Sikur Gonxhja

E shkëputur nga memoaret.

E shkëputur nga vet jeta ….

Nëse në ëndërr shihni që jeni në tokën e huaj, mos u trishtoni ! Bile unë kurrë një ëndërr të tillë nuk e shoh.Unë sa herë që ëndrroj,  ëndrrat ende i shoh në tokën time .

Po ς’është sonte e gjithë kjo nostalgji ? 

Të rrahurat e orës sikur ngjiten shkallëve deri në pikën e pendimit të egzistencës time .Tik -tak,tik tak….,dreqi ju marrtë sa zhurmën e bëni ! Më bini rrashtës si thika !

Lexoj Enver Hoxhën e Blendi Fevziut . Orët e vona dhe mua nuk me merr gjumi fare .Më mbushen sytë me lot.

Nuk e di pse por duke lexuar më kujtohet Sterio Spase. Gjoni ! 

Dhe prap vazhdoj lexoj Blendin dhe lutjet e Nënë Terezës për një takim me nanloken e sajë .

Po nana ime çdo në këto kujtime? Pse po përzihet në këtë natë pa gjumë  ?  O Zot, po Enver Hoxha?

Po ku iku truri im ?

Më turbullohet truri fare sonte. Dhe më ngulfatet shpirti, më ulurojnë ndjenjat në qetësi. Shqirren ato ndjenja  deri në tru ,por unë  buzëqeshi që askush mos t’vërejë ! Edhe ashtu është natë,dhe natën të gjithë zhduken, të lajnë vetëm!

Njerëzit kanë  netët  e veta !

Se di se çfarë lidhje kanë këta mes vedi ? Për çudi sa vrapon truri!  Ik si refugjati . Kërkon azil nga zemra , ik prap se nuk rahatohet sepse e din që kafka është e vetmja vendlindje .

Nënë Tereza, Gjoni i Sterio Spases,nana ime .Enver Hoxha ? Zot të lutem më ço pak gjumë para se çmendem !

Linda në Ulqinin , qytezën e lashtë  magjepse , ku vet kështjella i mbron qytetarët e vet, dhe çdo natë i len pa gjumë me tregimet e veta që nuk kanë të ndalur. Kohrat  ishin ndryshe .

 Të bukura, më të shejta. Apo ashtu më dukej mua? Familja, shoqërija,gazi deri në kupën e qiellit . Zemra plot. Qeshnim, kishim për çka. 

Nisë një kapitull tjetër i jetës .I bukur përsëri,sikur  çdo i ri që e dëshiron. Ende nuk i kisha  18 vjeç .

Kur e lashë Ulqinin, viti ..78 , nuk mendova që  nuk kthehem më .Ishte shtatori i ndarjes nga i bukuri im .

Sarajeva ishte ndryshe ! E bukur por ndryshe .Vitet e një studenti që ende i kujtoj me mallë.

Ditë  që nuk përshkruhen.

Sarajeva qytet i antikave,modernizimit ,turqizmit dhe  austrohungarisë, një gërshetim i shumë popujve religjioneve dhe kulturave. Qytet i defrimit ,aty ku kafja nuk pihet pa llokum,dita nuk kalon pa u permend tre personazhet kryesore të  barcoletave: Mujo,Suljo dhe Fata ,ku  jeta ka vlerë dhe për dallim nga ne shqiptarët ,atje dritaret pastrohen për  mot të lig, ndërsa qefi bëhet gjatë motit  me diell.

Qytet ku shija dhe aroma e byrekut dhe e qevapave të fton çdo ditë në sofrën e Bash Qarshisë dhe nuk të le të ikësh kurrë nga ajo shije.  Ishte i vetmi qytet që  konsiderohej si një Jugosllavi e vogël.Ishte popull i orjentuar në dëfrim më shumë se në drejtimet politike. E pësuan keq .Më keq se askush ,ndoshta sepse nuk kanë orientim apo nuk kanë zgjidhje tjetër .Në fatkeqësinë e tyre më të madhe ,Kosova pat fatin që lufta nuk ia nisi aty para se të niste në Bosna .Kosovarët  ishin zhdukur nga trulli toksor .Nuk e di por sa herë mendoj se kjo ishte merita e Ibrahim Rugovës me politikën e ti pacifiste.Ku ta di ,mund të jem gabim .

