Tax free apo pagesa

Nuk e di a janë taxat dhe ligji, thelbi i një shteti ?Para sa kohe, regjistrova një paciente mosha 33 vjeçare ,me titullin Lady dhe bashkshorti i sajë me titullin Lord .Si fytyrë m’u kujtua menjëherë sepse shpesh del në magazinat Tatler, Vouge dhe Hello .Por mendja nuk ma merrte që një bukuri engjëllore dhe një person me gjithë at famë , mund të sillej ashtu. Se ku e marrin guximin disa njerëz për sjellje të tilla, kurrë nuk e kam kuptu.Kishte një sjellje katastrofë prej njeriut. Një lazdrim neveritës. Një ego, një ze dominues dhe sikur i dukej që e gjithë bota sillej rreth sajë. Për çastin u iritova bajagi por kur mu kujtu që jam në Angli dhe nëse vazhdon një sjellje të tillë kam drejtë me ndërpre procesin e regjistrimit , dhe mos me e regjistru fare.Pak u qetësova. Me gjakftoftësinë maksimale i tregova që kemi zero tolerancë ndaj çdo abuzim verbal , dhe nëse nuk është e knaqur mundet lirisht me ndërpre regjistrimin, dhe mundet me u regjistru diku tjetër mbasi rreth ku jemi na ka shkru GP tjera.

U zbut si pula sa që pak më frigsoi.
Prej rekordeve që automatikisht vijnë nga GP i më hershëm dhe gjithë historija medikale e pacientit e kuptova që GP para nesh e kishte pasë disa konflikte verbale dhe e kishin larguar.
Titullat Elitare në Angli blehen diku mes £ 10.000-£15.000 .Titulli Earl’s Spencer of Wimbledon u shitë për 171.000 vitin 1990.
Ndësa Titulli Nobel nuk ka vlerë që dikush mundet me e ble. Pra ato nuk blehen por trashigohen brez mbas brezi.
Megjithate dihet se askush në shpirt apo një pakicë shumë e vogël mundet të ketë një shpirt 100% Nobel po qe se lind në një familje të tillë.
Nobel lind me gjak e zemër e jo me titullë apo mbiemër ! Pra ka njerëz me shpirt të tillë por vdesin pa e marrë kurrë një titullë të tillë. Mjerisht janë të rrallë.
Mbasi u kry i gjithë proçesi regjistrimit më kërkoi falje. Thashë me vehte shyqyr që ligji funksionon këtu dhe ka lindë para titullave elitare. Për një çast u rënqetha kur paramendova që rastësisht më kishte qëllu me regjistru Lady Lumturijen , Lord Hashimin ,Baroness Anitën, Lord Ramushin , Sir Isa Mustafën,apo farë Lordi apo Lady me t’bleme e jo t’leme!
Fërkova sytë sikur u çova nga një andërr e keqe .
Falë Zotit thashë dhe u çova në këmbë, shyqyr që atje ke na ende titullat nuk mund të blehen.Paramendoni rendin në pritje …..!
Në viset tona abuzimet verbale kategorizohen , dhe një fukara i shkretë për veç përbuzjeve dhe degradimit social as ligji nuk i funkcionon në favorin e ti.
I shkelmohet lëmosha në mes të rrugës nga një advokat prestigjioz hiç pa ia nxanë rrugën.

Ose një motër medicinale apo personat në serviset tjera ,çohet e ban për pes pare një të varfër por dridhet para një njeriu me famë apo të pasur . E tash veç merrni me mend sikur edhe një tutull Lord ose Lady të shtohet kytyre….awwwwvvva , s’po guxoj me paramendu .Jo që shpirtërisht shkelin sikur  kanë shkel deri tash, po për tokë  shkelin ju përdorin në vend të tepihit tê kuq !
Jo jo Zoti mos e baftë!
Ndodhë pra, ndodhë edhe këtu çdo gjë, por disesi ndryshe.

Kush nuk ia priton me ndjek ligjin, këtu ligji ende funksionon. Falë Zotit sepse e padrejta nuk kapërdihet gjithmonë lehtë.

Të krahasohet një shtet i zhvilluar sikur Anglia me Shqipërinë ,Kosovën apo secilin shtet më pak të zhvilluar duhen analist, ekonomist, historian, psiholog që janë të specializuar në fushat e veta. Mirë po situatat që vet njerëzit gjinden dhe çdo gjë e provojnë në lëkurën e vet është analizë, obzervim në vehte!

