S’ke çajre pa e marrë

Zoti im sa nikoqirë të mirë që jemi.

Sa mikpritës,sa të dashtun ,sa bukëdhënës.

Kojshinë dhe musafirin i kemi Zot.Gostinë e kemi ligj. Kur vie musafiri,deshti s’deshti e lusim me zorë.Ia qesim hisen e gjellës në pjatë,pastaj përsëri kur e ndamë për të gjithë dhe e shohim se mirë qenka terezija , dhe paska boll për të gjithë dhe një copë është më tepër,atëherë ia gjujmë në pjatë musafirit përsëri.Shtyhemi sa mundemi,ai i shkreti refuzon,na e shtyjmë se e shtyjmë .Mbesin disesi duart të varura,tonat dhe të musafirit.More edhe langu nisë e pikon përmbi mbulesën, por nuk e kemi mendjen të dorzohemi. Shtyhemi sa mundemi .Atëherë kur çdo shpresë fundoset që musafiri nuk dëshiron dhe kategorisht refuzon ta marrë at kafshatë të dreqit që ia zumë në fyt,nisim e bajmë be.Nuk ndalemi.Aman merre se i kam fëmijët,dhe për secilin kry duhesh ta merrësh copën e mishit.Aman,pashë zotin,mos e kthe. Kthehen unaza e vajzës,e djalit,e nipit e mbesës apo….ma e randa është që Zonja konakut ofendohet  se ndoshta nuk u ba si duhet gjella. Aty kërset fundi.

Jo jo, gjella është e përsosur dhe s’ke çajre pa e bindë të Zonjën e konakun dhe deshte s’deshte e kapërdinë disesi .

Ama edhe musafiri aq kokëfortë,sikurse u mësu të lutet dhe nuk e merr që nuk e merr.

Por kur del ndonjë i paftyrë që e merr vet hiç pa u lut, aty maron muhabeti.E gjithë kjo parodi mbaron,me shikimet e terthorta mes antarve të familjes për një edepsyz që e morri pa pikën e turpit hiç pa u lut.Tradita mori fund.Si nuk i erdh turp ati sypangopyr dhe e morri vet hiç pa e lut i zoti konakut?

Patjetër duhet me u lut !

Atëherë mbasi e kemi duqatë mirë e mirë musafirin me tana të mirat,prej sallate deri në hashaf që i shkreti as frymë nuk mundet me marre,nisë e i vjenë gjumi gjynahit.

 Deshti s’deshti edhe një kafe për sikterr duhet t’a pijë.

Kolesterolin ,tensionin e diabetin mos guxoni bile me i përmend. Në protokol të Zotit t’konakut nuk egzistojnë fare të lartpërmendurat.

 Eh bile mu kujtu djali tezes time.Ai si veterinari më i vjetër në Ulqin,e thërasin një natë urgjentisht në një katund ,se lopa iu ka sëmurë shume keq dhe po vdiste e gjora lopë (Më falni, si dashamirëse e kafshëve, nuk mundë ta përdori fjalën ” me cofë”).Shkon ai në katund,dhe besa e shpëton lopën. Zoja e shtëpisë urdhëron nusen:”shpejtë nuse vune kafen se lopa na shpëtoi. Djali i tezes i thotë që nuk mundet,se edhe tensionin të larte e kishte, edhe  ishte tepër vonë tashti. Plaka e shtëpisë shqirret sa mundet,që ska mundesi musafiri të dalë pa e pi kafen,e sidomos që edhe lopën e shpëtoi.

“Ke ardhë prej Ulqinit e me dalë pa kafe, he Zoti na ruajtë” vijon plaka. Ai dorëzohet i shkreti ma në fund,dhe i thotë” bane pra,por të lutem pa aspak sheqer.

“Zoti na ruajtë, vazhdon plaka,ke ardhë prej Ulqinit,(përseitet kjo që ka ardhë prej Ulqinit disa herë)edhe lopën na e shpëtove ,e me pi kafen pa sheqer.Heeee Zot e mos e ban,insiston plaka.

Kafja me 5 lugë  sheqer sipas urdhërit të plakës duhej të pihej ,se vërtet edhe vjen prej Ulqinit,edhe shpëton  lopën e me dal pa pesë lugë sheqer,vërtet s’ka hije.

 E fundin nuk e di, si mund t’a përbinte ai at kafe edhe sot më vej keq për te kur më kujtohet.Por  nuk ka pasë çajre pa e kry.Se konaku nuk ofendohet,Zot mos e ban aty ku sheqeri respektohet si vet zoti i konakut.

 Jemi të veçantë pra,unikat e popull antik. Veç japim.Bukëdhënës, me traditë. Edhe kafen,edhe bukën,edhe kafshatën e fundit more nëse duhet. Tradita traditë, s’ka birë nane që e ndryshon.

Musafiri dhe kojshitë janë Zot në shtëpinë tonë dhe pikë. Lere bile fare at masllahat……është vonë,është hejret,ke tensionin,diabetin?Harroji të gjitha.Merre kafen ,edhe bile me pesë lugë sheqer se fundoset nderi i gjithë konakut.

E dreqi t’a hajë ma,se nuk bahet qameti….mos e kthe !!!

Por aman edhe ,mos gabo e merr para lutjeve se atëherë e gjithë parodia e parapregaditur me gjenerata,merr fund dhe fundoset .Mbetet fjala n’fyt si kafshatë që nuk kapërdihet dhe sytë shtrembërohen e rrotullohen herë majtas ,herë djathtas e herë gabimisht  Zonja konakut ta shkelë këmbën n’vend të antarve tjerë të familjes që edhe ata mbesin gojëhapur dhe sy shtrembër nga njé edepsyz që po shërbehet në sofër të huaj, hiç pa e lutë !

Kur të shkon musafir mos gabo pra me e marrë para se të lusin nja njëzet herë ! 

Zot mos e ban ! Nëse nuk e merr mbasi të lusin shumë ofendon zonjën e konakut! Nëse e merr pa të lutë hiç, koritesh!

Rri urte e bindu traditave se nuk ka kuptim !

Scroll to Top