Por Viti 1992,ndryshoi çdo gjë. Ora ndryshoi akrepat e vet por me një kokëfortësi të vet nuk ndalej . I hidhte akrepat me inat , dhe ne nuk mund ta përcjellnim më.

Ëndrrat mbetën veç ëndrra.

Vjen një ditë Samiu prej butikut ( e kishim një kat më poshtë banesës  ), në qendër të Sarajevës dhe më thotë: “ më erdh në butik një boshnjak shoku im, dhe më tha, Sami nëse ke ku me ik, merr plaçkat dhe baju një minut e më parë,biće krvav Bajram ( do të jetë Bajram i përgjakur ). Unë që mendova që nuk zgjatë edhe nëse ndodhë diçka e kisha mbushur dollapin me tuna, dvopek dhe kanta uji. Vaj ulliri nga Ulqini kisha plot . Ende sot më kujtohet kur gjithë më qeshnin kur i blejsha ato rezerva lufte . Disave nuk ia priste mendja. Atyre që ia priste nuk i nevojiteshin rezervat. Paluan valixhet me kohë. Unë nuk deshta me lanë shtëpinë . Duartë nuk më shkonin me palu valixhet , teshat i paloi Samiu . Por kur at natë në Vase Miskina nisën me dalë disa djelm të ri boshnjak me disa revolver në dorë, isha unë e para që luta Samiun, – hajde shkojmë në aeroport se mund të mbyllet rruga !

– Jo, jo më tha ai, ti rri dhe ruaj konzervat dhe dvopekat , sepse ti nuk deshte me ardhë!”

Nata ishte e gjatë dhe e tmershme . Nuk kalonte. Nuk fjetëm aspak ! Mëngjezi dikur u duk me një milion pika shiu që shponin çdo rrugë, çdo kulm ,ςdo dritare .Pikat e shiut paralajmronin plumbat .

Qielli ishte ngrysur atë ditë. Sikur qante. Mëngjez që nuk harrohet.

Ishte dita e fundit e bukurisë. Qytetin e priste mortaja.U nisëm hejret në mëngjez për aeroport. Binte një shi ,të kujtonte në lotët e zogut shtegtar. Ishte i imtë dhe merrte hijen e një Ezani që vinte nga minaret e qytetit . Toka kishte nisë me u çel dhe po priste viktimat e veta nga gjithë moshat pa dallim dhe pa intervenime  .Plumba  që prisnin gjamën , gjamë që priste kufomat . Edhe ata që ende nuk kishin lindur i priste dheu i Bosnës .

E gjithë Sarajeva ishte pregaditur at ditë për një vajtim të qyqes. Qytetin e kishte mbuluar një re e zymtë dhe era barutit po ndihej gjitha anët. Nuk fliste asnjeri .Lotët i përbinim .Unë Samiu,Dreni dhe Arti ,nuk ia ndanim sytë secilit trung që lajmronte pranverën e përgjakur ,secilës rrugë secilës pikë shiu deri në aeroport. Sikur na thoshte zemra që po nisemi në rrugë pa kthim . Asnjerit nuk i dilshin fjalët nga goja. Arritëm në aeroport. Për veç drejtorit të aeroportit Muhamed Abaxhiq dhe ne , të gjithë ishin të nacionalitet serb. Po barteshin me kuca dhe maca,me tesha dhe po shpërnguleshin për gjithmonë . Ishin të pregaditur. Derisa ne na ishte ngri goja ata me një eufori lëvizshin nëpër aeroportin e qytetit që aq shumë e kishin dashur dhe po ia sillnin kokën pa pikë  mëshire. 

Të tillë ishin ata !

