James Rozoff thotë në nji aforizmin e vet :nji bibliotekë asht nji vend i shenjtë ku zanet e të lashtëve mund të dëgjohen ende nëse ne, u japim atyre heshtjen e kërkuar.
Shqiptarët e përhedhur në ish Jugosllavi kryesisht nisën rrugëtimet e tyne mbas luftës dyta botnore.
Por nga arkivat dhe dokumentat që egzistojnë, thuhet se fillimet janë shumë ma hejret.
Kur flasim për Arbëreshët e Italisë , të gjithë mahnitemi me rezistencën e tyne për mos asimilim.
Por ,sa kanë rezistu shqiptarët e Kosovës , Maqedonisë, Malit Zi, Shqipnisë…në vendet ish jugosllave ?
Pesdhjet vite, njeqind apo ma shumë?
Jam fascinu gjithmonë me bisedat e kunatave të mija mbi jetën e shqiptarëve, kryesisht gjakovarëve në Sarajevë.
Por bisedat e gruas vllaut të burrit tim, Bedrijes, kanë qenë burim I pashterrshëm për jetën e tyne në nji qytet të huaj me gjuhë tjetër me zakonet dhe traditat ndryshe nga qyteti ku tashma ishin ba edhe vet pjesë e ati qytet .
Baba Bedrijes Zija Idriz Axhanela ,nji Zotni me namë kishte biznesin e vet at kohë para gati njeqind vitesh.
Lulzonte Bašćaršija me bizneset e gjakovarëve dhe shqiptarëve menjiherë mbas viteve 50- ta.
Nusen e vet , bashkshorten e jetës,në vitin 1934 e merr nga Gjakova dhe e sjell në Sarajevë.
Motër e pes vllaznive, nga familja Nura, bukuroshen me namë , Zonja Zyrefa Nura Idriz e lindun më 1917 , vajzë 17 vjeçare, len beqarinë në derën e madhe dhe vjen poashtu në nji derë të madhe , po që asht fare e huaj nga ajo e vendit të lindjes.
Eh at kohë!
As komunikim, as udhetime, as rrjeta sociale por veç letra të rralla dhe udhetime edhe ma të rralla, dhe veç mallit që kepuste shpirtin ishte edhe frika nga asimilimi.
Në shtepi flitej veç shqip, vizitat ishin veç mes shqiptarëve, dhe traditan I sollën me vehte dhe I mbajtën në arka të rujtuna mes çejzit dhe qendisjeve me syrm dhe ar.
Kur çelej arka, aty dilshin bujarija, krenarija, nderi, besa, mikpritja me plot zotnillyk e me mall që e qante zogu në rranjtë e vendlindjes!
Në arkivat e Sarajevës asht dokumenti për shtëpinë që asht ble nga tre vllezërit Idriz- e që tash janë familja Axhanel me vitin 1914.
Janë nder gjakovaret e parë që kanë çel bizniset e veta në at kohë në Sarajevë.
Zonja Zyrefa , tregonte e bija Nidja, sa herë që kishte mall, delte në bahçen e tyne në Sumbul Çesma, dhe mes luleve gjelbrimit gjente vendin ku derdhte lot e mallengjimit.
Gru fisnike, e mençme, bukuroshe, bujare e mikpritëse, të kujton në nji priceshë që fatin e gjeti prej qytetit të Gjakovës në qytetin ma të bukur të ish Jugosllavisë , në Sarajevë por at fat e kishte qa me lot malli!
Kam ndegju nga secili shqiptar I Sarajevës aq fjalë të mira për te me aq respekt dhe madhështi. Janë fotot e rujtuna në mur, dhe arka me fustanin e martesës , me shumë qendisi që kanë vendin në muzeum të Sarajevës si shqiptare që la gjurmë në historinë e mërgimit me shekuj të kombit tonë.
Nanë e Bedrijes, Dr Avniut, Nides dhe Fuadit, mbetet simbol I nji shqiptare që çdo boshnjak I moshës vjetër e kujton zotnillykun e saj me aq respekt dhe me aq nder.
Sot e këtë ditë shtepija në Sumbul Çesma numër 6, mbetet konaku ma I amel që kanë pi bile nji kafe me qindra e qindra musafir.
Asht nder shtëpitë ma karakteristike të qytetit me bregun Ploče ,Srebrenik Vratnik , e rrethume me sharmin e rrallë me fotot në kornizë të bukuroshes gjakovare, Zonja Zyrefa afër të shoqit dhe vjehrrit dhe vjehrres saj.
Dhe….nëse në këtë arkiv fotosh të varuna në mur dhe arken e mbyllun, plot qenisi, punë dore me fustanin e martesës ma të bukur të asaj kohë,i japin heshtjen e duhun, mund të ndëgjojmë me qindra grimca tregime nga jeta e nji jabanxhiu që mbeshtjell në bohçen e udhëtimit gjithë historinë , traditat, mikpritjen dhe mallin me vehte !
Dhe vërtetë asht mahnitëse sa mund të ndëgjojmë zanin e lashtë edhe nga ata që kurrë nuk i kemi taku por veç i kemi pa fotot me kornizë në mur !
Foto : Viti 1935,Zonja Zyrefa Nura Axhanela e lindun në Gjakovë me 1917
