. F’mi hesapi, ala t’ri, par ka mujtë edhe me u kry me t’keq. E ti, n’ven se me i bërtit djalit tem që e kapi për fyt djalin tan t’dëshirit, ti ia fute shuplakë djalit tan. Gjumi s’më ka xan tanë natën e sillu-pshtillu tuj menu taksiratin se çka ka mujtë me na gjet. Erdhi kry t’ulun e me frigë se ma myll derën.

— Çka je tuj folë, o mik? Po djali jem hyni sherrin i pari. Edhe pak ditë keni Pashkë, e ai vjen e then votë nji ka nji. Punë fmish, allahile, e ti ma ban hallall. Po qoftë e kalume e harrume, se miqsija jonë ka nisë as me mu e as me ty, par me gjyshat tonë. E ti fort mirë e din se sa respekt ka familja juj n’kët rethin tonë. As Bajram e as Pashkë s’kemi prit pa njeni-tjetrin. E ti hallall e paç e rrnofsh, o kajshi i nerum!

— Oj nuse, pa qite ma at kafe, se s’ke shku n’Arabi me e marrë! Bjeri edhe da kshenja e da arra!

Aty mbaroi muhabeti. Dy miq u knaqën qit e prit dhe fmitë e tyne kurrë ma nuk kanë pasë gjysë fjale.
E Sidamas Dila, me Nafijen, kishin nji dashni motrore. Ishin ba edhe motra gishti.

U martun: Dila për Nrekën, Nafija për Mehën.
Kalun t’zezë e t’bardhë, rritën fmitë me njiqind halle. Herë shifeshin pak ma shpesh e herë shumë rrallë, por dashnija tyne mbet aq e sinqertë e aq unike.
Vite e dekada.
Martun fmitë, përcjellën fmitë, u banë gjyshe e stërgjyshe dhe nji ditë, si njina si tjetra, metën vetëm.
Vdiq Nreka ma parë e mas sa vite vdiq Meha.
Fmitë u shpërndanë anë e mbanë botës.

Sa zbardhte nadja, ose Nafija shkonte ke Dila, ose Dila shkonte ke Nafija.
Hiç pa u marr vesh n’telefon, s’kalonte ditë pa pi kafen bashkë.
Bile, nji ditë, Nafija ishte nisë ke Dila e Dila ke Nafija, e u takun n’mes t’rrugës.
T’ja nisën gazit e tuj mulu gojën të dyjat, se njanës i kishte met nji dham e tjetrës nja katër-pes.
E, hiç pa vetdije, t’ja nisën bisedës, tuj u kthy n’fmini e n’rini.
Herë qajshin e herë qeshnin.
Malli për f’mi i kishte këputë të dyjat.
U ndanë at ditë hiç pa pi kafen.

Ishte ditë prilli dhe at nadje Nafija po priste votë e Pashkëve, që tashma me dekada i kishin ardhë ke dera për fmitë e saj, për nipat e për mesat. Por kjo traditë vazhdoi edhe kur mbetën vetëm.
Nafija e thriste për iftar, për Ramazan, Bajram.
Asnji festë, asnji gzim e asnji idhnim nuk e pritshin pa njana tjetrën.

Kaloi ora dhjetë e asnji nishan prej Dilës. Nafija nisi me ba kasavet:
— Jaaaa, s’ban vaki! Ku met kja gru, lahuvelah? Ata durtë e saja, ditën e Pashkëve, nuk lajnë gja pa sjell. A mos fola gja keq unë matufja e kam ranu? Hej, more hall!

Veshi papucat e oborrit dhe u nis drejt shpisë saj. I ra derës sa herë, por nuk u ni kush.
Ke dera pa nji kaçile me vo tërli-tërli boja, aq bukur t’palume. Kishte da lule, da çokolada e da paketime t’vogla. Durtë e saja t’vogla aq bukur e kishin mush atë kaçile.
Nafija nuk besonte sytë.
— Ku isht Dila jeme, he Zoti jem?
-Ku isht ej gazi saj që nihet prej odës ala pa dalë ke dera?

— Dile, o Dile, pa ku je moj gruja botës? A ma ven at kafe, a ta vej vet? Hajde ma, a nuk je çu? Çka t’ka kap demelija tash n’pleqni, o gru?A ke thanë se na kurrë nuk plakemi!”

Nuk u ni za.
Nisën me ju dridhë kamtë.

Dila kishte ra n’gjum t’përjetshëm, me buzë n’gaz e me durë t’kryqnume njanën me tjetrën.
Si nji meleq. Si nji ferishte. Ashtu me gaz e urtë si kishte qenë tanë jetën!

Zani Nafijes nuk dilte. Nuk bërtiti, nuk qau, nuk ecte ma.
U ngri për disa minuta. Mbajti gjoksin me dorë. Ju kujtu që dje Dila i kishte thanë se kishte pa nji andërr t’keqe.
Zemra nuk plasi. Shtërngoi gjoksin fort.
Dikur shpërtheu vaji.

Mori kaçilen dhe doli ke dera.
Katuni kishte met thatë.
Tak-tuk da kajshi.

Dila ishte e fundit që i sillte votë të gjithëve në at katund.
Dielli perëndoi shumë herët at ditë. Nata rrëmbeu lotët e Nafijes aq pa mëshirë.
Votë e Pashkëve i rujti deri sa ishte gjallë.
Edhe ashtu ishte tha goja saj, ashtu si zemra.
Dila kishte marrë tanë dashninë e tanë kujtimet me vedi.

Dielli perëndonte herët e ma herët, edhe pse muaji maj, qershor e korrik po vinte…

Scroll to Top