-Dragane , Mileva,Zorane ,Mirko thirshin njëri tjetrin. Vlonte atyhi nga arroganca, frika, habitja , por sikur ishin të gëzuar që po iknin nga ajo që i priste boshnjakët ,  që mbetën në rrethimin e tmershëm 4 vjeçar . Festa Bajramit kurrë nuk pat Kurban më shumë se sa at Bajram .Pikërisht nga ajo JNA që unë sa herë kam marrë pesëshe dhe libra si dhuratë për shkrimet e mija që i kam shkruajtur me plot dashuri .

Arritëm në Beograd .I gjithë aeoroporti po pritshin familjet që po shpërnguleshin nga Sarajeva .Ishte mbushur plot .

-Mama, tata,tetka,bakice ,ishin thirjet dhe përqafimet në aeroportin e Beogradit .Mua më dukej si Crnigrad e jo Beograd at ditë  ai qytet që dikur më pëlqente aq shumë. Ishim të vetmit që nuk na priste askush .U përshendetēm me Muhamed Abaxhiqin që nuk me kujtohet se ka po vazhdonte rrugëtimin e ti , dhe ne hypëm në taxi pēr në stacion të autobusave. Destinacioni ynë ishte Prishtina .Ishte hera e parë në jetën time ku kisha shijuar një frikë .I luta Asdrenin dhe Besartin ngadalë ,qē mos të flasin shqip. Ku me ditë sa janë çudititur zemrat e nanës , sepse ishte hera e  parë që po me  ndegjojnë mua , që i lutesha “mos me folë shqip.” Mua që kurrë më parë në shtëpi nuk i kam lejuar me folë gjuhë tjetër për veς shqipes .Ishin ende të vegjël me kuptu se ς’farë po ndodhë at prill  .Vinte era fashizëm gjithë anët.  Më kishte hy një hata në zemër ,një frikë .Rruga Beograd -Prishtinë ishte e gjatë për katër fytyrat e zbehta që tashma kishin harruar me folë . Nuk më kujtohet cili nga ne ishte zbehur më shumë . Diςka po ndodhte ,një valë e re po rritej dhe po pregaditej të luftonte shkëmbij dhe rrufetë e kohës .Një valë e jetës që grabiste ςdo gjë përpara dhe nuk le shenj nga e kaluara .Një shtet po shkatrrohej .I kishte ardhë fundi . Arritëm në Prishtinë ku ende trazirat nuk kishin nisur . Kosovën e kishin ruajtur për desert . Nuk ia morri mendja që resistenca e muslimanëve dhe popullit kroat  mund të ishte aq e ashpër .E tëra më dukej si ëndërr . Ishte fillimi i mbarimit .

Hiç pa u menduar,veç me dy valixhe u nisëm rrugës për shpëtim. Sa çudi ,e gjithë pasuria palohet në dy valixhe kur vie zori, por kujtimet janë aq të rënda sa nuk duron dot truri ,dhe nuk i bartë dot zemra që është aq e pafajshme ndaj një barre aq të madhe .Kujtimet,ah sa të rëndojnë . Nuk ka hamall që të ndihmon ,ta mbashë atë peshë aq të rëndë .

Shpresonim që lufta nuk zgjatë shumë,veç disa muaj ndoshta? Por jo ! Çdo gjë që mbaroi at prill në Sarajevë nisi udhën e re që na priste .Nuk ishim të vetëm . Evropa dhe bota tashma i kishte hapur dyert për pastrues, kelnera , dado ,babysitter , hamall të radhës ! Ksaj radhe patën fat Evropa dhe bota. Fëmijët e tyre po edukoheshin nga dadot më të edukuara  dhe me kvalikime , hotelet po pastroheshin nga njerëzit me fakultete dhe profilet të larta. Ishim refugjatët e parë në Evropë me çizmet dhe modën e Italisë . Edhe vet  çuditeshin që po ballafaqoheshin me refugjatë që ende i kishte mbet era e parfemave Nina Richi ,Dolce Cabana dhe shija e modës të metropoleve evropjane. Disave nuk i pëlqente fare sepse ishin të mësuar me servilitetin e Philipineve dhe shteteve tjera që ishin të kvalifikuara për “yes sir dhe yes mam .”