Unë që tash sa vite jetoj në Angli , në çdo situatë jam munduar t’i bëjë disa krahasime . Pra si   një qytetare me një jetë normale dhe modeste janë disa situata ad hoc   që unë jam gjetë në te,dhe shpesh më kanë shti në test, në provim të rëndë .Të mbetesh indiferent nuk është e lehtë . Asnjë herë! Mos të mendosh që edhe këtu ndodhë çdo gjë por disesi ndryshe është e pa mundur.

Së pari rendi! Në stacion të autobusit, në vende institucionale, në park që në vapë pret për një akullore, në GP( General Practice), në banka dhe kudo! Të gjithë presin me rend dhe askujtë nuk i shkon bile mendja me kapërcy at rend. Edhe pse me revolt dhe pa durim sa herë, mllefi shpërthen ndaj serviseve dhe atyre që na shërbejnë e kurrsesi ndaj ati që kemi para nesh . As nuk më ka bërë vaki që dikush t’më shtyej edhe 1 cmm bile.Vitin e kaluar në Prishtinë kisha nevojë me nxjerr disa dokumente. Rend , si edhe këtu që pret shpesh herë. Ama…. mllefi, pa durimi, sharjet. Së pari secili provonte në një farë mynyre pak si shferc me kalu, me ndonjë rrenë apo arsyetim. E dyta …. oh oh kjo e dyta e tmerrshme ! Së pari ai që është mbas teje nisë e ti shan të parë e të fundit nëse rasti yt merr një kohë të gjatë. Dhe ti nuk e di ku të koncentrohesh! A për punën që  ke ardhë apo të sjellë kokën dhe të hidhet me ia futë një shuplakë, e me ik fare prej aty. Mllefi dhe sharja vazhdon deri ke shyrbyesi i sportelit. Jam tuj folë për njerëz normal pra. Ndodhë edhe ktu ama disesi ndryshe !

Plehrat, llomi apo bërllogu, si të doni mundeni me i thanë . Jetoj në Kensington and Chelsea, komuna ku taxat janë më të lartat në Britaninë e Madhe ndoshta edhe në botë. Jetoj në banesë të komunës .Ku për veç anglezve ka shqiptarë, afrikan , spanjoll, australian, portugez dhe nga e gjithë bota. Lakra turshi kurrë nuk më ka bërë vaki dikush me gjujtë nga katet për mbi që i kam edhe 16 tjerë mbi ballkonin tim . Jo jo Zoti na ruajtë ! Ktu shkelin rëndë njerzia. Ktu bie kauçi (sofa). Po pra, kauçi.

Disa vite më parë diku mbramje vonë djali im Asdreni  doli  në ballkon ndërsa i ndjeri Samiu  , unë dhe  djali vogël Besarti shikonim Tv. Papritmas ndëgjohet një bang aq i madh sa që zemra mu dridhë. Mendja së pari më shkoi ke Asdreni që ishte në ballkon. Ai në ballkon edhe vet i befasuar më tregon se dikush ka gjuajtur kauçin. Jo jo lakna turshi . Kauçi !!!! U shqetsuam të gjithë. Dreqi ta hajë thashë! Ma mirë lakra. Ah sa më mungoi atë natë shteti lakrave. I kërkova falje një milion herë. Ma bën hallall i thashë që të kam kritikuar !Bile lakra nuk të le në vend kur të godet. Ktu ta kishte nxanë një fëmijë duke luajtur ai kauç e kishte lënë në vend.

Para ballkonit është një park i gjithë banesave ku jetojmë gjithmonë i bukur dhe i pastër me afër 4000 banorë. Kur u çuam në mëngjez as një shenjë e kauçit! Pastruesit ishin çu prej gjumit para meje.  Nga ballkoni gjuajnë sa herë dhe çdo ditë. Ata që e kemi në gjak secili e sjellim me vehte pra edhe nga shtetet tjera.  Hedhim gurin dhe mshefim dorën. Ama e para është friga dënimit që të pret, e dyta serviset që i rrijnë gati atyre mbeturina. Taksat e larta. Friga është Zoti lartë, taksat Zoti poshtë.