Ata që ishin fëmijë ,i mbeten lojrat në dorë dhe me kaq u kry fëmirija tyne.

Ata që ishin të ri i mbetën ëndrrat pyrgjysëm,dhe u zgjuan me një tmerr ende pa i kry ëndrrat e jetës.

Ata që ishin pak më të moshuar mbetën si të habitur,”se çka na gjeti kështu?Ku jemi,ku vemi tani ? Ku t’ia nisim ?

Kurse ata në pleqëri, vdekën  e tyre e pritën me shijen e hidhur në buzë,dhe lotin që nuk i teret kurrë:(((

Vazhduam në një kërkim të ri,për të jetuar  me ëndrrat e shkëputura. Lufta nuk ndalej por sa vinte dhe bëhej edhe më e egër . Tashma duhej me marrë vendimin .

Me ik diku .Gjermani ,Francë , Angli ?

Gjermani ,sepse unë e flisja gjermanishten ,Francë sepse Samiu kishte jetu  në Paris disa vite si student dhe e dinte frengjishten ,apo Anglia ku na ftoi kushëriri  Samiut ,Ylli ,dhe na tha se kushtet për refugjatë për momentin ishin më të mira se çdo shtet tjetër . Që edhe vërtetë ishte ashtu.

E keni para syshë pra ,veς me ik diku ,plan dhe dëshirë nuk kishte ,kërkonim të kapemi për një copë kashte.Kudo ,nuk ishte e rëndësishme aspak .Për momentin mendonim të nisim një jetë ku nuk duhet të flasim me gishta .Dikush t’na kupton vetëm pak .

Dhe ja…. biletat me një drejtim u blenë . Ditën e fundit në Prishtinë derisa dola me u u pregaditë për udhëtim, dikush ma mori kuletën me gjitha dokumentat që i kisha pasë . Sikur hajni ma morri edhe identitetin tim  atë ditë ! Për çudi ,më shpetuan biletat dhe pasaportat ku diçka me para-lajmronte   se një identitet tjetër po më pret diku në tokën ku dielli del në muzg.

Me 27 shtator 1992 erdhëm në Angli , pa e ditur fare se ky është udhëtimi i fundit për disa. Aeroplani prej Shkupit arriti në Heathrow. Në Shkup përshendetjet , përqafimet , plot aeroporti çdo kush në drejtime të ndryshme? Gjermani, Angli, Zvicër dhe KAHMOS destinacione. Por askush në drejtim të atdheut. Askush nuk po vjen ,por të gjithë dikah po shkojnë. Në një  jetë të re. Plot përvoja të panjohura,njerëz të ndryshëm, nga gjithe bota, një gjuhë tjetër, por jo ajo gjuha ambël që ma kishte  mësuar nana ime, Filja ime.Rrugë dhe drejtime të panjohura, botekuptime tjera,një X i madh në jetë:(:(…?Fundosje dinjiteti,çdo herë i përcjellur me humorin e hidhur. Profesione pa hiç profesion. Dhe me radhë….një javë, dy,tri. Me shpresë që kethehemi. Pas një muaji,një viti,një dekade.Çdo ditë ktheheshim,çdo ditë  jetonim atje nga erdhëm . Ja që edhe sot mas 24 viteve atje jemi me zemër.

Ulqin,Sarajevë ,Kosovë ,Londër, as vet ma nuk e di ku e kam zemrën ???

Dhe ja sot 24 vite,po dehemi nga fati, po adaptohemi! Jo nga dëshira,aspak fare,por nga një dëshprim i thellë.Se ku o toka ime e din ti ,se ku ndodhem unë? Për  ty jam e humbur. Deri sa unë zemrën e lashë atje  ti po digjesh me hallet e tua .

Deshtëm apo nuk deshtëm nisëm  ta duam një tokë tjetër. I hidhemi vërdallë rrugëve të botës ,i përcjellim lotët me kafshatën e mallit,por çdo ditë e më tepër me shpresa të kota. Vatani më nuk është vatan, po plagoset çdo ditë ! Nuk i duron më plagët ! Dhe ne jemi plaga më e rëndë e tija .Ndoshta ai na lyp neve edhe me shumë se ne ate. 

Pa pritmas humba fare. Isha si një zog me krahë të thyera por që prap lyp shpëtim.

Nuk e di më as vet se cilin perëndim të diellit ta përcjell ? Jemi larg nga gëzimet,hidhërimet dhe  festat t’i ndajmë me ju! Por tash ,po i gëzohemi  një toke tjetër.Edhe ashtu thojnë,gjithka është Toka e Zotit ! Dhe Zoti të  sjell fatin nëse i përulesh tokës huaj! Po po …

Ditët kalonin së bashku me ëndrrat e fikura. Pritnim statusin e refugjatit,që atëherë nuk e dija se çfarë është azilant e çfarë refugjatë. S’më kishte interesuar ndonjë herë më parë!

 Ishim në një ankth.Ishim në një pritje . Nuk  kërkonim  shumë. Nuk kishim më ëndrra aspak  .E gjithë çka pritnim ishte një dokument udhëtimi. Një copë kartoni në dorë,dhe aq .Na kishte marrë malli marrëzisht. Ishte një test për zemrën që digjej .Nuk pëlciste .

Për çudi , ne nuk e kishim një Enver  këtu.Dhe unë me naivitetin tim më të  sinqertë nuk e kuptoja.Se kujtë i gabuam  ne  kush po na dënon ? Toka ynë që e lamë apo toka e huaj që erdhëm si musafir të pa ftuar  ? 

Pse po prisnim pra,kush po frigohej nga ne ? Jo jo,ketu nuk ishte një Enver t’na ndalojë të kalojmë kufirin , Ishim refugjatë, azil kërkues . Dhe nuk ishim kriminel .Ishim udhetarë nga halli dhe po dirgjeshim me dhimbjen .

Dhe se ç’mu kujtua Nënë Tereza sonte duke lexuar librin e Blendi Fevziut. Sa vuajti e shkreta pa e parë kurrë më nënën e vet dhe motrën.Kur e pa se ëndrra po i shuhej ,ajo i shkruan asaj, lokes vet  ” nuk mund të bëj gjë tjetër,vetëm se të lutem për ju”.Dhe lutej çdo ditë .

Ashtu edhe ne, luteshim . Sa nanat kanë shku pa i pa bijtë dhe bijat e veta. Ashtu si nana Drane që sonte po lexoj në librin e Blendit .

Nana Drane vdiq me dhimbje në zemër.Fotografinë e fundit ia dërgoi me nënshkrimin vajzës vet “Gonxhe ,të puth nanëlokja”.

Sa e dhimshme,deri në qiell e përtej. Kasapi i ndjenjave,nuk e lejoi të takohen. Dhe ajo vazhdonte. Jepë dashuri. I jep jetimit,të varfërit,gjithë botës. Dhuron jetën.Por jo si Gjoni i Sterio Spases..Durim,dashuri,dhe durim. Ishte e tërë që na mbetej .Mos të dorzohemi si Gjoni Sterio Spase ,dhe të kemi një durim si Nënë Tereza .

Dhe pritshim,një vit,dy………gjashtë.Më kishte marrë malli tepër . Por të gjithë,për nanloken time.Për dheun,detin,qiellin,aromën e vendlindjes. Nuk kishim një Enver. Por  tashma ishim mësuar që ne nga Ballkani e kemi gjithmonë fatin në duart e dikujtë. Gjithmonë një Enver tjetër na e ndalon fatin .Diku në vendlindje,diku bile edhe këtu në  Perendim ,në tokën e premtuar .

Nuk kishim Skype e Facebook atëherë. Nisa t’i harrojë fytyrat.Veç aromën e nanës e mbajsha ende në zemër.Për çudi . Aroma më e fort se dukja ?! Aroma Files , nanës time !