Ndodhë edhe këtu. Disesi ndryshe ! Për veç mallit, gjuhës, sistemin një dhimbje që më therte shumë si thikë këtu në këtë shtet kur erdha ishte pagesa taksave. Taksa prej rrogës, taksa për serviset komunale , taksa që jetoj ! Taksa që thithë ajrin ! Taksa në taksa. Taksa edhe në benefitet shtetrore.Taksat ktu janë shumë më të larta se sa luksuzet që ne paguajmë atje. Dhe deri sa mua mirë e mirë nuk më hyri në kokën time ballkanike që së pari duhet të paguhet vendi ku do bëshë luksuzin e pastaj paguan luksuzin që do e bëshë ,kaloi një kohë shumë e gjatë. Besa edhe sot më dhimbet shumë. Sepse unë vi nga një shtet ku frizurat paguhen para taksave, një darsëm tri herë gjatë ditës, fustanat duhen të ndrrohen prej fejesës e deri ke martesa kush e di sa herë, capuchino gjithsesi një herë në ditë, pushimet e majit , të verës , dimrit  , dhe nja dy tre blic ndër mjet pa tjetër! Iphone ultimatum i standardit! Marlboro nevojë për të gjithë këto vuajtje që i permenda më parë!  Për një darsëm hyjnë borxh deri në fyt , por nëse mbetet pas me pagesën e taksave , vështirë që mundohet t’i gjej ato të holla .  Këtu janë vendet ku yjet ngjiten shkallës lartë dhe janë vende të mundësive por populli kurrë nuk përfillë një yllë më shumë se vehten dhe kurrë nuk luan rolin e një ylli edhe nëse e adhuron, kurse ne obligohemi psiqikisht të kopjojmë jetën e dikujt tjetër i patëm apo nuk i patëm mundësitë. Një obligim i kopjimit të jetës dikujt më të sukseshëm se ti  .Ndërsa obligimet ndaj shtetit dhe vetëdijen e kemi zerroooo!

Pronë e huaj, oborr i huaj e shtet i im nuk ka. Patriotizëm dhe dashuri është kur secilën pllambë të tokës e shohim si të veten. Ashtu si ndodhë këtu.Dënohet rreptësisht ikja e pagesave të taksave. Jo që nuk provojnë edhe këtu. Bile ka   milionerë dhe njerëz shumë të pasur që mundohen me i ik taksave. Po, po edhe këtu nuk ka çka nuk ka. Ama disesi ndryshe ! As vet për besë nuk mund ta spjegoj.

Kur  të vetëdijesohet populli se obligimet ndaj shtetit janë prioritet e jo luksi, atëherë sigurisht gjanat ndryshojnë. Sepse edhe për luks duhet një farë rregulli. Këtu i hyp autobusit, shetrit anë e mbanë , sheh veç bukurina , jeshillyk dhe pastërti . Kthehesh në shtëpi i knaqur që ke pa diçka bukur veç me një biletë ditore në një autobus atraktiv anglez.  Për secilën bukuri që ke parë populli paguan taksa . Kurse dreqi ta hajë, një frizurë prishet menjëherë, një fustan bëhet bajat, një darsëm del prej hunde deri sa të paguhet krediti, kafen e ke lirë edhe ashtu! A nuk mendoni që nuk është më bukur të hypësh prej Ulqinit, Shkodër, Tiranë, Prizren,Prishtinë dhe për veç rregullit dhe pastërtisë nuk sheh asnjë gjë që ta vret syrin.

Ndodhë ndodhë edhe këtu çdo gjë por disesi ndryshe. Për besë kurrë as vet nuk e kam kuptuar. Jo jo, kurrsesi nuk dua ta shajë kombin tim, sepse këtu e kanë pru në rregull një armatë milet nga tërli tërli Kazistana, Afghanistana, Bangladesha e mos vet se kah . E ne mos me qenë të zot një komb të vetin dhe të vjetër me shekuj është e pamundur të spjegohet bile!Por veç fakti se çdo gjë ndodhë edhe këtu por ndryshe më mundon shumë. Vdes ta kuptoj arsyen !

Njëjtë por disesi ndryshe që do të vdes pa e kuptuar.Pra së pari duhet të paguhet vendi ku bëhet luksi, pastaj luksi . Deri sa të mbërrini në  vend të ati luksuz duhet t’i kaloni një  qind gropa që ta vrasin syrin ! Nëse një gjeneratë e tërë pësoi një dëmë të rëndë shpirtror dhe ekonomik nga politikanët e asnjë herë nuk u drejtuat nga shtëpitë e tyre direkt, atëherë  mos u drejtoni kah objektet dhe mos i dëmtoni. Ku merr vesht guri pashë zotin nëse nuk merr vesht njeriu ! Shtetit nuk i nevojiten përçarjet dhe shkatrrimet aspak !Pagesa prap se prap duhet të dalë  nga xhepi juaj !

Scroll to Top