U banë 6 vite. Gjashtë vite pa i pa të dashurit tonë . Dikur, erdh edhe  vendimi dhe tani mund të udhetonim .Zemra hidhej nga malli . Aman se ç’farë ngatrrim emocionesh.

Fluturimi në Sarajevë.Mbi qiellin e Sarajevës kur aeroplani po i afrohej tokës  ,shperthyen një million kujtime,ndjenja,emocione. 

Djali i vogël Besarti hidhej nga ulsja , shikonte qiellin dhe retë që kishin mbuluar Sarajevën.

– Mamë , mamë , nuk më besohet, po shoh qiellin e vendit ku kam lind .kemi ardhë në Sarajevë !

Më dukeshin minutat deri në aterim si një shekull.

Në aeroport më pritnin shoqa ime e jetës ,disa antarë të familjes të bashkshortit tim ,dhe disa shoqe tjera.U çudita kur e pashë një buqetë aq të bukur në aeroport,që ishte pregaditë me aq dashuri për ne që po vinim .Mendova se nuk ka mbetur asnjë lule më në  Sarajevë. Ende me plot fanatizëm e ruaj foton e atyre lule aq të bukura të pregatitura ngaDijana ,shoqa e shoqes time të ngushtë,e cila nuk më kishte takuar kurrë. Dijana kishte ndëgjuar shumë nga shoqa ime e ngushtë  Suada për mua ,dhe mu afrua me aq ngrohtësi sikur ishim rritë bashkë.

U çudita kur i pashë  që çdo gjë kishte ndryshuar në Sarajevën e shkatrruar,por fytyrat kishin mbet të njëjta.Dritaret që nuk kishte mbetur asnjë pa u thyer gjatë luftë tashma ishin vu të rejat dhe ndriςonin me një shkelqim plot mirënjohje nga ata që i kishin shpëtuar luftës .

Gjithë ato përjetime të tmerrshme të luftës,nuk i kishte mplakë ,sa mua që më kishte mplakë malli !!!

Nuk kisha qenë e vetëdijshme sa barrën e rëndë e kisha pasë.

Tregimet e tyre, përjetimet gjatë luftës nuk ndaleshin . Sa ia niste njëra ,vazhdonte tjetra .Nuk kisha gjumë aspak. Thellohesha thellë në ato bisedat e tyre sa që më dukej që edhe unë i kisha përjetuar disa tmerre.

O Zoti madh,erdh koha me shku në Ulqin tash .Nisën emocionet e shpirtit .Emocionet tjera .Taman sa pak u qetsova në Sarajevë ,erdh koha me vazhdu . Familjen time ta takoj,vendlindjen time. Ishte zgjim nga gjumi ,ishte përpjekje me ndalë zemrën mos me dalë nga gjoksi ,ishte grusht që e mbajsha të mbyllur nga lotët që ishin mbledhur për gjashtë vite . Zemra rrihte sa mora erë aromēn e detit .

-Ndalu moj katile rrahjet ,i përshpërisnja zemres ngadalë ,sepse mund  të ndalesh ,dhe mbetesh pa u takuar me familjen . Por hiç! Mendjen bile se kishte .E lashë të rrehë sa të dojë .Edhe ashtu nuk më ndëgjoi .Sikur po kalonte një test të rëndë .

Po afrohesha pragut derës. Pashë një hije që nuk lëvizte. Qëndronte një grua e zbehtë, e ngrirë si guri. Nuk ofrohej . Ma paska marrë inatin kaq shumë, mendova . Ishte  shtangur e shkreta aq shumë saqë e ndjeva fajtore vehten pse u linda.Ngutesha aq shumë t’i hidhem në grykë,nga frika mos e ndal zemra.Mendoja,veç ta shtërngoj fort po edhe nëse është hera e fundit. A harrohen ato çaste ? Nuk besoj që jeta m’i fshinë ato çaste ndonjë herë nga truri. Ishte nana ime,që menzi e perballonte takimin. Zemra nuk plasi. Nuk kishte më PSE. Nana po takonte bijën . Po takoja të gjithë të dashurit  familjen e vllaut dhe motrës,nipat , miqtë e vjetër.

 Unë pata fatin. Jo si Gonxhja që kurrë më nuk e takoi nanloken e sajë .Ishte një fat i imi që prap se prap edhe pse prita ,gjindesha në tokën e John Mayor-it e jo të Enverit .

Unë takova nanën time edhe disa herë para se të vdiste . I gëzohesha faktit që tash më mund të udhëtoj .

Kjo është jeta.Bie si defi randë .Të shurrdhon.Dhe shëndrrohet në violinë.Jeton .

Jo jo,fare nuk du të mendoj në Pse-hin e jetës sonte. Asesi .Edhe pse trishtohem nga tmerret që kishte kaluar populli Shqipërisë që as nuk e kisha pasë idenë , vazhdoj ,lexoj librin e Blendi Fevziut .Sonte thashë do flej ,ose kurrë.

Jeta nuk është fluska sapuni.

 Sonte mendoj në Nënën Terezë,që nuk e mposhti as malli ,as hallet as vdekja.

Jo jo as vdekja.Dhe ia marrë lakminë për durimin e sajë .

Po ngjallet si një ëngjëll që vjen me një mesazh . Fali Dashurinë gjithë atyre që nuk e kishin.Dashurinë që vet aq shumë e vuante,e fali,dhe e ndau me gjithë botën.Një grua e vogel,një burrneshë e madhe.Dhuratë nga Zoti për  botën e varfër. Dhuratë nga Zoti për  shqiptarin.

Nëse dikush pyet ose dyshon”po ç’farë  bëri Nënë Tereza  për  ne shqiptarët”,le të ndëgjojë gjuhën shqipe në mes të Romës,flamurin që po valon ,yjet shqiptare që po ndriçojnë gjithë Universin ,dhe e kupton që sot Nënë Tereza e vuni vulën shekullore të kombit shqiptarë !

Ajo na e zbardhi faqen,e ti i nderuar shtëpinë ndërtoje vetë,dhe lirinë mbroje vetë.

Bija e kombit tonë.Gonxhje Bojaxhiu . Ylli,kompas i njerezimit,dora e shenjtë.Ishte Zoti ai që e zgjodhi pikërisht një  shqiptare.Se vetëm ata që e njohin vuajtjen dhe padrejtësinë dijnë të dhurojnë dashurinë,dhe ku më mirë  se të shkonte Zoti në zonat tona e të zgjithte një dorë të shenjtë.

Në ato zona ku me dekada nanat shqipëtare me lot kanë përcjell bijtë e bijat  , nga Malsija,nga fshatrat nga qytetet ,nga rezhimet e ndryshme ,nga varfërija për kafshatën e gojës ,nga dreqi i mallkuar për një rrugë të mërgimit pa kthim!

Pse? Sterio Spase,Nënë  Tereza,Nana ime….

Zot truri nuk duron kaq shumë. Të lutem ,sonte mos më kthe në kujtime ,harroje kujtesën,fshije fare. Po po, harresa është mbreti  i dhimbjeve. Jeta nuk ndalet ,vazhdon .

Kur ndalemi dhe pyesim Zotin pse , ai na thotë mos më bëni mua  pyetje ,sepse unë i di arsyet e mija . Ose je Gjoni me mendimet e zymta pa shpëtim ,ose Nënë Tereza . Ose autor e ke Sterio Spase me tentimet e zymta ose je vet autor i vetvehtes .

Po kurrë ,ama kurrë Zotin mos e pyet pse. Jo jo , falja dashurine jetimit,të varfërit,të vetmuarit,plakut,fëmiut…. falja dashurinë vetvehtes ,dhe veç mbaje në grusht  durimin ,dhe mos e lësho kurrë edhe kur jeta të hedh për tokë. Edhe kur mbetesh pa vendlindjen.Harroje vendin ku linde ,dhe lind diku tjetër por mallin për te shtërngoje fort në zemër deri sa të jesh gjallë. Sepse edhe po deshte ti ta lëshosh ai mallë nuk të lëshon ty . Ashtu sikur Gonxhja ….

Scroll to Top